Ngjarje

Një person kërcënon me vetëvrasje dhe bllokon autobusin e Vllaznisë në Belfast (Foto dhe video)

Një e papritur ka ndodhur në Belfast të Irlandës së Veriut, ku Vllaznia do të luajë sot ndeshjen e parë të saj europiane kundër Lindfildit, e vlefshme për Conference League.

Pas përfundimit të seancës stërvitore të zhvilluar në “Windsor Park” të Belfastit, veç protestave në rrugët e kryeqytetit të Irlandës së Veriut, që kishin bllokuar një sërë rrugësh, autobusi i skuadrës u përball edhe me një incident.

Një person kishte hipur mbi urë, duke kërcënuar me vetëvrasje, pra me hedhjen nga ura. Dhjetëra policë izoluan zonën, duke bllokuar edhe lëvizjen e ekipit shkodran për në hotel. Pas rreth 20 minutash personi tentoi të largohej për t'u spostuar në pjesën tjetër të urës dhe për të vazhduar kërcënimin e tij.

Për fat, policia arriti t'i gjejë një rrugëdalje autobusit të Vllaznisë dhe të largohet nga ajo ngjarje, që më tepër se frikën, u shtoi kuriozitetin lojtarëve dhe stafit të pranishëm në autobus, të cilët nxituan të xhironin me telefonat e tyra këtë ngjarje të pazakontë.

Paraditen e sotme futbollistët shkodranë zhvilluan një shëtitje relaksuese nëpër rrugët e qytetit të Belfastit, për t'u rikthyer më pas në hotel, ku pas drekës do të zhvillojnë analizën dhe më pas nisjen për në stadiumin “Windsor Park”. Aty në orën 19:45 me orën lokale do të startojë ndeshja përballë Lindfildit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë