Ngjarje

Nuk i del inati, rreh gruan pse i tregoi policisë. Pas dhunës, efektivët e gjejnë në gjumë

Mbahen fushata. Jepen apele. Publikohen numra falas për të denoncuar. Madje ka edhe një muaj gjatë të cilit mbahen fushata ndërgjegjësuese. Por gjithsesi dhuna në familje nuk ndalet, madje edhe atëherë kur gratë marrin urdhërmbrojtjeje, por që për shkaqe ekonomike nuk largohen nga dhunuesi. Sikurse edhe rasti i raportuar gjatë javës nga Gazeta Si, i njëjtë është edhe fati i një gruaje, e cila shkoi me duart të thyera në spital, dhe kur mjekët njoftuan me urgjencë policinë, një efektiv shkoi në shtëpinë e çiftit dhe siç ai raportoi në procesverbal e gjeti të zotin e shtëpisë duke fjetur gjumë. Përpara se ky sulm të ndodhte ndaj nënës së dy fëmijëve, sipas dosjes që gazeta Si disponon dhe që vazhdon të jetë nën hetim gruaja me inicialet Sh. T. kishte marrë disa herë urdhërmbrojtjeje për shkak të dhunës së vazhdueshme nga partneri. Por në vend që dhuna të ndalej, ajo u rëndua akoma më shumë, deri ditën kur dhunuesi u kthye në shtëpi dhe filloi ta godasë befas duke e pyetur “përse më denoncove në polici?”

Prej 16 vitesh jam e martuar, - pohon gruaja, - kam dy fëmijë 12 dhe 13 vjeç. Për shkak të dhunës së vazhdueshme u paraqita në komisariat dhe mora urdhërmbrojtjeje, nuk bëra kallëzim ndaj tij. Edhe pas këtij momenti dhuna vazhdoi më keq, por nuk u paraqita më në polici deri ditën kur më theu dorën, - kujton në polici e dhunuara, që pasi u mjekua në Spitalin e  Traumës kjo deklaratë ju mor në krevatin ku ajo u shtrua.

Gruaja e dhunuar

Sipas përshkrimit të saj, bashkëshorti me inicialet S. T i dyshuar për dhunë në familje, sapo kishte hyrë në shtëpi gjatë sulmit të fundit kishte kërkuar llogari se përse ajo i ishte drejtuar policisë dhe përse nuk kishte heshtur. Gruaja rrëfen se “u godita me grushte në kokë, më shtyu me forcë, më përplasi në dysheme. Aty theva krahun e majtë”.

Në aktin mjeko-ligjor të administruar në dosjen e prokurorisë përmenden edhe plagët e gruas si shenja dhune në kokë e fytyrë dhe dalje e kockës në bërrylin e majtë. Burri i dhunshëm po hetohet nga prokuroria ndonëse ai pretendon se nuk e ka goditur, por thjesht e ka shtyrë pasi kur ishte kthyer në shtëpi ajo i kishte bërtitur. Si alibi burri i dhunshëm përdor faktin që policia e gjeti duke pushuar dhe në gjendje të përgjumur. Siç rezulton në procesverbal, pasi gruaja u largua në spital për t’u mjekuar në derë të shtëpisë i kishte trokitur inspektori i zonës, që i kishte kërkuar të shkonte me të në komisariat pasi kishte rrahur partneren aq keq sa rrezikon të vendoset nën akuzë veç shkeljes së urdhrit të gjykatës edhe për plagosje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë