Lajme

“Kërkoj mëshirë”-Lutja e një gruaje që s’ka asnjë pajisje me korent në shtëpi

“Kërkoj mëshirë”… Kjo është fraza më e përdorur e dhjetëra të pandehurve para gjyqtarëve, në fjalën e tyre të fundit përpara se t’ju shpallet vendimi. Kjo ishte fjalia e fundit edhe e Lumturie SH., atëherë kur gjyqtari Erjon Bani e pyeti “ç’kërkon nga gjykata?”. Por, gjyqtari nuk është befasuar, ai e priste këtë lutje që më herët kur kishte lexuar në dosjen e akuzës dhe e dëgjoi me veshët e tij Lumturien e përlotur kur tregonte se nga varfëria jeton në mes të katër rrugëve. Ish-bashkëshorti i saj kishte përfunduar në burg për dhunën ndaj saj. Dhe Lumturia jetonte vetëm në një dhomë me fëmijët, në një dhomë, që siç e faktoi edhe prokuroria, kishte vetëm llambat për të ndriçuar dhe asgjë tjetër.
Lumturia kishte përfunduar e akuzuar në gjykatë për vjedhje të energjisë elektrike pas një kontrolli të punonjësve të OSHEE-së. Ata zbuluan një kabull të lidhur me një shtyllë dhe që kalonte mbi tarracën e shtëpisë së shtetasit Sulejman D., i cili është ish-bashkëshorti i 46-vjeçares. Por, ai gjendet në burg për dhunë në familje tregon prokuroria. Për këtë arsye, për këtë lidhje të paligjshme është dërguar si e pandehur në gjykatë gruaja, nënë e dy fëmijëve.
Por, ajo çfarë shkruhet në raport, konstatim nga vetë punonjësi i OSHEE-së, Jovan Vojniku, të lë pa fjalë:


“Në banesën ku jeton Lumturie SH., bashkë me dy fëmijët e mitur, nuk kishte as televizor, as frigorifer, as lavatriçe, as sobë me korrent dhe as ndonjë agregat tjetër për t’u ngrohur në dimër. Energjia e futur përmes kabullit të paligjshëm në këtë banesë shërbente vetëm për të furnizuar llambën e ndriçimit gjatë natës, në mënyrë që gruaja dhe fëmijët e saj të vegjël të kishin mundësi të shihnin në errësirë”.
Në këto kushte, gjykata argumenton se është e vërtetë që vjedhja e energjisë ka marrë përhapje të gjerë, por ama radhit një sërë rrethanash të tjera lehtësuese, gjendjen familjare të saj jo vetëm si kreyfamiljare dhe nënë e dy fëmijëve, por akoma më tepër, varfërinë. Lumturia, thotë gjykata, duke iu referuar të ardhurave të saj, trajtohet me ndihmë ekonomike prej 3600 lekësh në muaj dhe rrethanat e kanë detyruar të vjedhë energji. Duke iu referuar parimeve të humanizmit, gjykata tregoi se vjedhja e energjisë ka ndodhur për interesin më të lartë të gruas që janë fëmijët e saj të vegjël, me qëllimin e vetëm për të ndezur dy llamba që fëmijët e saj të bëjnë mësimet. E gjitha kjo, sipas gjykatës, është diktuar nga vështirësitë ekonomike. Në këto kushte gjykata ka shpallur pezullimin e dënimit që ishte 10 ditë burg.
Historia që ju treguam i referohet vendimit numër 1877 të Gjykatës së Tiranës, në të cilën ndryshe nga dhjetëra vendime me burgim për vjedhje energjie ka futur në gjykim edhe parimet e humanizmit dhe të së drejtës superiore për të mirën e fëmijëve, që përfaqësohet edhe në Konventat Ndërkombëtare.
Ky ishte një rast, le te themi fatlum, për Lumturien. Po a ka marrë zgjidhje përfundimtare jeta e saj dhe e fëmijëve të kësaj familjeje të varfër si qindra të tjerave në Shqipëri? Mos e detyroni më Lumturien të vjedhë energji, por jepini mundësi të jetojë me dinjitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë