Ngjarje

‘Një maloke më pak’, protestë kundër diskriminimit krahinor në Tiranë (Foto)

Gazeta Si - Shoqëria civile ka protestuar mesditën e të premtes përballë zyrave qendrore të Vettingut në Tiranë kundër diskriminimit krahinor, pasi anëtarja e KPK-së, Genta Bungo, e cilësoi me termin fyes “maloke” kryeprokuroren Elisabeta Imeraj, gjatë shkëmbimit të disa mesazheve me një kolege.

Mes protestuesve, i pranishëm ka qenë edhe aktori nga Tepelena Mehdi Malkaj, i cili u shpreh se është një turp që shqiptarët të ndahen në veri dhe jug.

“Unë jam malok, por unë kam edhe miq malok këtu. Miq të dashur, njeriu nuk zgjedh dot familjen. Nuk qëndron problemi se u grindën dy zyrtarë, por po bëhet një luftë e madhe për veriun dhe jugun për të përçarë atë që quhet Shqipëri. Unë e dua shumë Shkodrën, e dua shumë Dibrën, kam qenë në shfaqje, e dua vendin tim, por përse e shëmtojnë njerëzit. Kush e ka shpikur ndarjen veri-jug këtu tek ne? Politika e ndyrë antishqiptare që vazhdon të jetë e ulur këmbëkryq në qendër të Tiranës. Vëllezërit kosovarë i priti e gjithë Shqipëria deri në Sarandë. Unë jam një derr maloku që nuk ua merr mendja”, - tha aktori Malkaj.

Në disa SMS që ka lexuar përpara KPA gjatë seancës së Vettingut, Imeraj ka deklaruar se komisionerja e shkallës të parë, Genta Bungo, kërkonte shkarkimin e Prokurores së Tiranës për shkak se ishte “maloke”, duke iu referuar origjinës së saj nga Tropoja.

Shkak është bërë seanca ndaj kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj, ku u hodhën pretendime se procesi ndaj saj ishte i iniciuar për arsye krahinore. “Një maloke më pak në drejtësi nuk i prish punë askujt”, - i është drejtuar Bungo një koleges së saj.

Elisabeta Imeraj kaloi me sukses në shkallën e parë të vetting-ut, ndërsa këto kohë po përballet me Apelin. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Institucioni i Komisionerit Publik kërkon shkarkimin e saj nga detyra, por kryeprokurorja ka ngritur akuza për falsifikim dokumente nga Teo Jackobs.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë