Shendet

Një natë në tendën e testimit të drogës

Vdekjet nga droga janë në rritje. Njerëzit që drogohen nuk mund t’i ndalosh nëse nuk përdor të dhëna për të treguar dëmin që ata i shkaktojnë vetes. Xhak, një 19-vjeçar i cili në pamje duket i rregullt, gjendet në tendën e testimi të drogës e cila vendoset në çdo festival për të kontrolluar njerëzit që nuk ndjehen mirë.
“Mora një pilulë dhe e hodha në pijen time për të provuar shijen që kishte, ato shpërndaheshin kudo,” tha ai, ndërkohë që dilnim jashtë tendës që ishte ndërtuar për një nga festivalet që mbaheshin në Birmingam.
Sipas djemve të tjerë në çadër, kjo pilulë kishte 2% drogë, por në pamje dukej si paracetamol.
Tenda është një strukturë që shërben për testimin e drogës. Me makinat e testimit në ngjyrë gri, drita që kontrollojnë gjendjen e vetëdijes nga sytë, mostrat e llojeve të ndryshme të drogave, tubat e provës dhe shumë kompjutera të specializuar, këto tenda shpeshherë u shpëtojnë jetën njerëzve të cilët janë droguar. Në këtë vend gjenden shtatë mjekë vullnetarë të cilët vizitojnë personat e droguar në festival dhe që janë pjesë e organizatës “The Loop”, e cila është e vetmja që ofron teste droge në festivalet dhe klubet e natës në Britaninë e Madhe.
Pas testimit për të parë përqindjen e drogës në trup, të rinjve u ofrohet një seancë këshillimi prej 10 minutash, nëse dëshirojnë. Gjatë gjithë kohës, “përdoruesve” u thuhet të qëndrojnë të hidratuar dhe u jepen informacione specifike për shpërndarjen e drogës nëpër festivale dhe vendndodhjen e tendës mjekësore.

“Ne flasim për historinë e përdorimit të drogës, i përgjigjemi çdo pyetjeje që mund të kenë për shëndetin e tyre pasi marrin drogë dhe marrim masat e duhura për të stabilizuar gjendjen e tyre shëndetësore. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto rreziqe, por përpiqemi të flasim me njerëzit në mënyrë të hapur miqësore dhe të mos i gjykojmë ata,” shpjegon Dr Henry Fisher, një nga doktorët.
Përgjithësisht gjatë fundjavave të verës, krijohen festivale të ndryshme të cilat tërheqin grupe njerëzish që janë gati për të festuar. Zakonisht brenda tendës gjenden të rinj që sapo kanë mbushur 18 vjeç dhe që kanë marrë pilulat nga miqtë e tyre. Nuk është gjithmonë e lehtë për të kuptuar se çfarë substance kanë pirë, por ka disa reagime ndaj këtyre drogave. Mjekët thonë se të gjithë flasin, qeshin dhe këndojnë, kështu që është e vështirë të kuptosh nga fytyra e tyre nëse kanë marrë drogë. Disa prej tyre mund t’ia dalin dhe largohen përpara se policia t’i gjejë të shtrirë në tokë pa ndjenja.
Policët janë të shqetësuar për këtë situatë, që është e pranishme në çdo festival dhe janë të gatshëm gjatë gjithë kohës për të anashkaluar telashe të mëdha. David Jamenson, komisar i policisë dhe krimit për West Midlands, thotë se puna e tyre është e vështirë, pasi shumë të rinj gjehen të pavetëdijshëm.
“Ne duhet të shkojmë në rrjedhën e njerëzve dhe të bëhemi si ata për të kuptuar kush bën shpërndarjen e kësaj substance. Jo vetëm si polic, por edhe si prind, jam shumë i shqetësuar për të rinj e sotëm,” shton ai.
Duket si një qasje pragmatike, por është një problem shumë i madh. Shifrat e fundit të qeverisë treguan se vdekjet nga drogat në Angli dhe në Uells janë rritur shumë në krahasim me vitet e mëparshme. Sipas mjekëve që punojnë në tendën e testimit, ky problem sa vjen dhe shtohet.
Tre lloje drogash që hasen më shumë në tendë janë kraku, kokaina dhe etamina. Vitin e kaluar, studiuesit zbuluan gjithashtu se kishte pasur një rritje të theksuar të numrit të të vdekurve në klubet e natës, veçanërisht nga kokaina dhe ekstazis. Në fakt, vdekjet e lidhura me ekstazis-in në Angli dhe Uells kanë arritur pikën më të lartë në vitin 2016, por sasia e drogës që marrin tashmë ka ndryshuar dhe i bën ata më të rrezikuar. Bashkë me numrin e të vdekurve, është rritur dhe sasia e drogës që të rinjtë konsumojnë në këto vende. Nëse më përpara përllogaritej që të rinjtë të merrnin 80 miligramë, në ditët e sotme marrin 130 miligramë. Në maj të vitit të kaluar, Xhorxh Jones, 18 vjeç dhe Tomi Cowan, 20 vjeç, vdiqën pasi morën pjesë në Festivalin Mutiny. Gjithashtu, ka edhe shumë raste të tjera vdekjesh, por njerëzit nuk janë ndërgjegjësuar ende.

Testi i grogës që kryhet në tendë

“Përgjithësisht njerëzit konsumojnë një lloj të caktuar droge, të cilën e marrin në mënyrë të pavetëdijshme ose e provojnë vetë në mënyrë që të ndjejnë eufori, por përfundojnë në gjendje të rëndë shëndetësore,” thotë dr.Fisher.
Gjithashtu, sipas tij, deri në 20% e njerëzve heqin dorë nga droga pas marrjes së rezultateve të testeve dhe pas këshillimit me doktorët, por kjo është një pjesë shumë e vogël në krahasim me pjesëmarrjen e njerëzve në klube apo festivale. Shumica e pilulave përmbajnë substancën e quajtur “ventiloni”, e cila është shumë e rrezikshme për trupin e njeriut. Komisari Jaminson tregon se këto tenda janë të domosdoshme për festivalet apo jashtë klubeve të ndryshme, pasi të rinjtë gjatë gjithë kohës po përpiqen të shkatërrojnë veten e tyre dhe ende nuk e kuptojnë.
“Ne po përpiqemi të sigurojmë një shërbim të drejtpërdrejtë dhe pretendojmë që në të ardhmen të ulet numri i njerëzve që konsumojnë substancat narkotike. Shohim çdo ditë shumë të rinj që dëmtojnë veten, kështu që nuk mund të jemi indiferentë,” thotë Fisher. /BBC/
.

 

Më Shumë