Shendet

Noti në ujë të ftohtë ul rrezikun e demencës

Sipas studimeve të fundit, noti në ujë të ftohtë mund të ndihmojë për të shmangur sëmundjet neuro-degjenerative si çmenduria.
Studieuesit në Universitetin e Kembrixhit zbuluan se shumë prej notarëve që u monitoruan në pishinat  "Parliament Hill Lido" në Londër mes vitit 2016 dhe 2018 kishin rritur nivelet e një proteine (RBM3), e cila ofron mbrojtje ndaj demencias, e vërtetuar nga një studim i vitit 2015 mbi minjtë.
Megjithëse kërkimi është ende në një fazë të hershme, shpresohet se mund të ndihmojë në trajtimin e demencës në të ardhmen.
Giovanna Mallucci, studiuesja kryesore tha se sfidat e radhës është të provohet edhe tek njerzit se kjo proteinë vonon çmendurinë dhe më pas të gjesh një ilaç që stimulon prodhimin e saj.


Duke folur për zbulimet e fundit, Mallucci, e cila është drejtoresha e Qendrës së Kërkimit të Mbretërisë së Bashkuar në Institutin e Kërkimit në Universitetin e Kembrixhit, tha se ekipi i saj krahasoi notarët me ujë të ftohtë me njerëzit që bënin Tai Chi (një terapi me anë të ushtrimeve dhe meditimit).

"Ne krahasuam me një grup njerëzish që bënin Tai Chi dhe askush prej tyre nuk mori nivele të larta të kësaj proteine, por shumë prej notarëve e kishin.
Kjo na tregon se i ftohti e indukton këtë proteinë tek njerëzit," u tha Mallucci notarëve.
Mallucci shtoi se nëse kjo proteinë ngadalëson progresin e demencës edhe për disa vjet në një popullsi të tërë, kjo do të kishte një ndikim të madh ekonomikisht dhe shëndetësor. Numri i njerëzve me sëmundjet e demencias pritet të kalojë një milion deri në vitin 2025.
Burimi: CNN/ Përktheu: Gazeta: "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë