Edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, të Zotit jemi… Këto ishin fjalët e kryepeshkopit Anastas përpara se të nisej drejt Athinës për kurim, nga komplikacionet e koronavirusit.
Pa rrezik për jetën dhe nën kontroll sipas stafit mjekësor të spitalit “Evangelismos”, kleriku i lartë e sheh pjesëmarrjen në dhimbjen e përbashkët si dhuratë perëndie.
Pas ditës së parë si i shtruar në spitalin grek, hirësia e tij inkurajonte grigjën e besimtarëve ortodoksë me një varg biblik nga ungjilli sipas Lukës, që thotë “Mos ki frikë, por beso!”.
“Gjatë jetës sime i referohem Perëndisë së surprizave, por edhe Perëndisë së mrekullive. Rrugëtimi ynë në Shqipëri nisi me përshëndetjen “Perëndia është me ne” dhe me përgjigjen në kor “edhe ne me Perëndinë”, që na mbështeti në sigurinë se “Perëndia nuk do të na braktisë””, do të shprehej vetë kryepeshkopi në një mesazh të shpërndarë më pas në rrjetet sociale nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, ndërsa më herët vetë kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë bënte me dije se kishte pasur simptoma të lehta e prej vitesh vuante nga astma.

Një ditë pas shtrimit në spital të kryepeshkopit ortodoks, do të vinte lajmi se edhe imzot Gorge Frendo, arqipeshkëvi i Tiranë- Durrësit dhe president i konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, ishte shtuar në spital, i infektuar me covid-19.
Kisha Katolike e Shqipërisë njoftonte se shtrimi kishte ardhur pas komplikacioneve respiratore
“Ju kërkojmë lutjet tuaja për Imzot Frendon dhe i urojmë atij shërim sa më të shpejtë”, mbyllej njoftimi, ndërsa lutjet për shërimin e dy klerikëve kanë ardhur edhe përtej besimtarëve të krishterë.
“Mësova me shqetësim lajmin e prekjes nga COVID-19 të Anastas Janullatos dhe George Frendos! I lutem Zotit për shëndetin e klerikëve të nderuar të besimit ortodoks dhe katolik! Zoti u dhëntë forcë dhe shërim të shpejtë” shkruante në facebook kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

Pak ditë më parë, u nda nga jeta për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga covid-19, një prej misionareve të para të Kishës Ungjillore në Shqipëri, Najua Diba.
Misionarja braziliane shërbeu për 30 vite në Shqipëri, ndërsa ishte nga të parat që kaloi kufirin e vendit më të izoluar, më 1990-n, pas pesë vitesh ungjillëzim në Kosovë.
“Ne sot mund të ndiejmë trishtim për largimin e saj, por jemi të sigurt që Najua është në krahët e Atit që ajo i shërbeu me besnikëri deri në frymëmarrjen e fundit të saj”, shkruante Vëllazëria Ungjillore Shqiptare, që organizoi një ceremoni lamtumire për misionaren.
Në një mesazh për kishat në Brazil, gjatë muajit prill, misionarja e cila prej 35 vitesh kishte zgjedhur të jetonte në tokën shqiptare thoshte se në këto kohë të vështira “Shpirti ynë duhet të jetë i qetë për të parë atë që zoti do të bëjmë”, shprehej misionarja, ndërsa e shihte pandeminë globale si një thirrje e Zotit për pendesën e mëkateve dhe për të shpallur ungjillin e mbretërisë së tij. “Zgjohuni, pendohuni dhe veproni për lavdinë e Zotit”, inkurajonte misionarja e cila ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare në vendin që e deshi shumë dhe siç thoshte ajo u thirr nga Zoti, në një kohë kur Shqipëria ishte ende e izoluar nën regjimin diktatorial.

Pak ditë më parë edhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej u shtrua në spital, pasi ishte i prekur nga koronavirus.
Kleriku 90 -vjeçar mori pjesë në ceremoninë mortore të peshkopit të Malit të Zi, Amfilohije Radovic, i cili u nda nga jeta për shkak të komplikacioneve të covid-19, në moshën 82-vjeçare.
vajtuesit për vdekjen e klerikut ortodoks u mblodhën në funeral, pa maska dhe madje puthën dorën e tij, megjithëse dihej se kishte vdekur për shkak të virusit të ri e pavarësisht lajmërimit nga autoritetet se ngjarja përbënte rrezik për shëndetin publik. Në ceremoninë mortore merrte pjesë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, megjithëse ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë e mbajti maskën.
Amfilohije, i kishte përshkruar pelegrinazhet si “vaksina e Zotit” dhe nuk mbante maskë.
Edhe Papa Françesku njihet për shmangien e përdorimit të maskës, ndonëse një pjesë e mushkërive të tij është hequr pas një sëmundje që ka kaluar në të ri, duke e bërë kategori të prekshme nga komplikacionet e koronavirusit.
Megjithatë kohët e fundit, zyrtarët e Vatikanit kanë bërë me dije se ai ka nisur ta mbajë maskën. Papa është përballur me kritika, pasi ka refuzuar ta mbajë maskën në veprimtari në mjedise të mbyllura, edhe pse rregullorja e Vatikanit kërkon mbajtjen e maskës në mjedise brenda dhe jashtë, kur nuk garantohet distancimi social.
Pandemia globale e shkaktuar nga koronavirusi i ri i ka përballur besimet fetare me një sfidë të paprecedentë, ku për muaj u ndaluan grumbullimet e besimtarëve. Papa Françesku e mbajti meshën e Pashkëve në prill të këtij viti në bazilikën e zbrazët të Shën Pjetrit, që në kremte të tilla kishte gëluar nga besimtarët që mbërrinin aty nga e gjithë bota.

“Ne nuk do të dorëzohemi, ne nuk vendosim një gur mbi shpresën. Ne mundemi dhe duhet të shpresojmë se Zoti nuk ka lënë të vetëm…”, thoshte Papa Françesku në mesazhin e tij të Pashkës, duke i nxitur besimtarët të mos i dorëzoheshin frikës e të ishin “lajmëtarët e jetës në një kohë të vdekjes”. Është forca e lutjes, thotë Papa, që na bën të shkojmë përpara…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




