Ngjarje

Një nënë me 4 fëmijët e mitur, evakuohen 5 shqiptarët e parë nga lufta në Gaza

Gazeta Si - Pas disa javësh mes luftimeve të ashpra, një ën nga Shqipëria dhe 4 fëmijët e saj të mitur kanë lënë territorin e Gazës.

Ata ndodhen tashmë të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojmë procedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri. Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani ka bërë me dije se janë evakuuar nga Gaza 5 shqiptarët e parë.

Në një reagim në platformën X, ai bën me dije se aktualisht ata ndodhen në Egjipt, dhe se po kryhen procedurat që kthimin e tyre në Shqipëri.

“Pas tre javësh përpjekjesh e vështirësish, më në fund shtetasit e parë shqiptarë, një nënë dhe 4 fëmijët e saj të mitur, sapo lanë territorin e Gazës. Ata ndodhen tashmë të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojmë procedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri. Mirënjohje për autoritetet e Izraelit dhe Egjiptit për bashkëpunimin, për mbështetjen si dhe kolegëve të ambasadave shqiptare në Izrael dhe Egjipt për punën e mirë në këtë situatë e operacion kompleks. Po punojmë ngushtë me autoritetet për kthimin e shpejtë e të sigurt të shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Gaza”, - shkruan Hasani.

Më herët, me dhjetëra shtetas të tjerë shqiptrë janë evakuuar nga Izraeli drejt Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.

Avioni i parë me 40 pasagjerë shqiptarë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, është ulur nga Izraeli në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” më 8 tetor. Bashkë me një fluturim të mëpasshëm numri i shqiptarëve evakuuar nga Izraeli shkoi në 51.

Pas tyre 20 shqiptarë të tjerë kanë udhëtuar më 12 tetor nga Izraeli për në Greqi përmes një fluturimi të linjave ajrore greke, të koordinuar nga Ministria e Jashtme. 17 prej tyre pasi kanë mbërritur në Athinë janë nisur drejt Shqipërisë në rrugë tokësore dhe u transportuan në qytetet ku banojnë, si: Tirana, Gjirokastra, Korça dhe Vlora.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë