Lajme

Një prej gjyqtarëve të Dajtit justifikon eurot, tjetri jashtë Shqipërisë

Avokati i Skënder Daminit, një prej gjyqtarëve që zbuti dënimin ndaj Dritan Dajtit, e ka cilësuar reprezalje bastisjen nga ana e policisë në shtëpitë e klientit të tij.

Ferdinand Doja, ka pohuar se shuma e parave të gjetura në shtëpinë e Daminit, janë të djalit të tij, i cili është biznesmen, ndërsa për fishekët, ai tha se janë harruar sirtarët e shtëpisë kur ka dorëzuar armën.

“Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që në banesën e Skënder Daminit të ushtrohet kontroll. Hetimet janë regjistruar për veprën penale korrupsion aktiv dhe pasiv”, - tha Doja. Ky i fundit u përpoq të argumentojë edhe vendimin e klientit të tij për Dritan Dajtin përmes gjykimit të shkurtuar.

“Gjykimi i shkurtuar nuk është favorizim. Ne akoma nuk kemi parë vendimin e arsyetuar nga kjo gjykatë dhe mendoj se është shumë e shpejtuar dhe një precedent shumë i rrezikshëm fakti që pa dalë vendimi, pa kaluar në të gjitha shkallët e gjykimit të bëhet kjo raprezalje ndaj gjyqtarit. Është precedent i rrezikshëm ky dhe të gjithë gjyqtarët janë terrorizuar sot”.

Doja shtoi se “do të presim me qetësi hetimet dhe më pas besoj se Damini do të kërkojë në rrugë ligjore dëmin moral që i është shkaktuar”.

Për paratë dhe fishekët e gjetura në banesën e gjyqtarit, avokati saktësoi: “Janë të djalit të tij, i cili merret me biznes. Ka toka të marra me qira në Lushnjë. Janë të Skënder Daminit, i cili ka pasur leje për armë, por me daljen e ligjit për armët e ka dorëzuar atë, por fishekët i ka harruar”. Në fund ai nënvizoi se kjo masë nuk duhej të ishte marrë pa u zbardhur vendimi për Dritan Dajtin.

Ndërkohë, policia nuk ka arritur të gjejë në asnjë adresë gjyqtarin tjetër të Dritan Dajtit, Petrit Aliajn. Të afërmit e tij tregojnë se ai nuk gjendet në Sarandë, por është larguar drejt Greqisë.

Gjyqtari tjetër i Apelit Vlorë, Skënder Damini ka shtëpi edhe në Vlorë, e cila është kontrolluar nga forca të shumta të policisë. Banesa ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë dhe kontrolli i saj u krye në prani të djalit të gjyqtarit, në kohën që gjyqtari ndërkohë gjendej në Tiranë, në banesën tjetër.

Në orët e para të mëngjesit, Policia e Lezhës dhe prokurorët e Krimeve të Rënda ushtruan kontrolle në banesën e gjykatësit Aleks Nikolli. Burimet bëjnë me dije se gjykatësit Nikolli nuk i është gjetur asgjë e paligjshme.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda. Gjatë këtij vendimi u votua kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli. Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë