Ngjarje

Nuk ka paqe mes profesorëve, Koni dorëzon tjetër kallëzim për Kulen

Në prag të fushatës në universitete, lufta mes dekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe rektorit të Universistetit të Tiranës vazhdon ende të jetë e ndezur. Kësaj radhe kambanat e alarmit bien sërish nga Mynyr Koni, i cili pretendon se Rektoratit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe se për dy vite akademike janë prodhuar diploma të matrikuluara dhe të pautorizuara nga Rektorati. Këto diploma sipas Rektoratit përcillen tek ky i fundit vetëm në fazën fundore, vetëm për nënshkrim, ndërsa nga ana tjetër për shumë studentë të tjerë të vitit akademik 2017 dhe 2018 nuk është përcjellë regjistrimi i tyre në rektorat. Aktualisht, këmbëngul Mynyr Koni, ata kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve dhe kërkojnë të pajisen me kartonin e diplomave, të cilëve ju është bërë me dije shkaku se përse nuk mund t’i marrin. Siç bën me dije një burim i   sigurtë i Gazetës “Si” pranë Rektoratit, Mynyr Koni ka dorëzuar një kallëzim tjetër në Prokurorinë e Tiranës kundër dekanit Dhori Kule. Shkresa e vendosur në dispozicion të Gazetës “Si” mban numër protokolli 974 fraksion 7, datë gjashtë janar 2020 dhe në të janë bashkangjitur prova, të cilat sipas Konit janë me interes për hetimin.

Mynyr Koni shprehet “se referuar kallëzimit të 2019  për shpërdorim detyre ndaj Dhori Kules po ju paraqes fakte të reja në ngarkim të këtij të fundit, të cilat vijnë si pasojë e moszbatimit të ligjit për Arsimin e Lartë 80, 2015, lidhur me mos përcjelljen në rektorat për pajisjen me numër matrikullimi të studentëve të rregjistruar në vitet akademike 2017-2018 dhe 2018-2019 në Fakultetin e Ekonomisë”.  

Mynyr Koni shton se siç ka bërë me dije edhe në shkresa të tjera, dekani i Fakultetit Ekonomik, strukturat e Universitetit, kanë përcjellë direkt në qendrën e shërbimeve arsimore listat e studentëve të regjistruar, për katër vitet e fundit, me qëllim matrikulimin e tyre nga ana e kësaj të fundit.

Koni këmbëngul se “ky veprim i dekanit të Fakultetit Ekonomik është në kundërshtim me ligjin dhe me udhëzimet përkatëse”.

Në shkresë përmendet se listat e studentëve duhet të përcilleshin në Rektorat për të kryer verifikimet përkatëse dhe pastaj përmes Rektoratit duhet të përcilleshin pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.  

Koni i thotë Prokurorisë: Megjithëse dekani i Fakultetit të Ekonomisë është njoftuar me shkresa të vazhdueshme, se sipas ligjit dhe udhëzimeve përkatëse, listat e studentëve duhet të përcillen, nga ana e rektorit Dhori Kule është vijuar me procedurat për printimin e kartonave të diplomave për këta student.

Mynyr Koni shton: Me qëllim vendosjen e ligjshmërisë në këtë proces të pakontrolluar të prodhimit masiv të kartonave, të diplomave për studentët e Ekonomisë, me urdhërin numër 24 , datë 20 dhjetor 2019 të rektorit të Universitetit të Tiranës është urdhëruar përcjellja në rrugë zyrtare e të dhënave të të gjithë studentëve që kanë kryer procesin akademik të diplomimit në të gjitha ciklet e diplomimit. Nga dekani i   Fakultetit të Ekonomisë te strukturat e ndihmës akademike të Rektoratit të Tiranës. Strukturat ndihmësakademike (drejtoria e programeve mësimore dhe e sigurimit të cilësisë si dhe drejtoria e mardhënieve me publikun)  pas konfimimit të korrektësisë proceduriale të përcjelljes së të dhënave nga dekani i Fakultetit të Ekonomikut dhe pas saktësimit të ( verifikimit përmbajtësor të tyre) i kalojnë te rektori për autorizimin e printimit të kartonave të diplomave. Rektori është njohur me prodhimin e diplomave të kësaj kategorie studentësh vetëm në momentin që janë përcjellë për nënshkrim. Kjo do të thotë se jemi në kushtet e prodhimit të diplomave të paautorizuara, duke shkakruar edhe një dëm ekonomik institucionit. Kjo pasi është bërë prodhimi i kartonave të diplomave për studentë, për të cilët rektorati i Universitetit të Tiranës nuk ka pasur asnjë informacion për rregjistrimin e tyre, siç kanë qenë rastet e studentëve të rregjistruar në vitin akademik, 2017 dhe 2018, si dhe për studentët, prodhimi i diplomave të të cilëve ka qenë i   pautorizuar më parë nga ana e rektorit.

Mynyr Koni, siç mëson Gazeta “Si”, denoncon se shumë studentë të regjistruar në këto vite akademike në Fakultetin e Ekonomisë, për të cilët nuk është përcjellë regjistrimi i tyre në Rektorat, aktualisht kanë mbaruar ciklin e dytë të studimeve dhe kërkojnë të pajisen me kartonin e diplomave përkatëse. Siç përmendet në këtë qëndrim të Rektoratit, këto diploma janë prodhuar në mënyrë të paligjshme nga strukturat administrative të Universitetit të Tiranës.

Koni-Kule, nga miq në armiq

Përplasja mes dy profesorëve nuk është një histori e re. Koni dhe Kule dikur shokë me njëri-tjetrin, u ndanë përfundimisht pas zgjedhjeve për Rektoratin ku Mynyr Koni kishte përballë si rivale Klodeta Dibrën. Pikërisht në këtë konkurrim dy profesorët Koni dhe Kule pretenduan se kishin marrë mesazh kërcënues nga Emiliano Shullazi, dhe ishte pikërisht kjo zhurmë që dërgoi Shullazin në qeli, ku edhe ai vazhdon të mbahet nga drejtësia. Por Emiliano Shullazi për kërcënimin e dy profesorëve u shpall i pafajshëm, ndonëse mori 14 vite burgim për vepra të tjera.

Sidoqoftë dosja “Shullazi” u bë shkak që dy profesorët dhe shumë profesorë të tjerë të shkonin në prokurori dhe të tregonin çfarë kishin kaluar dhe çfarë kishin dëgjuar. Gazeta “Si” po sjell edhe njëherë dëshmintë e dy profesorëve në Gjykatë.  

Dëshmia e Dhori Kules

 Aktualisht, jam dekan i Fakultetit të Ekonomisë. Kam qenë Rektor i Universitetit të Tiranës për 8 (tetë) vjet, deri në prill të vitit të kaluar, që u bënë zgjedhjet. Në prill të 2016, universitetet publike kanë qenë në proces zgjedhor, sipas Ligjit të “Arsimit të Lartë”. Filluan diku nga marsi procedurat dhe sipas një rregulloreje të miratuar nga Ministria e Arsimit, u bë gjithë procesi i aplikimit, konkurrimit, një proces zgjedhor, që në vlerësimin tim dhe përgjegjësinë që kisha si Rektor i Universitetit të Tiranës, isha i angazhuar edhe si rektor edhe me organet që kishte parashikuar rregullorja për procesin zgjedhor, që të shkonin sa më mirë, sepse jepej njëkohësisht edhe mesazhi për shoqërinë, që zgjedhjet bëhen të mira në Universitet dhe do ishte edhe një model shumë i mirë për zgjedhjet e tjera në atë detyrë që ka Universiteti për të pasqyruar dhe transmetuar mesazhe pozitive mësimdhënieje në çdo fushë për shoqërinë, kishim edhe këtë mision. Shkoi shumë mirë. Procedurat dhe konkurentët në garë, shkonin takonin zgjedhësit, pedagogët.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, Gazeta Si, 17 shkurt 2020

Një nga konkurrentët për rektor ishte Mynyr Koni. Unë kam qenë në krahun mbështetës të Mynyrit në këtë garë dhe e kishim lënë, duhet të kenë qenë ditët e fundit, sepse ai shkonte nëpër fakultete, unë shkoja tek “Fakulteti i Ekonomisë”, sepse isha në garë për dekan dhe njëkohësisht merrja informacion se si shkonte procesi zgjedhor. Një ditë, mund të ishin ditët e fundit që do të bëhej procedura e takimit në “Fakultetin e Ekonomisë” për Mynyr Konin me pedagogët e fakultetit, atë ditë e kisha lënë edhe unë që do të shkoja te “Fakulteti i Ekonomisë” dhe i thashë do shkojmë bashkë. Do e bënte prezantimin ish-dekani Sulo Hadëri. Ditën nuk e mbaj mend, por në orën 11:00, do të shkonim te “Fakulteti i Ekonomisë”. Në darkë, e marr Mynyrin dhe i them “…nesër jemi tek Ekonomiku”, mirë tha, takohemi nesër.

E marr të nesërmen në 08:30, e më thotë “…e kam njoftuar atë të Ekonomikut, nuk shkoj dot, se jam me tension të lartë”. Pyes të fakultetit dhe më thonë se kishin njoftuar stafin e nuk do bëhej takimi sot dhe as unë nuk e bëra, se e kishim lënë që do të shkonim të dy bashkë dhe i shkova në shtëpi Mynyrit. I shkova në shtëpi, e gjeta të tronditur. Më tha se, mbrëmë në darkë i kishte ndodhur një ngjarje. Tha në darkë për te shtëpia, e kishin thirrur nga një makinë e ishte futur mbrapa në makinë dhe i kishin thënë se, duhej të tërhiqej nga gara, në formë ultimative dhe e pashë që, ishte i tronditur. Edhe unë u shqetësova për situatën. E pyeta nëse kishte marrë vesh kush ishte dhe më tha se, nuk e dinte se kush ishte, por ishte një makinë tip Benz dhe i kishin thënë të largohej nga gara.

Nga shtëpia e Mynyrit, shkoj në zyrë. Nga zyra, rreth drekës isha te Hotel “Sheraton”-i me dy miq. Kur po zbrisnim nga Hotel “Sheraton”-i me dy miqtë e mi, Vladimir Ibro dhe Arben Caka, sapo del tek rruga e “Sheraton”-it, ndaluan me shpejtësi, me sa më kujtohet, duhet të ishin dy apo tre makina, me një shpejtësi të madhe, zbritën disa djem dhe më thanë “Hajde pak këtu!”. Shkoj te makina që ishte në mes, u hap një xham dhe një person më tha “Mos e pengo Mynyr Konin që të japë dorëheqjen!”. M’u duk edhe pak për të qeshur dhe i thashë “Po pse more, është edhe burrë i mirë?.“Kaq po të them!” tha dhe iku makina drejt stadiumit “Qemal Stafa”, u kthye dhe u larguan. Kaq ishte momenti i atyshëm.

Në darkë pastaj, shkova prapë tek shtëpia e Mynyrit dhe i them se problemi është që duhet të njoftojmë Kryeministrin, por ai është në Amerikë, se ishte në Amerikë atëhere, sepse procesi do kishte refleksion problematik të madh dhe unë, me përgjegjësinë e ish-Rektorit, e kisha detyrimin që të sigurojë zgjedhje të rregullta.

...Pastaj, të nesërmen duhet të ketë qenë, më njoftuan nga Komisioni i Zgjedhjeve të Universitetit, që Mynyri ka dhënë dorëheqjen, kishte dorëzuar dorëheqjen në Komision. U thashë njoftoni kryetaren, mos bëni veprime derisa të bëhen procedurat, njoftoni Ministrinë e Arsimit e pas asaj u bënë njoftimet përkatëse. Jam lidhur, me sa mbaj mend, me Ministren e Arsimit, kemi bërë një takim. Ajo u lidh me ish-ministrin e Brendshëm. Jemi takuar diku aty tek Gjykata Kushtetuese edhe me disa drejtues te policisë, e që andej shkuam tek Ministria e Brendshme, që në atë kohë ishte te “Garda”.

