Ngjarje

Një tjetër mundësi për ëndrrën amerikane, të mërkurën nisin aplikimet për lotarinë amerikane

Departamenti Amerikan i Shtetit ka zyrtarizuar hapjen e aplikimeve për lotarinë amerikane duke nisur nga kjo e mërkurë. Ata që ëndërrojnë të jetojnë në tokën amerikane kanë afat ta provojnë fatin deri me 9 Nëntor. Çdo vit, rreth 50,000 mijë persona nga vende të ndryshme të botës fitojnë kartën jeshile përmes kësaj lotarie.

Shqipëria renditet vitet e fundit në vendin e katërt në botë për numrin e fituesve për t’u transferuar drejt SHBA-ve. Vitin e kaluar krahas shtetasve nga Shqipëria fituan më shumë viza emigruese aplikantët nga Egjipti, Sudani, Rusia dhe Algjeria.

“Mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit, pasi kërkesat e shumta mund të shkaktojnë mbingarkesё të faqes së internetit. Aplikimet me letër ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen”, shkruhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.

Qytetarët duhet të kenë kujdes, që të mos aplikojnë më tepër së një herë gjatë afatit, në të kundërt do të skualifikohen. Një rëndësi të veçantë në këto aplikime ka cilësia e fotografisë në të cilën nuk duhet të përdorin syze dhe as objekte të tjera si kufje apo kapele.

Shumica e të interesuarve i bëjnë vetë aplikimet e tyre në faqen e siguruar falas nga qeveria e SHBA. Mbi 65% e të gjithë aplikantëve janë të skualifikuar në vite për shkak të gabimeve në aplikimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë