Analize

Një tjetër krizë refugjatësh? Greqia përgatitet për fluks azilkërkuesish nga Afganistani

Kriza humanitare në Afganistan pas tërheqjes së ushtrisë amerikane ka alarmuar Greqinë dhe Bashkimin Europian se mund të përballen me një tjetër krizë refugjatësh, si ajo e vitit 2015.

Inteligjenca amerikane raporton se talibanët kanë marrë tanimë një numër të konsiderueshëm qytetesh, duke i detyruar qytetarët të zhvendosen ose lënë vendin. Mijëra afganë kanë aplikuar javët e fundit për azil politik në vendet e Bashkimit Europian, duke bërë që disa prej tyre të mos pranojnë më kërkesa.

Megjithatë, ashtu si edhe gjatë krizës së kaluar, Greqia mund të jetë në ballë të krizës së refugjatëve, duke u kthyer në portën hyrëse të Europës. Megjithatë, rreziku i një krizë refugjatësh përfshin edhe vendin tonë, i cili  është kthyer po ashtu në një rrugë kalimi për azilkërkuesit.

Greqia dhe Shqipëria janë dy vendkalimet kryesore të refugjatëve nga vendet e Lindjes. Ata kalojnë nga Janina, në kufirin shqiptar për t’u hedhur më pas në Malin e Zi, Bosnje, dhe Kroaci.

Prej muajsh, në Shqipëri ka mbërritur një grup i policisë kufitare europiane, Frontex, i cili po patrullon tanimë kufijtë me Greqinë, në mënyrë që të parandalojë emigracionin e paligjshëm.

 “Bashkimi Europian nuk është në gjendje të merret me një përsëritje të krizës së migracionit në 2015 dhe duhet të përpiqet t'i përmbajë njerëzit të ikin nga konflikti në rritje në Afganistan” tha të mërkurën ministri grek i migracionit Notis Mitarachi.

Mitarachi, i cili javën e kaluar nënshkroi një letër me ministrat nga pesë vende të tjera të BE-së duke thënë se dëbimet e azilkërkuesve duhet të vazhdojnë pavarësisht luftimeve, nënvizoi se Greqia nuk mund ta përballonte një fluks refugjatës nga Afganistani. Sipaa tij, BE duhet të mbajë një qasje më të fortë dhe ta theksojë se kërkesat për azil nga Afganistani nuk do të pranohen.

"Kjo do të bënte që më shumë njerëz të përpiqen të largohen dhe të vijnë në Bashkimin Evropian," tha Mitarachi.

Sidoqoftë, Holanda dhe Gjermania të mërkurën ndryshuan papritmas kursin dhe thanë se ata nuk do të dëbojnë për momentin qytetarët afganë që kërkojnë azil, duke pasur parasysh konfliktin e përshkallëzuar në atdheun e tyre.

Por Mitarachi tha se BE -ja duhet të ofrojë më shumë mbështetje për të ndihmuar Turqinë në përmbajtjen e emigrantëve nga Afganistani dhe se blloku nuk mund të lejojë një krizë tjetër ai ajo e vitit 2015.

"Absolutisht jo, BE nuk është gati dhe nuk ka kapacitet për të përballuar një krizë tjetër të madhe emigracioni," tha ai.

Numri i emigrantëve që vijnë në Greqi ra ndjeshëm pas miratimit të marrëveshjes BE-Turqi, në mars të vitit 2016. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Europian i premtoi Turqisë 6 miliardë euro ndihma financiare për të ndaluar emigrantët që të mos kalonin detin drejt Greqisë dhe të hynin në Europën Perëndimore.

Greqia ishte në vijën e parë të krizës së migracionit në Europë gjashtë vjet më parë, pasi gati një milion njerëz, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku zbarkuan në ishuj pas kalimit të rrezikshëm nga brigjet e Turqisë.

Luftëtarët talebanë po fitojnë terren fushatën e tyre për të mposhtur qeverinë e Kabulit, ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA po tërhiqen pothuajse plotësisht pas një pranie 20-vjeçare. Kryengritësit talebanë kanë marrë kontrollin e 65% të Afganistanit.

Ashtu si Greqia, edhe shumë shtete anëtare të BE -së janë të shqetësuar se zhvillimet në Afganistan mund të shkaktojnë një përsëritje të krizës së vitit 2015 kur më shumë se një milion njerëz, shumica prej tyre sirianë, afganë dhe irakianë, mbërritën në Evropë duke kërkuar strehim.

"Ne jemi të shqetësuar për krizën në Afganistan dhe kjo është arsyeja pse është shumë kritike dhe shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të jetë aktiv në parandalimin e një krize të tillë," tha Mitarachi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë