Teknologji dhe Inovacion

Një kompani do të paguajë personat që pranojnë të ‘japin’ fytyrën e tyre për robotët

Ideja për t'ia dhënë fytyrën një roboti mund të tingëllojë si absurde por së shpejti mund të bëhet realitet.

Prodhuesi i robotëve Promobot po kërkon një fytyrë për robotin e tij të ardhshëm humanoid, i cili do të përdoret në hotele, qendra tregtare dhe aeroporte nga viti 2023.

Firma po ofron 200,000 dollarë për vullnetarët e guximshëm, të cilët duhet të jenë të gatshëm të transferojnë të drejtat për përdorimin e fytyrës së tyre përgjithmonë.

Promobot është një prodhues robotësh në Nju Jork, i njohur për robotët e tij humanoidë realistë.

Robotët e tij tashmë po përdoren në 43 vende, duke punuar në një sërë rolesh, duke përfshirë administratorë, promovues, konsulentë, udhërrëfyes dhe portierë.

“Kompania jonë po zhvillon teknologji në fushën e njohjes së fytyrës, si dhe të të folurit, navigimit autonom, inteligjencës artificiale dhe fushave të tjera të robotikës. Që nga viti 2019, ne kemi prodhuar dhe furnizuar në mënyrë aktive robotë humanoidë në treg”, thonë zëdhënësit e kompanisë.

Në fushatën e saj të fundit, firma e teknologjisë po kërkon dikë me një fytyrë 'të sjellshme dhe miqësore', për t'u përdorur në një robot-asistent humanoid.

Roboti është porositur nga një kompani amerikane e paidentifikuar dhe do të përdoret në aeroporte, qendra tregtare dhe dyqane me pakicë në të gjithë Amerikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

“Një robot me një pamje të re do të fillojë aktivitetet e tij në vitin 2023 dhe fytyra e një personi të përzgjedhur do të bëhet pamja e këtij roboti”, shpjegoi Promobot.

Ndërsa Promobot ka specifikuar se vullnetari duhet të ketë një fytyrë 'të sjellshme dhe miqësore', ai është i hapur për aplikime nga njerëz të çdo gjinie dhe moshe.

Promobot nuk ka thënë pse po kërkon të përdorë një fytyrë të vërtetë, në vend që të zgjedhë një fytyrë të krijuar nga kompjuteri, njësoj si roboti i famshëm humanoid Sophia.

Kjo nuk është hera e parë që një prodhues i robotikës ka ofruar të paguajë dikë për të drejtat e fytyrës së tij.

Në vitin 2019, një firmë robotike e paidentifikuar ofroi një shpërblim prej 100,000 paund për një vullnetar për përdorimin e fytyrës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë