Lojëra me Dore

Novak Gjokoviç ‘mbret’ në Romë, Shviatek kampione te femrat

Gazeta Si - Novak Gjokoviç fiton trofeun e 6-të personal në Romë. Numri 1 në botë dominoi finalen ndaj Tsitsipas, rrezikoi një moment, por ia doli të mbyllte gjithçka në dy sete. Iga Shviatek është shpallur kampione te femrat.

Nëse dikush kishte dyshime për rikthimin e Gjokoviçit, me atë që ka parë në Romë, i ka hequr ato. Serbi është shfaqur sërish në formën më të mirë, si një ‘kanibal’. Ai kaloi grekun Stefanos Tsitsipas në finale.

Tsitsipas ishte hije e vetvetes për një set, tentoi përmbysjen në të dytin, por nuk arriti ta përballonte fuqinë e serbit. Gjokoviç e mbylli finalen 6-0, 7-6 dhe me fitoren në Romë është ngjitur në kuotën 38 të Masters 1000 në karrierë. Natyrisht, një rekord.

Për ‘Nolen’ është trofeu i 6-të që fiton në Romë. Ai ka thyer edhe rekordin e Rafael Nadalit, atë të kampionit më të vjetër në moshë, 34 vjeç, 11 muaj e 23 ditë.

Seti i parë i finales, që zgjati gjysmë ore, nuk pati shumë histori, e tregon rezultati. Në të dytin Gjokoviç rrezikoi jo pak. Serbi ra pak në lojë, në një moment u bë nervoz dhe nuk u kursye as ndaj publikut, që kërkonte më shumë rivalitet.

Tsitisipas bëri të gjitha përpjekjet për ta çuar ndeshjen në setin e tretë, por numri 1 në botë bëri një sforco dhe triumfoi 2-0.

Iga Shviatek, pas fitores në Romë. Gazeta Si, 16 maj 2022

Në finalen e femrave në Romë, Iga Shviatek ka mundur pa shumë vështirësi tunizianen Ons Jabeur. Polakja bën kështu bis në këtë turne, pasi ajo ka fituar edhe edicionin e kaluar.

Ishte një demonstrim i jashtëzakonshëm force nga Shviatek. Ajo triumfoi me rezultatin 6-2, 6-2, duke mos i dhënë asnjë shans Jabeur. Për numrin 1 në botë është fitorja e 28-të radhazi, një rezultat që certifikon kualitetin e tenistes që tani për tani nuk ka rivale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë