Bota

Norvegjia e gatshme të negociojë me Europën për të zgjidhur krizën e energjisë

Norvegjia dhe prodhuesit e saj të gazit janë të gatshëm të negociojnë me Bashkimin Europian për të zgjidhur krizën energjetike të kontinentit.

“Ne nuk po mbyllim asnjë derë për asnjë lloj dialogu apo kontakti”, u tha gazetarëve në Oslo kryeministri Jonas Gahr Store.

 “Nuk është në interesin e Norvegjisë që të kemi rritje të jashtëzakonshme të çmimit të gazit. Ne jemi gati të dëgjojmë kompanitë dhe të shohim çfarëdo roli që mund të luajmë.”

Norvegjia dhe BE-ja kanë nisur një grup pune për të zhvilluar mënyra për të menaxhuar mungesën e gazit natyror në Europë. 

Store u takua këtë mëngjes(16 shtator) me drejtuesit nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit të vendit të tij, duke përfshirë Equinor ASA , Aker BP ASA dhe Var Energi ASA.

“Ajo për të cilën kompanitë shqetësohen më shumë është çështja e kontratave afatgjata dhe si t’i trajtojnë ato në një mënyrë të mirë,” tha Ministrja e Energjisë Terje Aasland në të njëjtën ngjarje. “Çështja bëhet për garancitë dhe menaxhimin e rrezikut për të trajtuar rrezikun që është në treg.”

Oyvind Eriksen, drejtor ekzekutiv i Aker ASA , kompania mëmë e Aker BP, tha se kompania është e hapur për kontrata afatgjata me palët e duhura. 

“Në nivelet e sotme të çmimeve ka shumë rrezik për shumicën e kompanive private,” tha Eriksen. “Pra, është pjesërisht një çështje e mekanizmit të çmimeve dhe pjesërisht një çështje se si shteti dhe kompanitë mund të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë situatë shumë, shumë serioze.”

Duke folur me gazetarët, shefja financiare e Equinor, Ulrica Fearn u kërkoi udhëheqësve politikë që të mos largohen nga tregu i lirë përgjithmonë. 

Veprimet afatshkurtra “do të kenë një ndikim në atë treg dhe është shumë, shumë e vështirë të gjykosh se cilat janë pasojat dytësore”.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë