Ana e errët

1 në 5 adoleshentë po ikin nga shtëpia. Më shumë ‘arratisen’ vajzat, djemtë më rrallë

“Vajza ime e cila quhet J. sapo ka mbushur 18-vjeçe. Ajo është larguar nga banesa dhe nuk e dimë ku gjendet. Ka disa orë që nuk po kthehet dhe telefonin e ka fikur. Në dijeninë tonë ajo doli nga shtëpia. Shkoi tek një shoqe që quhet G., ka qëndruar aty dy tre orë dhe më pas është larguar prej aty”.


Me këtë përshkrim dy prindër të shqetësuar u paraqitën pranë komisariatit numër 3 në Tiranë. Duke kërkuar kështu adoleshenten që kishte fikur telefonin dhe nuk i përgjigjej as mesazheve të prindërve në rrjetet sociale.


Të bindur se ajo kishte humbur të dy prindërit kërkuan angazhimin e policisë. Kjo e fundit, pasi zbuloi adresën e saj duke festuar, njoftoi të rriturit se 18-vjeçarja ishte shëndoshë e mirë.


Por shqetësimi është në rritje për adoleshentet që arratisen. Herë në grindje e sipër e herë për lidhjet e tyre të fshehta, problemi nuk është vetëm i familjarëve të tyre të ngushtë. Por edhe i policisë, që angazhohet herë pas here. Kështu ata vendosen në kërkim që të ndalohet largimi i tyre jashtë vendit si të denoncuar nga familja “të larguar nga banesa”.

Çfarë thonë psikologët

Psikologja e policisë Besmira Muçaj rrëfen për Gazetasi.al se më pjesën më të madhe të largimeve nga shtëpia e zënë vajzat dhe shumë pak djemtë. Për shkak se arratisje të tilla janë kthyer në trend, sapo u zbulohen vendndodhjet, psikologët janë të parët që i kontaktojnë.


“Fillimisht prindërit i drejtohen komisariatit për të kërkuar ndihmën e policisë. Kjo pasi vajza e tyre fik telefonin dhe çdo lloj kontakti. Pasi bëhet e mundur gjetja e vajzës i gjithë procesi realizohet në një dhomë miqësore”, shton psikologja.

Ajo thekson për Gazetasi.al se pjesa më e rëndësishme është krijimi i besimit tek fëmija i larguar. Kështu sipas psikologes do të rrëfehet për personat me të cilët u shoqërua gjatë ditëve që mungoi në familje. Gjithashtu, por edhe çfarë ka bërë gjatë kësaj kohe si dhe cilat janë arsyet që e shtynë të largohet.

“Të miturit që kanë tendenca për t’u larguar nga banesa intervistohen për të kuptuar dhe nivelin e zhvillimit mendor si dhe situatën e shëndetit mendor. Janë të rëndësishme të dihen detaje nëse janë vartës të ndonjë substance narkotike.

Gjithashtu, nëse kanë persona më të rritur në shoqërinë e tyre që mund t’i ndikojnë në marrjen e vendimeve. Këto grup mosha adoleshentësh janë në një fazë transit të jetës së tyre pasi mendojnë se janë të rritur për të marrë vendime. Por dështojnë gjithmonë sepse realisht janë të pa përgatitur për jetën dhe për vendime kaq të rëndësishme”, thotë ajo më tej.


Psikologja e policisë Muçaj radhit arsyet që fëmijët më së shumti vajzat, largohen prej prindërve
“Konfliktet ne familje, debatet mes dy prindërve , mënyra e sjelljes së prindërve i bën këta të mitur më të ndjeshëm. Shpesh here duan të arratisen nga problematikat familjare duke pasur ndikim nga ambienti social.

A i ndërmarrin vetëm këto veprime adoleshentët?

Shpesh here janë venë re se këto të mitura shoqërohen me persona më të rritur të cilët mundet t’i kenë njohur në një periudhë të shkurtër në rrjete sociale.


Ideja që kanë akumuluar për t’u larguar nga banesa e bën vendimmarrjen e tyre më të shpejtë. Sjellja e adoleshenteve shoqërohet shpesh here me rebelizëm. Por nuk përjashtohet mundësia kur mbyllet në vetvete dhe nuk ka aspak dëshirë të komunikojë me të afërmit”, radhit zonja Mucaj.

Psikologja ka intervistuar qindra adoleshente të larguara nga shtëpia. Të cilët mbasi janë ri-gjetur kanë dëshmuar aventurën e tyre të fshehtë.


“Prindërit duhet te jenë shumë të kujdesshëm në marrëdhënie me fëmijët e tyre në këtë moshë të adoleshencës. Ata duhet të tregohen mirëkuptues dhe të mos dëmtojnë fëmijët me problematikat familjare. Prindërit e gjejnë veten të pa përgatitur për sa i përket si duhet të sillen me fëmijët e tyre në ketë moshë”, thotë më tej psikologja.


Psikologja e policisë duke shfrytëzuar intervistën me Gazetasi.al thotë më tej se djemtë largohen tepër rrallë.
Pyetjes se –“si ka mundësi?” -i përgjigjet “sepse kulturalisht ndihen më të lirë nga prindërit se sa vajzat. Nuk janë aq të kufizuar” – mbyll intervistën zonja Muçaj.

Jo zyrtarisht policia deklaron se një në pesë adoleshente largohet pa dhënë një adresë duke fikur çdo kontakt . Rasti i një gruaje të divorcuar e cila dërgoi të bijën për të qëndruar me ish-bashkëshortin, por që më pas nuk po arrinte dot të komunikonte me të, ishte një tjetër angazhim i policisë.

Adoleshentja e cila u grind me të atin menjëherë sapo mbërriti në shtëpinë e tij, u zhduk për disa ditë pa asnjë të dhënë për të. Gruaja dhe i ati kërkuan ndihmë më pas në Policinë e Tiranës.
Kur policia e Tiranës e gjeti ajo tha: “Ika sepse prindërit e mi janë të ndarë dhe nuk më kuptojnë. Doja të bëheshin merak për mua dhe ja dola”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë