Lojëra me Dore

Një ide nga volejbolli, të anulohet sezoni dhe titulli t’u jepet mjekëve!

Të anulohet kampionati dhe titulli t’i lihet në dorë presidentit të Republikës, Serxhio Matarela, i cili mund t’ia akordojë ekipit të mjekëve dhe infermierëve. Ky është propozimi sa origjinal, aq edhe konkret nga 11 klube të volejbollit të Serie A1 të femrave në Itali. Sipas tyre, duhen vlerësuar personat e impenjuar në luftën kundër Koronavirusit me një nga çmimet më të mëdha për një sportist: titulli kampion.

Propozimi në fjalë është një ide e pronarit të “Il Bisonte Firenze”, Uejni Di Filipo, dhe që është mbështetur nga 11 klube. Të martën e 31 marsit, në asamblenë e Ligës këto klube do të kërkojnë ndërprerjen e kampionatit. Në fakt, klubet e A1 në volejboll janë të ndarë, me një grup prej 11 skuadrash që këmbëngulin për anulimin e sezonit, ndërsa skuadra si Monxa dhe Koneliano duan ta mbyllin sezonin për të zgjedhur ekipin kampion. Por klubet që duan mbylljen përfundimtare janë në maxhorancë.

Ekipi i volejbollit të femrave të Firences. Gazeta Si, 28 mars 2020

E ndërsa kampionati i femrave të volejbollit në Itali mund të mbyllet pa fitues, kampionati i meshkujve ka marrë kohë, duke shfrytëzuar afatin deri më 3 prill. Megjithatë, edhe te meshkujt duket se prevalon vullneti për mbylljen para kohe të kampionatit. Asambleja e volejbollit të meshkujve do të mbahet më 3 prill, por përfundimi para kohe e sezonit për femrat do të ishte një shtysë e fortë edhe për meshkujt drejt anulimit të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë