Gazeta “SI”-Filmi “Tereza – Një jetë mes dritës dhe hijes”, me regji të Teona Strugar Mitevskës, sjell në ekran një portret të pazakontë dhe të guximshëm të Nënë Terezës, duke u larguar nga imazhi i shenjtëruar dhe duke e paraqitur atë si një figurë komplekse, njerëzore dhe thellësisht kontradiktore. I vendosur në Kalkutën e pas-pavarësisë së Indisë, filmi e vendos rrëfimin në një realitet të ashpër social, të shënuar nga varfëria ekstreme, sëmundjet dhe dhuna.
Në qendër të historisë është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e interpretuar nga Noomi Rapace, e cila shfaqet si një murgeshë e re që përballet me mjerimin urban dhe me krizën e saj shpirtërore. Filmi ndalet te momenti kyç i “thirrjes” së saj gjatë një udhëtimi me tren, ku ajo vendos të mos jetojë më vetëm për Zotin brenda mureve të manastirit, por të shkojë mes më të varfërve ndër të varfërit. Ky vendim shënon fillimin e një konflikti të gjatë me institucionin e Kishës Katolike.

Rrëfimi filmik thekson përplasjen e Terezës me traditat e vjetra kishtare dhe rezistencën e Vatikanit ndaj projektit të saj revolucionar: largimin nga manastiri, jetesën në lagjet e varfra të Kalkutës dhe themelimin e një urdhri të ri fetar. Vetëm në vitin 1950 ajo arrin të themelojë urdhrin e “Misionareve të Bamirësisë”, një akt që filmi e paraqet si fitore personale, por edhe si barrë të madhe përgjegjësie.
Vizualisht i pasur dhe emocionalisht i përmbajtur, filmi ndërthur kontrastet mes kaosit të rrugëve të Kalkutës dhe disiplinës së rreptë të jetës monastike. Muzika moderne dhe dialogët e kursyer i japin veprës një ton bashkëkohor, duke e larguar atë nga biografitë tradicionale fetare.
Një nga pikat më të forta të filmit është qasja kritike ndaj figurës së Nënë Terezës. Pa e sulmuar hapur, filmi ngre pyetje mbi motivet e saj, mbi kufirin mes bamirësisë dhe vanitetit, si dhe mbi qëndrimet e saj të ashpra në çështje si aborti dhe vuajtja njerëzore. Këto dilema shfaqen përmes dialogëve të heshtur dhe momenteve reflektuese, duke e çmitizuar figurën e saj pa ia mohuar ndikimin historik.
Filmi prek gjithashtu debatet që e kanë shoqëruar Nënë Terezën edhe në jetën reale, përfshirë kritikat për kushtet në strehimoret e saj dhe marrëdhëniet me donatorë të fuqishëm. Në këtë mënyrë, vepra filmike e vendos figurën e saj në një kontekst më të gjerë politik, shoqëror dhe etik.

Sipas regjisores Teona Strugar Mitevskës, Tereza përfaqëson një figurë me tipare feministe për shkak të guximit për të ndjekur rrugën e saj në një kishë patriarkale dhe për të ndërtuar autoritet si grua. Megjithatë, filmi nuk e paraqet atë si një ikonë emancipimi, por si një grua që mishëron pushtet, bindje dhe sakrificë.
“Tereza – Një jetë mes dritës dhe hijes” vjen në një kohë kur temat që trajton , aborti, varfëria, roli i fesë dhe autoriteti i gruas janë më aktuale se kurrë. Pa ofruar përgjigje të gatshme, filmi fton publikun të rishikojë figurën e Nënë Terezës dhe të reflektojë mbi kompleksitetin e shenjtërisë në botën moderne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




