Ka ndodhur

Nuk ndalen shirat/ Vjosa e Semani dalin nga shtrati, përmbyten toka bujqësore e banesa (video)

Shirat e vazhdueshëm në gjithë territorin e Shqipërisë kanë ndikuar edhe në prurjet e lumit Vjosa dhe Seman si dhe në bllokimin e kanaleve kullues nëpër fshatra.

Situata më alarmante shfaqet në zonën e Novoselës ku sipas prefektit të Vlorës është bërë edhe evakuimi i banorëve, banesat e të cilëve janë përmbytur.

Prefekti Flamur Mamaj deklaroi se kalimi i nivelit të ujit në lumin Vjosa mbi 8 metra mbi nivelin e detit do të sjellë përmbytjen e shumë familjeve në Selenicë dhe në fshatin Fitore dhe po ashtu edhe të tokave bujqësore në këtë zonë.

Situata po monitorohet në terren nga Emergjencat Civile ku raportohet se niveli i ujit në Urën e Mifolit ka arritur kuotën maksimale. Uji ka përmbytur edhe toka bujqësore dhe sera duke shkaktuar dëme tek fermerët, të cilët nuk kanë mundur të bëjnë më tepër se të shohin teksa prodhimet e këtij sezoni nën ujë.

Sipas tyre, pushteti vendor nuk ka marrë masa paraprake, edhe pse një situatë e tillë pritej nga dita në ditë. Kanalet kullues janë të bllokuar, e si pasojë, uji vërshon në tokat bujqësore pa pasur rrugë kalimi tjetër.

Reshjet e shiut kanë sjellë problematika edhe në qarkun e Fierit, ku për shkak të daljes së lumit Vjosa nga shtrati ka pasur përmbytje. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako duke dhënë detaje mbi situatën në Fier tha se nuk ka përmbytje masive, por në zonën e Ferrasit disa zona janë përfshirë nga uji, duke bërë që banorët të evakuohen.

“Prej disa orëve, gati dy ditësh kanë vazhduar reshje intensive, shkak i cili ka sjellë edhe përmbytje dhe mbingarkesën e lumit Vjosa dhe të lumenjve të tjerë. Jo që është më e rëndësishme është kapja  e niveleve maksimale të lumit Vjosa. Strukturat kanë qenë gjitha natës në qarkun Fier dhe Vlorë dhe kanë marrë masa për të evituar çdo problematikë apo shqetësim të banorëve. Duhet të informojmë publikun se aktualisht niveli i ujërave ndihmës ka kapur nivelin maksimal, por nuk kemi përmbytje. Në Ferras janë disa banesa që janë prezencë uji, janë evakuuar 3 familje. Janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e strukturave lokale dhe vendore. Tashmë mund të themi se nuk kanë rrezik. Pritet intensitet në rënie në prurjet e Vjosës, ç’ka reflektohet në nivelin që po bie në Memaliaj. Po ashtu edhe në Vlorë, nuk paraqiten probleme është punuar gjithë natës, është mbyllur një çarje e argjinaturës e cila mund të sillte probleme serioze”, është shprehur Çako.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë