Ngjarje

Njohja e patentave, grekët pritet ta votojnë, gjermanët në shkurt

Greqia do të votojë brenda javëve marrëveshjes e firmosur me qeverinë shqiptare për njohjen e patentave. Lajmi për miratimin e kësaj marrëveshje e ka bërë ditur kryeministri Edi Rama me anë të në postimi në rrjetet sociale. “Jemi njoftuar po dje nga qeveria greke se në javët në vijim do të hyjë në procedurën e parlamentit të Greqisë njohja e patentave shqiptare të drejtimit, siç është dakordësuar në tryezën e dialogut mes dy shteteve tona”, shkruan Rama.

Qeveria shqiptare e ka miratuar marrëveshjen e arritur për njohjen e patentave mes dy shteteve Shqipërisë dhe Greqisë, por mos votimi nga pala greke e ka bërë të zbatueshëm këtë marrëveshje. Njohja e patentave shqiptare do të ishte shumë e dobishme për faktin se në Greqi jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm i shtetasve shqiptarë.

Por përveç këtij lajmi, Rama gjithashtu bëri të ditur se edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel ka biseduar në lidhje për miratimin e një marrëveshje të ngjashme edhe me Gjermaninë. Sipas kryeministrit kjo ka ardhur pasi shumë shqiptarë e kanë ngritur një ccështje të tillë. “Meqenëse disa miqve këtu u ka kaluar pa e vënë re përmbledhja e djeshme nga Berlini dhe vijojnë përsërisin kërkesën për njohjen e patentave të drejtimit në Gjermani, ju informoj të gjithëve se e kam biseduar këtë kërkesë, zyrtarisht të kahershme në fakt, por për herë të parë drejtpërdrejtë me kancelaren dje. Dhe në shkurt vjen një mision nga ministria e transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave”, shprehet Rama.

Marrëveshja me Greqinë u firmos nga Bushati

Dy vite më parë nisën bisedimet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë për memorandumin e mirëkuptimit mes dy shteteve. Delegacionet në këto negociata kryesoheshin nga ministrat e Jashtëm të asaj kohe, Ditmir Bushati për palën shqiptare dhe Niko Kotzias për atë greke. Në këto grupe pune ishin parashtruar diskutimet e disa ccështje, ku kryesoja ishte ajo e ndarjes së Zonave Ekskluzive Ekonomike, e njohur ndryshe si ndarje e kufirit detar dhe marrëveshje të tjera ajo varrezave të ushtarëve grekë, toponimeve dhe deri te njohja e patentave. Dy javë më parë, më 15 janar Komisioni i Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek miratoi projektligjin e Ministrisë greke të Infrastrukturës dhe Transportit për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas njoftimit zyrtar të Parlamentit grek deputetët e Komisionit votuan me shumicë votash ratifikimin e marrëveshjes mes të dy vendeve që u paraqit në Komision nga Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Joanis Qefalojanis.

Faksimile e marrëveshjes dy palëshe

Për këtë miratim në komisionet parlamentare, pati edhe një reagim të ish-këshilltarit të ministrit tëJashtëm, Bushati, Glevin Dervishi, i cili gjithashtu ka qenë edhe pjesë e delegacionit të bisedimeve dypalëshe. Ai shprehet se tashmë përmbyllja e ratifikimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të patentave do të shënonte një tjetër arritje dypalëshe nga shporta e çështjeve të së tashmes mes dy vendeve tona si dhe një lehtësi të jashtëzakonshme për komuntetin tonë në Greqi. Ndërsa ka bërë edhe një rezyme të asaj që është arritur deri më tani mes dy shteteve gjatë këtyre dy viteve. “Një proces ky i nisur që në 18.12.2012, por i nënshkruar në 11 maj 2018 në Ministerialin e Sunios mes dy ish Ministrave Bushati - Kotzias dhe që sot është miratuar në Komisionin e Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek. Pas marrëveshjes për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit të realizuar në maj 2014, në 27 shkurt 2018 Republika Greke depozitoi në Hagë heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile nga ana e Shqipërisë për dokumentet që lëshoheshin nga autoritetet shqiptare për përdorim në Greqi. Gjithashtu në prill 2018 arritëm që të realizojmë regjistrimin pranë zyrave tona konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose të dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi në Greqi”, shprehet Dervishi.

Bushati dhe Kotzias duke firmosur marrëveshjen në në Sunio, Greqi, për njohjen e patentave më 11 maj 2018

Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një zhvillim pozitiv, pasi do t’u krijojë lehtësi lëvizjeje dhe komunikimi më të mëdha shtetasve shqiptarë dhe grekë. Marrëveshja do të lehtësojë ndjeshëm jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por dhe atyre që udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.

Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 euro për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues automjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë