Filma

Një zgjua për arritjet e kinematografisë së Kosovës

Me të parin film artistik në karrierën e saj, regjisorja nga Kosova Blerta Basholli  bëri debutimin e madh ndërkombëtar. Çmimin e Madh të Jurisë si filmi më i mirë Dramatik, Regjisorja më e mirë dhe Çmimin e Publikut, në festivalin më të madh të filmit të pavarur në ShBA.

 “Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne”, do të shprehej regjisorja, e cila shkroi vetë edhe skenarin e filmit “Hive”, ose “Zgjoi” në gjuhën shqipe.

Ishte pikërisht historia e Fahrije Hotit, vejushës kosovare, që e frymëzoi për filmin e saj të parë. Atëkohë Blerta studionte Film në Universitetin e Nju Jorkut në ShBA, kur pa në televizor një kronikë kushtuar një gruaje që kishte sfiduar shoqërinë patriarkale në Kosovë dhe e vetme ia kishte dalë të ngrinte një biznes, duke u dhënë shpresë dhe punë grave si ajo, me bashkëshortët të humbur gjatë Luftës.

Regjisorja Blerta Basholli

Erdhi ta takonte personalisht gruan, historia e së cilës i ngacmoi imagjinatën regjisoriale, “dhe kuptova pse doja ta fusja një karakter kaq të fuqishëm dhe energjik në film. Fahrija ishte një ëndërrimtare e vërtetë”.

Pavarësisht thashethemnajës së komunitetit ku jetonte, ajo ia doli të merrte në patentë për drejtim automjeti, u punësua për të siguruar të ardhura për familjen e saj dhe dhimbjen e madhe e konverton në më shumë punë.

Gratë që bën bashkë, në biznesin e saj, mblidhen jo vetëm për të punuar, rrëfen regjisorja, por për të qarë, qeshur e vallëzuar. “Gra si Fahrija kanë shumë sfida dhe doja të rrëfeja nën një perspektivë më të ndritshme, sepse kështu është Fahrija.  Doja  mbushja këtë film me shpresë”, ka rrëfyer ajo.

Fahrije Hoti mbeti e ve në vitin 1998, kur paramilitare serbe pushtuan Prizrenin dhe Rahovecin. Lufta la gati 200 gra të veja, duke e bërë Krushën e Madhe të njihet si fshati i të vejave të luftës.

Yllka Gashi në rolin e Fahrije Hotit, në filmin "Hive"

Duke thyer tabutë e mentalitetit në komunën e saj, Fahrija themeloi së pari shoqatën “Gratë e Veja’ në vitin 2003 për hulumtimin e personave të pagjetur. Më pas nisi biznes vetjake me konservimin e zaireve të dimrit, që në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen “Krusha”.

Sot ka të punësuara 50 gra, pjesa më e madhe të mbetura të veja nga koha e Luftës. Prodhimet e tyre furnizojnë jo vetëm tregun vendas, por kanë nisur eksportin drejt Zvicrës, prej disa vitesh.

Fahrije Hoti e vijoi rrugëtimin e saj nga biznesit drejt politikës.  Më 2008 –n u zgjodh asambleiste në Kuvendin Komunal të Rahovecit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për një mandat katër vjeçar. Por shpejt e la atë, duke iu përkushtuar krejt biznesit.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj,.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Para filmit “Hive”, regjisorja Blerta Basholli ka realizuar nj disa filma dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër, ndër ta “Bardhezi” dhe “Lena dhe unë”.

Duket se kinemaja e Kosovës po sheh jehonë ndërkombëtare, pasi edhe filmi “Exil” i Visar Morinës, i propozuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për çmimet “Oscar” dhe  i pari kandidat nga Kosova për “Golden Globes”, është nominuar gjithashtu katër herë për çmimin gjerman të kritikëve të filmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë