Analize

Një vit mbyllur. Përse BE nuk i hap kufijtë Shqipërisë

Bashkimi Europian ka mbyllur prej më shumë se një viti kufijtë për Shqipërinë, duke mos lejuar lëvizjen e qytetarëve brenda unionit sipas rregullave të Shengenit për vendin tonë, për shkak të pandemisë. Udhëtarët shqiptarë e kanë të pamundur të udhëtojnë përveçse për arsye thelbësore në vendet anëtarë të BE-së, përfshirë këtu edhe vendet fqinje si Italia dhe Greqia.

Unioni mbylli kufijtë e jashtëm me arsyetimin se vendet e Ballkanit kishin në atë kohë nivele të larta infektimi. Por një vit më vonë Shqipëria është vendi më nivelin më të ulët të infeksioneve në Ballkanin Perëndimor dhe është hequr nga lista e vendeve të kuqe. Megjithatë, kufijtë vazhdojnë të mbesin të mbyllur dhe deri më tani nuk ka asnjë sinjal se do të hapen pavarësisht nisjes së sezonit turistik.

Bashkimi Europian ka vendosur kushtin që lëvizja e lirë nuk mund të garantohet për asnjë vend të tretë që ka më shumë se 25 raste për 100 mijë banorë. Megjithatë, për dy javët e fundit vendi ynë ka vetëm 16 raste për 100 mijë banorë. Pavarësisht kësaj, vendet fqinje si Italia dhe Greqia vazhdojnë të jenë skeptike për heqjen e kufizimeve për shqiptarët.

Po ashtu për herë të parë në një vit, vendi ynë shënoi së fundmi zero raste ditore me Covid-19 dhe është në të njëjtin ritëm dhe më mirë se disa vende të BE-së përsa i përket vaksinimit kundër Covid-19. Vendi ynë filloi vaksinimin masiv më 25 mars dhe ka deri më tani rreth 600 mijë të vaksinuar. Për krahasim, Sllovakia, një vend anëtar i BE-së i cili e filloi shpërndarjen e dozave kundër Covid-19 që në muajin dhjetor, nisi sot vaksinimin masiv të popullatës. Atëherë përse nuk po i hap unioni kufijtë për shqiptarët? Edhe vetë Bashkimit Europian duket se i kanë mbaruar arsyetimet.

Vendet europiane kanë më shumë 420 raste për 100 mijë banorë, më shumë se 20-fishin e rasteve që ka Shqipëria në 14 ditët e fundit. Deri më tani, shumë prej vendeve të unionit, përfshirë edhe Greqinë, kanë qenë nën masa të ashpra kufizuese, për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19, por po refuzojnë hyrjen e qytetarëve nga vendi ynë që prej ditësh regjistron më pak se 100 raste ditore.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi pranoi se kufijtë për Shqipërinë duhet të ishin hapur duke deklaruar se Komisioni Evropian u ka propozuar disa vendeve anëtare të BE të lejojnë lëvizjen e lirë nga vendi ynë.

 “Ne u kemi bërë një propozim vendeve anëtare, dhe ato janë ato që do të vendosin. Në rekomandimet tona, ne u kemi sugjeruar shteteve anëtare të hapin kufijtë e tyre dhe të lejojnë qytetarë nga vendet e tjera, të hyjnë në BE, veçanërisht nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, ”tha Komisioneri i BE për Zgjerimin.

Nga Rinasi, ku qëndroi për disa orë, Varhelyi theksoi se rihapja e kufijve duhet të bëhet për ato vende që kanë parë një rënie të infeksioneve, si në rastin e Shqipërisë, por tha se fjala e fundit i përket secilit vend.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi duke përdorur të dhënat epidemiologjike. Qytetarët e atyre vendeve ku ka rënie ditore, duhet të kenë mundësinë të vizitojnë vendet e BE-së, sidomos individët të cilët tashmë janë vaksinuar. Shpresoj që gradualisht, ne mund të fillojmë të kemi një verë që do të ngjajë me një normale, "deklaroi diplomati i BE-së.

Megjithatë, gjasat që këtë verë shqiptarët të mund të udhëtojnë lirshëm në BE nuk janë shumë të larta. Gjermania për shembull hoqi ditët e fundit Shqipërinë nga zona e rrezikut, por vazhdon të mbajë kufijtë të mbyllur.

Të dielën vendi ynë shënoi vetëm 54 raste dhe një të vdekur. Por ambasada gjermane në Tiranë thotë se dalja nga zona e kuqe nuk sjell asnjë ndryshim në kufizimin e hyrjes në Gjermani. Sipas një rekomandimi të BE-së nga shtetasit rezidentë në Shqipëri do të lejohen të udhëtojnë drejt Gjermanisë apo Bashkimit Europian vetëm ata që ushtrojnë një funksion të rëndësishëm apo udhëtimi i të cilëve është domosdoshmërish i nevojshëm.

“Udhëtime për qëllime thjesht turistike nga Shqipëria drejt Gjermanisë do të jenë fillimisht, sikundër deri më tani, të pamundura”, thuhet në një reagim të ambasadës gjermane në Tiranë.

Për shkak të niveleve të lartë të infeksionit në vendet e unionit, Komisioni i BE-së u ka propozuar gjithashtu shteteve anëtare të ngrenë numrin minimal të rasteve të reja të Covid-19 për pranimin e udhëtarëve të vendeve të treta nga 25 deri në 100. Nëse miratohet, Shqipëria do të ketë një nivel shumë më të ulet rastesh sesa kriteret e vendosura.

Por edhe pse nuk po i hap për Shqipërinë, Komisionit Europian ka propozuar hapjen e kufijve për qytetarët nga SHBA-ja, Britania, Izraeli dhe Kina.

Të hënën e kaluar, më 3 maj, Komisioni kishte shpalosur një propozim për shtetet anëtare, sipas të cilit këto të fundit duhet të fillojnë gradualisht të rihapin kufijtë e tyre për shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë vaksinuar kundër koronavirusit me një nga vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave.

"Komisioni propozon të lejojë hyrjen në BE për arsye jo thelbësore jo vetëm për të gjithë personat që vijnë nga vendet që ka pasur rënie të rasteve ditore, por edhe të gjithë njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të autorizuar nga BE," tha Komisioni në një njoftim për shtyp. 

Shpresat janë që unioni të hapë dyert në qershor edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i lejuar të udhëtojnë edhe për turizëm,  për aq kohë sa mbajnë një certifikatë vaksinimi. Megjithatë, deri më tani nuk asnjë konfirmim nëse unioni do të pranojë qytetarët e vaksinuar me vaksinat kineze ose ruse, duke e lënë të hapur mundësinë që kufijtë më Shqipërinë të qëndrojnë të mbyllur, pasi vaksinimi masiv në vendin tonë po bëhet me vaksinën Sinovac.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë