Analize

Nuk është vetëm çështje tarifash

Mentor Kasa - Pedagogu Arlind Qori, akuzuar majtas e djathtas për rolin e tij si anëtar i lëvizjes “Për Universitetin” në protestën e studentëve, që këtë të martë hyri në ditën e 7-të para Ministrisë së Arsimit, kur u pyet në emisionin “Opinion” nëse plotësimi i të gjitha kërkesave nga ana e Qeverisë do t’i jepte fund revoltës studentore, u përgjigj shkurtimisht: “Nuk e di!”

Protesta vërtet pati që në fillim mbështetjen e Lëvizjes “Për Universitetin”, por nëse do të flisnim me termat politike të vetë kësaj lëvizjeje, pushteti në këtë protestë është horizontal. Pra, pushtetin e kanë studentët protestues, që të gjithë bashkë.   

Përpjekjet për ta “privatizuar” nuk kanë munguar, por ato janë thyer njëra pas tjetrës përballë zërit të shumicës mosbesuese me sloganin “Jo negociata!”, si kundërshtim i zgjedhjes së çfarëdo përfaqësie për të negociuar me Qeverinë. Për më tepër, jo të gjithë bien dakord me kërkesat e bëra publike deri më tani.

Për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi i lartë në vend fajësojnë të gjithë klasën politike, jo vetëm qeverinë aktuale, por shumë prej tyre kur i pyet nëse do të ndalin protestën nëse Qeveria miraton 8 kërkesat e tyre, nuk kanë një përgjigje të prerë. “Të shohim plotësimin e kërkesave të zezë mbi të bardhë, pastaj vendosim”, thonë një grup studentësh të Shkencave të Natyrës.

“Folëm për tarifat, por ne harrojmë një tjetër element të rëndësishëm. Harrojmë vlerën e diplomës. Ja përfunduam, po pastaj çfarë ndodh? Diplomat nuk na njihen jashtë, ndërsa në Shqipëri askush nuk pyet për to”, thotë një student i vitit të dytë të Fakultetit Ekonomik.

Një prej pikave më të forta të kësaj proteste, veç masivitetit të saj, janë edhe pankartat dhe sloganet e hedhura aty. Është brezi i rrjeteve sociale, brezi i memeve pikante dhe të qëndisura bukur fort, ku në një pjesë të mirë e tyre shënjestrojnë arrogancën dhe shurdhërinë e Qeverisë përballë halleve, jo vetëm të studentëve.

Sot memet kanë dalë nga ekranet e telefonave dhe të kompjuterave dhe kanë vërshruar në “Rrugën e Durrësit”, por ato janë shumë më të vjetra se kjo protestë. Ka muaj e vite që në dhjetra faqe satirike në Facebook e Instagram, të administruara kryesisht nga të rinjtë, qarkullon ironia therëse e kundërshtuese për çdo vendim a qëndrim të politikës, që nga të rinjtë konsiderohet i padrejtë.

Janë të njohura memet që shpërthyen pas protestës së banorëve të Zharrëzës në Fier, ato kundër traut të vendosur në Rrugën e Kombit dhe të fundit për koston 40 milionë euroshe të ndërtimit të 2.2 kilometrave rrugë të Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike tek Sheshi "Shqiponja".

Të gjitha këto arsye dhe për shkak të mungesës së një organizatori, drejtuesi apo grupi organizator e drejtues, kjo protestë studentore bëhet më e paparashikueshme se çdo protestë tjetër që ka parë Shqipëria në historinë e trazuar të 28 viteve të fundit.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2079968225392895/

Kryeministri Edi Rama duhet të jetë vënë në dijeni të këtij detaji dhe të martën kërkoi me ngulm përmes një ftese të hapur në Facebook që të dialogonte me studentët. Propozoi ndër të tjera edhe sallën e Kuvendit, pikërisht aty ku u votua me forcën e kartonëve ligji i ri i arsimit të lartë, që studentët sot po e kundërshtojnë. Kryeministri bie parimisht dakord me të gjitha kërkesat e e studentëve dhe në përpjekje për t’i ulur ata në tryezë thotë se vetë ka më shumë se 8 kërkesa për të zgjidhur problematikat e arsimit të lartë.

“Vazhdojeni protestën sa të doni, por ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Ju e dini vetë, por unë jam me ju, jo me Ariun dhe Ariun s'e keni në qeveri, por brenda e rrotull jush”, shkruan ndër të tjera kreu i Qeverisë.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10156302357836523

Nëse në rrjetet sociale Kryeministri shfaqet liberal për të mos penguar protestën studentore, në terren provat janë krejt të kundërta. Dhe, bllokime ka pasur!

Shërbimi ndërqytetas i transportit nga Kamza dhe Instituti i Kamzës për në Tiranë u ndaluan nga policia që të kryejnë linjën e zakonshme dhe u kthyen tek Sheshi "Shqiponja". Zyrtarisht policia tha për Gazetën “Si” se ishte detyruar të ndërmarrë këtë masë për të shmangur bllokimin e trafikut, por për studentët e Universitetit Bujqësor arsyeja ishte tjetër.

Ata thonë se autobusët nuk u lejuan të hynin në Tiranë për të ndaluar pjesëmarrjen e tyre në protestën masive të thirrur para Ministrisë së Arsimit. Kjo masë nuk dha efekt, pasi studentët e UBT-së vazhduan në këmbë dhe mbërritën në protestë, edhe pse rreth 2 orë pasi ajo kishte nisur.

Pjesëmarrje në këtë protestë kishin paralajmëruar edhe studentët Universitetit të Elbasanit. Mbi 300 prej tyre iu drejtuan stacionit të autobusëve të linjës rreth orës 09:00 për të udhëtuar drejt Tiranës. Por, në stacion nuk gjetën asnjë autobus.

Njëri prej studentëve të këtij universiteti tha për Gazetën “Si” se u ishin drejtuar sporteleve të kompanisë “Era Travel” për t’u interesuar se kur mbërrinin autobusët, por nuk kishin marrë përgjigje.

“Kishim numrat e disa shoferëve dhe i morëm në telefon. Ata që na u përgjigjën thanë se me urdhër nga pronarët nuk do të udhëtojnë drejt Tiranës deri në një vendim të dytë. Ne dyshojmë se pronarët janë kërcënuar nga policia”, tha ai, në kushte anonimati.

Studentët kërkuan ndihmën e qytetarëve dhe bënë thirrje përmes rrjeteve sociale që t’i ndihmonin me transportin për t’iu bashkuar bashkëmoshatarëve të tyre në Tiranë dhe një pjesë e tyre edhe pse të paorganizuar ashtu siç do të dëshironin, ia dolën mbanë që të mbërrinin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë