Gazeta Si – Të enjten në mbrëmje, një shpërthim shkatërroi dy makina që i përkisnin gazetarit Sigfrido Ranucci, prezantues i programit të njohur Rai 3, “Report”, i njohur për raportimet dhe investigimet e tij ndaj mafies.
Sipas mediave italiane, deri tani shkaku është i paqartë. Ranucci i tha gazetës “Repubblica” se hetuesit besojnë se shpërthimi u shkaktua nga një “pajisje shpërthyese rudimentare” që “mund të kishte vrarë dikë nëse do të kishte kaluar në atë moment”.
Aktualisht nuk ka deklarata zyrtare nga forcat e rendit për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi.
Questa notte un ordigno è stato piazzato sotto l’auto del giornalista e conduttore di Report, Sigfrido Ranucci. L'auto è saltata in aria, danneggiando anche l’altra auto di famiglia e la casa accanto. Sul posto carabinieri, Digos, vigili del fuoco e scientifica. La Procura di… pic.twitter.com/KmDycbpgq1
— Report (@reportrai3) October 16, 2025
Makinat ishin parkuar njëra-tjetrën përpara shtëpisë së Ranucci-t në Campo Ascolano, një fshat i vogël në komunën e Pomezia-s, pranë Romës. Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:00 dhe dëmtoi gjithashtu portën e hyrjes së shtëpisë.
Njëra nga dy makinat përdorej rregullisht nga vajza e gazetarit dhe ishte parkuar vetëm pak minuta para shpërthimit.
Ranucci, 64 vjeç, ka drejtuar “Report” që nga viti 2017, pasi ka shërbyer për një kohë të gjatë si një nga kontribuesit kryesorë të saj.
Gjatë gjithë karrierës së tij, ai ka mbuluar gjerësisht krimin e organizuar dhe më parë është përballur me kërcënime dhe frikësime për shkak të punës së tij.
Ranucci raporton mbi krimin e organizuar, ndër të tjera. Sipas “The New York Times”, Ranucci u vu nën mbrojtje policore në vitin 2021 sepse “Ndrangheta”, një klan mafioz italian me bazë në Kalabri, dyshohet se planifikoi një atentat ndaj tij. Stafi editorial i “Report” ishte gjithashtu nën mbrojtje pasi mori kërcënime.
Ai është i njohur së fundmi edhe në Shqipëri nga një reportazh për vendin tonë, ku ka trajtuar marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për pritjen e refugjatëve.
Ai gjithashtu i tha “Repubblica”-s se një vit më parë gjeti dy plumba jashtë shtëpisë së tij.
Kryeministrja Giorgia Meloni gjithashtu shprehu solidaritet me Ranuccin, duke e quajtur shpërthimin një “akt serioz frikësimi” në një deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



