Më shumë se 10 vjet pas masakrës së Utoya, në Norvegji, Anders Behring Breivik, vazhdon t’i bëjë të vuajnë të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit e tragjedisë nga burgu i sigurisë maksimale Skien, ku po vuan dënimin me 21 vjet, dënimi më i lartë në vend.
Por si? Duke u dërguar atyre letra që përmbanin fragmente nga manifesti delirant që ai shkroi përpara se të vriste 77 njerëz dhe të plagoste qindra të tjerë më 22 korrik 2011.
Ankesa vjen nga grupi mbështetës i krijuar pas vrasjes dhe u publikua nga “Norwegian Broadcasting Corporation” (NRK).
“Janë akte të vërteta frikësimi, ai dëshiron që ne të dimë se ai është atje dhe se duhet të kemi frikë”, thotë presidentja e shoqatës së viktimave, Lisbeth Røyneland. Letra të ngjashme arritën edhe në Lidhjen e Punëtorëve të Rinj, në seksionin e të rinjve të Partisë së Punës Norvegjeze, anëtarët e së cilës ishin shënjestruar në ishullin Utoya dhe disa deputetë.
“Ishte si të pësoja me grusht në stomak, – tha politikani norvegjez, Torbjorn Vereide, i cili është një nga të mbijetuarit e masakrës, – u ndjeva tmerrësisht në siklet. Ka diçka absurde në marrjen e një letre nga dikush që u përpoq të të vriste”.
Nga viti 2016 e deri më sot, Breivik ka pasur korrespondencë intensive nga burgu: janë dërguar ose marrë rreth 3 mijë letra.
Ka pasur një shqetësim të madh se vrasësi mund të komunikonte me ithtarët e tij të mundshëm, të cilët janë të shumtë në mbarë botën. “Ne e dimë se ka shumë njerëz të gatshëm për të mbështetur idetë e tij, – thotë Røyneland, – për këtë arsye Breivik nuk duhet të lejohet të dërgojë këto materiale”.
Zëvendësdrejtori rajonal i sistemit të burgjeve, Erling Fæste, nuk është shumë dakord: “Unë e kuptoj shqetësimin, por ligji parashikon që të burgosurit mund të shkruajnë dhe të komunikojnë me botën e jashtme, përveç nëse kjo nënkupton kryerjen e krimeve”.
Megjithatë, burgu premton se do të kontaktojë me marrësit e korrespondencës për të mësuar nëse ata duan të vazhdojnë marrjen e letrave. Avokati i Breivik, Øystein Storrvik, argumenton se klienti i tij tashmë i është nënshtruar një “regjimi të rreptë burgu, veçanërisht kur bëhet fjalë për të pasur kontakte me botën e jashtme”.
“Unë nuk mund të imagjinoj një bazë ligjore për të kufizuar më tej këtë të drejtë”. Vereide mendon gjithashtu se liria e shprehjes duhet të respektohet ende: “Edhe nëse një letër si kjo që kam marrë më lëndon, – thotë ai, – ne nuk duhet ta lëmë veten të rrëmbehemi nga emocionaliteti. Thjesht griseni dhe hidheni në plehra”, – tha ai për televizionin kombëtar.
Vidar Strømme, drejtor i Institutit Norvegjez për të Drejtat e Njeriut, pajtohet: “Liria e shprehjes, – thotë ai, – është një parim që nuk mund të vihet në dyshim”.
Më 22 korrik 2011, Anders Behring Breivik realizoi planin e tij terrorist, duke shkaktuar gjithsej 77 viktima dhe qindra të plagosur.
I maskuar si oficer policie, supremacisti i bardhë, fillimisht shpërtheu një eksploziv të fuqishëm brenda një makine pranë ndërtesave qeveritare të Oslos, duke vrarë 8 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Më pas u zhvendos në ishullin e afërt të Utoya-s, ku qëlloi për më shumë se një orë kundër militantëve të rinj të Partisë së Punës norvegjeze, të mbledhur atje për një kampus veror; 69 persona humbën jetën në ishull, rreth gjysma e të cilëve ende nuk ishin maxhorenë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.