U ulëm me ish-ministrin Tahiri, që dërgoi për të thirrur Mynyr Konin. Shkoi kancelari i Universitetit bashkë me drejtues të policisë, nga shtëpia e morën dhe e sollën. Ish-ministri i tha: “Rri i qetë, se janë marrë të gjitha masat, mos u tërhiq nga gara!”. Dakort tha nëse, ju më mbështesni që të vazhdoj garën ...u rikthye në garë, u njoftua Komisioni i Zgjedhjeve dhe vazhdoi procesi e pas 2-3 ditësh u bënë zgjedhjet. Kjo ishte ngjarja që unë kujtoj dhe që e kam shpjeguar edhe kur jam thirrur në Prokurori.

...Numri i telefonit që kam patur në atë kohë, ka qenë 067 20 49 122. Në darkë kam marrë një mesazh, kur kam qenë atë ditë tek shtëpia e Mynyrit, rreth orës 11 (njëmbëdhjetë) të darkës, kam dalë për të marrë makinën, që e kisha lënë tek “Shkencat e Natyrës”, dhe më përcolli Mynyri deri tek oborri i “Shkencave” dhe në kohën që po ecja, më erdhi një mesazh nga një numër, që e kam bërë prezent në deklarimin e bërë në prokurori. Nëpërmjet një numri të panjohur, i kanë ardhur dy herë mesazhe, një herë pa fjalë dhe një herë ishte një mesazh, që me sa mbaj mend, e kërcënonte që të mos mbështeste Mynyr Konin, nuk  mban mend në detaje, por duke e sharë.

...Si mjete nuk e mbaj mend, nëse ishin 2 ose 3 makina. Duhet të ishin tip fuoristradash, me sa mbaj mend, në ngjyrë të zezë e të bardhë, por ishte një kohë aq e shpejtë, saqë nuk fiksova dot targa. Eca para dhe për momentin nuk e mora si kërcënim, pasi ishte edhe para se t’i vinte mesazhi, e vetmja fjali që m’u tha ishte: “Mos pengo dorëheqjen e Mynyr Konit!”. Pastaj makinat ikën menjëherë.

...Në takimet, që kam bërë me drejtuesit, si të Ministrisë së Arsimit dhe të Policisë, nëse kam njohur personat që e kërcënuan, me sa më kujtohet, nuk di të kem përmendur emra konkretë, sepse nuk njihja persona konkretë. Ne kemi folur për rëndësinë e procesit, ata u angazhuan, shkuam te ish-ministri i Brendshëm te “Garda” dhe unë u gëzova, që u morën masat për t’a tërhequr dorëheqjen Mynyr Koni e për të vazhduar garën.

...Ishin 2-3 makina, ku nga njëra u hap një xham dhe një person më foli. Distanca ishte e afërt dhe koha shumë e shkurtër, sa u ul xhami, tha këto fjalë dhe iku. Të dy personat me të cilët isha shoqëruar ata ngelen prapa. ...Fillimisht distanca nga mjeti që më thirri ishte rreth 3-4 metra, në momentin që u afruan u ul xhami dhe u thanë ato fjalë.

...Në lidhje me karakteristikat e personave, koha ishte shumë e shkurtër dhe nuk fiksova dot. Di, që ata djemtë që dolën, ishin djem 25-30 vjecar. Në fakt, m’u duk si një formë shakaje për të qenë i sinqertë, se në atë kohë, unë kisha filluar një marrëveshje me Akademinë e Policisë dhe mendova se, mos bëhej ndonjë tip shfaqjeje. Zbritën me shpejtësi, ishte shumë e shpejtë dhe nuk e lidha perceptimin tim dhe vetëm kur m’u tha “Mos e pengo dorëheqjen e Mynyr Konit!”, atëherë mendova qenka problem për zgjedhjet. Ikën makinat drejt stadiumit “Qemal Stafa”, u rikthyen prapë.

...Unë të pandehurin Emiliano Shullazi, e kam parë shpesh në televizor tani, nuk mund të them që ka qenë personi që kam parë në makinë. Ka qenë kohë aq e shkurtër, sa nuk e identifikoja dot se kush ishte personi.

...Unë e kam thënë edhe në dëshmi, thërrita prof.Shezai Rrokajn kur shkova në zyrë, i thashë për shqetësimin. Me emra nuk përmendëm, se në momentin që na e zgjidhi ndërhyrja e policisë dhe ish-Ministrit të Brendshëm situatën, që na siguruan, Mynyr Koni e tërhoqi dorëheqjen dhe ne vazhduam normalisht pastaj.

...Mynyri nuk më tha që e pa personin, më tha isha në pjesën e mbrapme të makinës dhe një person përpara, të cilit nuk ia pashë fytyrën, më tha “Jep dorëheqjen!”. I thashë, e ke parë në fytyrë, të tha emër? Jo, nuk kam fiksuar asgjë tha. ...Ne e morëm vesh nga televizioni emrin dhe më pas emri u bë pjesë e publikut. ...unë vetë, nuk kam patur dhe nuk mbaj mend të kem përmendur emra dhe nuk kam njohur kënd nga personat. Më pas, pastaj, u bë objekt publik kjo. Por ne na qetësoi fakti, që u rivendos situata, Mynyri u rikthye, u bënë zgjedhjet korrekte.

Dëshmia e rektorit Mynyr Koni

Më 14 prill 2016, ushtroja detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ishte periudha, në të cilën në Universitetin e Tiranës ishte shpallur procesi zgjedhor dhe isha njëkohësisht kandidat për Rektor i Universitetit të Tiranës. Në këtë datë, duke shkuar për në shtëpi, pasi jam larguar nga Fakulteti, në ritualin tim të përditshëm, pas orës 8 (tetë) të mbrëmjes, pra, ora 20-20:30, duke shkuar për në shtëpi, rrugës, sa kaloj lokalin “Tre shefat”, më ndal një makinë anash. Unë isha në trotuar duke ecur dhe thërritem në emër “Mynyr, hajde pak në makinë!”. Instiktivisht, jam futur në makinë. Brenda në makinë ka qenë një person mbrapa, ku u futa unë, shoferi dhe një person tjetër përpara. Ishte errësirë e plotë, qoftë nga dritat, qoftë nga makina.

Më është kërkuar që, menjëherë, të nesërmen të paraqes dorëheqjen në kandidimin për rektor. I Kam thënë, në një moment të caktuar “…dakort, bisedojmë nesër”, më është thënë “Jo, në asnjë mënyrë, nuk ka asnjë lloj bisede, duhet të japësh dorëheqjen menjëherë!”. Kjo bisedë nuk ka zgjatur më shumë se 10 sekonda dhe, menjëherë kam dalë jashtë dhe kam ikur në shtëpi, natyrisht i tronditur. Duke shkuar për në shtëpi, vetëm koha e distancës, pasi distanca nga shtëpia ime me këtë vend që thashë është shumë e shkurtër, absolutisht nuk kam bërë asnjë lloj bisede. Kam qenë i ngarkuar, i shqetësuar, me familjen time dhe asgjë më tepër.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Gazeta Si, 17 shkurt 2020

Pastaj, të nesërmen kam ndërprerë të gjithë aktivitetin tim elektoral. Njoftova stafin tim elektoral, kancelarin e fakultetit, që të komunikonte me “Fakultetin e Ekonomisë”, ku kisha planifikuar për të vijuar fushatën time elektorale, për arsye shëndetësore. Më pas, paradite ka ardhur dhe kam komunikuar me ish-Rektorin, të cilit kur fola në telefon i thashë kam probleme shëndetësore, ndërsa, pasi erdhi në shtëpi, pasi ai e dinte për problemet e mia shëndetësore, i thashë se, kisha patur një situatë të rëndë, ku jam kërcënuar. Më tha mos u shqetëso se do të regullohen të gjitha. Kaloi edhe dita e Premte, të Shtunën në mëngjes, e vendosa dhe paraqita, në orën 11:00, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dorëheqjen time si kandidat për Rektor. Më pas, sapo kam dorëzuar dorëheqjen, kam mbyllur menjëherë telefonin, për shkak se stafi elektoral e njerëzit, ishin të shqetësuar nga ky difekt 48-orësh i ndërprerjes së fushatës sime elektorale.

Më pas, në shtëpi, rreth orës një e gjysëm- dy pa njëzet, dicka e tillë, më ka ardhur Kancelari i Universitetit të Tiranës, bashkë me Drejtorin e asaj kohe të Policisë së Tiranës dhe më kanë thënë se, kërkonte të më takonte Ministri I Brendshëm i asaj kohe, z.Saimir Tahiri. Sapo jam bërë gati, bashkë me ata dy zotërinjtë, kam shkuar tek Garda, ku ndodhej ministria në atë kohë dhe atje, në një tendë jashtë tek Garda, prezent ka qenë ministri i Brendshëm, ministrja e Arsimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Rektori i kohës, profesor Kule. Në atë moment, më kanë pyetur. Koha që kam qëndruar aty ka qenë shumë e shkurtër, 5-10 minuta, nuk e mbaj mend.

Më pyetën nëse kisha ndonjë lloj indicie nga kush, e u thashë se, nuk kisha asnjë lloj indicie, asnjë lloj identifikimi, thjeshtë më ka ndodhur ky fenomen dhe unë vendosa të jap dorëehqjen. Ministri i Brendshëm më garantoi mbështetjen dhe më kërkoi të vazhdoja garën. Dakort thashë, do vazhdoj garën. Në atë moment, përgatita një deklaratë, që ia përcolla stafit elektoral, për rifutjen në garë për rektor i Universitetit të Tiranës. ...Në momentin e ngjarjes kam qenë vetëm. Më përpara, sapo kam dalë nga Fakulteti, kam qenë me ish-kancelarin e “Fakultetit të Shkencave të Natyrës”, z. Besnik Goxhaj, me të cilin jemi ndarë gati 50-100 metra përpara, pasi e ka shtëpinë gati tek lokali që sapo përmenda.

...Emrat e personave që më këcënuan janë bërë publik në media. Pasi u largova nga takimi e ika në shtëpi, janë bërë publik në media të ndryshme ...madje tamam, unë atë natë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut jam thërritur dhe kam dhënë dëshmi. Dhe aty, duke pritur e duke dhënë dëshminë, kam parë në portale të ndryshme, që qarkullonin të tillë emra. ...

...Kërkesa ndaj meje u bë ultimative “Do të japësh urgjentisht nesër, dorëheqjen nga kandidimi për rektor!”. Sigurisht, duke qenë në situatë të tillë elektorale, unë e vlerësova këtë situatë dhe menjëherë, ndërpreva të gjithë aktivitetin tim, i shqetësuar nga ky kërcënim.”

...Ajo ditë, siç do ditë e asaj fushate, ka qenë shumë e lodhshme. Por, në atë ditë, unë vija nga një aktivitet elektoral nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ku, kisha takim me stafin akademik dhe me studentët, në orare të ndryshme dhe atje ndjeva tensione, sidomos në organizimin e studentëve. Kjo sigurisht, m’u pasqyrua mua në një shqetësim timin të brendshëm të fushatës elektorale dhe pastaj, duke qenë në një situatë të caktuar, që nga dita në ditë po afroheshin, unë e vlerësova këtë situatë, si një kërcënim serioz për mua për këtë pozicion që unë po aspiroja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë