Politike

Njoftoi fundin e ‘Ballkanit të Hapur’, Rama tur 48 orësh në 5 shtetet e rajonit, i rikthehet ‘Procesit të Berlinit’

Vetëm pak ditë pasi kryeministri Edi Rama e njoftoi të mbyllur nismën aq shumë të debatueshme të ‘Ballkanit të Hapur’, ai pritet të nisë turin e tij në rajon, por këtë herë në kuadër të procesit të Berlinit.

Nga burimet mësohet se kryeministri Rama do të zhvillojë vizitat e tij në datat 6 dhe 7 korrik në 5 vendet e Ballkanit ku do të takohet me krerët e shteteve.

Mësohet se takimet do të mbahen në kuadër të procesit të Berlinit dhe vizitat do të jenë në Prishtinë, Beograd, Sarajevë, Podgoricë dhe Shkup.

Rama në një deklaratë për mediat të shtunën tha se nisma ‘Open Balkan’ e ka kryer misionin e saj dhe se tashmë vendet e Ballkanit duhet të fokusohen tek Procesi i Berlinit.

“Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën,”  tha Rama.

Ai theksoi se në tetor Shqipëria pret për herë të parë (që kur në 2014-tën Angela Merkel hapi procesin), Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë.

“Është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian”, tha më tej Rama.

Nisma për Ballkanin e Hapur u ndërmor fillimisht në tetor të vitit 2019 mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Udhëheqësit e këtyre tre shteteve Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev ftuan dhe shtete të tjera të Ballkanit, por Kosova refuzoi të ishte e pranishme. Prishtina zyrtare e cilësoi si diçka që krijonte varësi nga Beogradi, duke krijuar një Jugosllavi të re. Kryeministri Albin Kurti ishte më i ashpri në qëndrimet e tij, duke refuzuar kategorikisht uljen në një tryezë me Serbinë.

Mali i Zi mbeti si vëzhgues, njëherë me Ish Presidentin Gjukanoviç e më pas me kryeministrin Abazoviç. Ky i fundit pati protagonizmin më të madh nga liderët e Malit të Zi.

Edhe Bosnja po ashtu mbeti në rolin e vëzhguesit, por me përfaqësim më të ulët se Podgorica në takimit që Rama, Vuçiç e Zaev ( e më pas Kovaçevski) zhvilluan nëpër Ballkan (Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë