Lojëra me Dore

Novak Djokovic, kur numrat zgjedhin një legjendë

Askush nuk kishte fituar më parë 7 herë në “Australia Open”. Në formë të shkëlqyer, më i fortë se Nadal dhe Federer, Novak Djokovic është tenisti i parë në histori që fiton 3 herë radhazi të paktën 3 turne. Është pak të përkufizosh perfekte paraqitjen e një kampioni që shfaqet në një nivel të lartë dhe që nuk do ta kuptojmë kurrë deri ku është limiti i tij. Duhej të ishte një finale hyjnore ajo e “Australia Open”, për shembull si e vitit 2012, që zgjati 5 orë e 53 minuta, me 5 sete që nuk përfundonin kurrë, por hyjnor ishte vetëm Novak Djokovic, ndërsa Rafael Nadal nuk mund të krahasohet me të.

Djokovic luajti gjatë gjithë finales me 100% të mundësive të tij, kurse Nadal nuk shkoi më shumë se 65-70%. Rezultati flet qartë: 3-0. E vështirë të gjesh në 20 vitet e fundit një finale me një dominim total të njërit tenist, sidomos në fushat e shpejta, pa nënvlerësuar sukseset e lehta të Nadalit në “Roland Garros” (6-1, 6-3 6-0 ndaj Federer në 2008-ën, 6-2, 6-2 dhe 6-3 ndaj Ferrer në 2013-ën dhe 6-2, 6-3, 6-1 ndaj Wawrinka në 2017-ën). Një finale, që ka kthyer në memorie fitoren 6-1, 6-3, 6-2 të Hewitt ndaj Nalbandian në “Wimbledon 2002”, fitoren 6-0, 7-6, 6-0 të Federer ndaj Hewitt në “Flushing Meadows 2004” dhe fitoren 7-6, 6-1, 6-1 të Hewitt ndaj Sampras në “US Open 2001”.

Nodak Djokovic gjatë finales së "Australia Open"

Por asnjë nga tenistët që i kanë humbur këto finale nuk kishte arritur në sfidën vendimtare në formë të shkëlqyer si Nadal i dy javëve të fundit. Kjo e bën edhe më domethënëse fitoren e “Noles”, i cili shfrytëzoi maksimalisht potencialin e tij dhe dukej i pathyeshëm. Nëse është e pamundur të krahasosh kampionë të epokave të ndryshme, është e mundur të bësh një bilanc të lojtarëve të mëdhenj që janë përballur mes tyre 138 herë: 53 herë Djokovic-Nadal (28-25), 47 herë Djokovic-Federer (25-22) dhe 38 herë Nadal-Federer (23-15). Në këto sfida, Djokovic ka dalë 53 herë fitimtar, Nadal 48 herë dhe Federer 37 herë. Pra, është e qartë: Djokovic është superior ndaj Nadal dhe Federer edhe kur dy të fundit janë në maksimumin e tyre. Për skemat e lojës në 138 ndeshje, Djokovic është ai që ka më shumë zgjidhje për të marrë pikët.

Djokovic dhe Nadal në finalen e "Australia Open"

Le të analizojmë rekordet e jashtëzakonshme të tenistit serb pas trofeut të fundit. Novak Djokovic është i pari në histori që fiton 3 herë të paktën 3 turne radhazi: tripleta e parë e tij është nga “Wimbledon 2011” tek “Australian Open 2012”, më pas pokeri nga “Wimbledon 2015” te “Roland Garros 2016” dhe së fundi tripleta nga “Wimbledon 2018” tek “Australian Open 2019”. Janë ndalur me dy tripleta ose poker Rod Laver (poker në 1962, poker në 1969), Roger Federer (2005-06 dhe 2006-07), si dhe Don Budge, i cili në 1937-1938 ka fituar 6 turne radhazi dhe mund të konsiderohen dy tripleta. Tripleta edhe për Jack Crawford në vitin 1933, Tony Trabert në 1955-ën, Lew Hoad në 1956-ën, Roy Emerson në 1964-65, Pete Sampras në 1993-94 dhe Rafael Nadal në 2010.

7 herë - Novak Djokovic është edhe tenisti i parë në histori që fiton 7 herë “Australia Open”. Më 27 janar 2008 mundi 4-6, 6-4, 6-3 dhe 7-6 Jo-Wilfried Tsonga, më 30 janar 2011 mundi 6-4, 6-2 dhe 6-3 Andy Murray, më 29 janar 2012 mundi 5-7, 6-4, 6-2, 6-7 dhe 7-5 Rafael Nadal, më 27 janar 2013 mundi 6-7, 7-6, 6-3 dhe 6-2 Andy Murray, më 1 shkurt 2015 mundi sërish Andy Murray 7-6, 6-7, 6-3 dhe 6-0, më 31 janar 2016 përsëri Andy Murray 6-1, 7-5 dhe 7-6, dhe së fundi mposhti 6-3, 6-2 dhe 6-3 Rafael Nadal. Me 6 suksese në Australi janë Roy Emerson dhe Roger Federer.

Novak Djokovic me trofeun e fundit

Novak Djokovic, me 15 tituj (7 Australia Open, 1 Roland Garros, 4 Wimbledon dhe 3 US Open), ka kaluar Pete Sampras me 14 tituj. Tani synon të kalojë Rafael Nadal, me 17 tituj, dhe Roger Federer me 20 tituj. Për numrin e finaleve, 24 të tilla, Novak Djokovic është i treti në histori, pas Nadal me 25 dhe Federer me 30. Rafael Nadal në të kaluarën nuk kishte humbur kurrë një finale me 3 sete. Spanjolli nuk humbiste në një ndeshje me 3 sete që nga çerekfinalja e “Roland Garros 2015”, kur Djokovic e mposhti 7-5, 6-3 dhe 6-1. Nadal nuk fitonte më shumë se 8 gejme në një ndeshje me 3 sete që në vitin 2015, kur mundej nga Tomas Berdych 6-2, 6-0 dhe 7-6 në Australi.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë