Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Monika Kryemadhit për sekuestrimin e vilës

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e deputetes Monika Kryemadhit dhe ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO dhe Apelit të Posaçëm për sekuestrimin e vilës te Kodra e Diellit.

Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit kishte vendosur të hiqte sekuestron për vilën e nënës së Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e cila ndodhet në të njëjtën rezidencë.

Fillimisht, SPAK kishte kërkuar sekuestrimin e të dy vilave, por Gjykata e Apelit i riktheu pronësinë e vilës Fatime Kryemadhit.

Vendimi për sekuestrimin e vilës së deputetes, u bë me kërkesë të SPAK, në kuadër të hetimit që po zhvillon Prokuroria e Posaçme për ish-çiftin e bashkëshortëve, Meta dhe Kryemadhi.

Vetë Kryemadhi krahas sekuestros, është dhe nën masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, për akuzat e pastrimit të parave, korrupsionit dhe mosdeklarim pasurish. Ndërkohë për të njëjtat akuza ish-presidenti Meta është në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Këto akuza lidhen me skandalet e njohura CEZ dhe DIA, si dhe me aktivitetet e lobimit të LSI-së në SHBA. Për çiftin ka nisur edhe një hetim pasuror nga autoritetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë