Mendim

Një gotë alkool në ditë mbron zemrën, Mit apo Realitet?

Nga Prof Dr. Myftar Barbullushi- Përpos çdo mbrëmjeje, për më tepër në fundjavë, në rrugët e Bllokut, të plazmuara nga një lloj i caktuar e gati uniformë i muzikës ritmike, të pa kalueshme nga të rinj e nga makina të shtrenjta, në gjysmë errësirë përtej xhameve të lokaleve të pafund në numer, profilohen silueta elegante të rinjsh të mbuluara nga një vel tymi cigaresh e të fokusuara në gotat e alkoolit, verës, tekilës. Në orët e para të mëngjesit gëlojë taksitë që përcjellin disa nga viktimat e kësaj maratone që me kembet e veta, apo të mbajtur përkrahu nga dikush, drejtohen për në shtëpitë e tyre për të kompensuar gjumin e munguar, deri në orët e pasdites.

Përse kaq shumë të rinj kanë nevojë të pinë dhe shpesh edhe të dehen?

Për t'u "argëtuar",  për "modë", per t'u bëre "tapë" apo sepse nën efektin e alkolit është më e lehtë të bësh miq e sidomos "të lyesh e qetësosh me melhem" dhimbjet e dashurisë bashkëshoqëruese të moshave të reja.  Ky nuk përben aspak "news" nëse është e vërtetë se "Biri i Zeusit dhe Semeles" i dha verë njeriut për të harruar vuajtjen dhe dhimbjen".

Rreziqet e alkoolit

Alkooli ka shoqëruar gjithmonë historinë e njeriut. Kudo dhe kurdo, në çdo cep të botës, pa dallim në mes të veriut dhe jugut,  lindjes apo perëndimit. "Perëndia bëri ujin", ndërsa "Njeriu bëri verën ",  shkruan Victor Hugo në një nga kryeveprat e tij, La Fete Chez Therese. Në të kundërt, nuk  ka asnjë tekst të lashtë, nga Greqia në Palestinë, e deri në Kinë,  të cilët nuk ka folur për alkolin dhe sidomos dëmet e tij. Në të gjitha fetë ka referenca për të hequr dorë nga alkooli, për të paksuar konsumin e tij apo së paku për të mos e pirë në kohë të caktuara të vitit.

  Ai është si çdo drogë tjetër, ndoshta edhe më keq, sepse vret më shumë se heroina, kokaina dhe hashashi. Ka një lidhje të ngushtë, sipas studjuesve, mes alkoolit, përdorimit të drogës dhe krimit. Alkoli vret çdo vit 3.3 milionë njerëz në mbarë botën, pra, është përgjegjës i 5.9% të vdekjeve globale dhe shkaktar i 17.1% të aksidenteve rrugore. Në shifra, dëmet e alkoolit janë të krahasueshme me ato të duhanit dhe më shumë se SIDA, tuberkulozi apo sëmundjet kancerogjene.  

Në një studim të bërë në Angli, nga Instituti i Shëndetit, rezultoi se rreth 40% e adoleshenteve pinë çdo fund javë së paku 80 gram alkool (5 gota verë, ose 8 birra të vogla, apo 2.3 gota të vogla alkooli të fortë), duke profiluar kështu kontigjentin që kur të rriten të kenë predispozitë për t'u bërë pijanecë të rregullt. Ndërsa ne të rriturit, që cilët kanë filluar të pinë që në moshën 20 vjeç, vdekjet nga cirroza e mëlçisë janë 8 herë më shumë në raport me ata që nuk pinë.

Përse dhe si "vrasin" pijet ?

Çfarë ndodh në trurin dhe mëlçinë e atij që pi ?

  Alkooli vepron në nivel të substancave që rregullojnë transmetimin ndërqelizor të impulseve nervore,  të tilla si dopamina, katekolaminat dhe serotonina. Është pikërisht çlirimi i dopaminës që nxit euforinë dhe dëshirën për të folur, lehtëson marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, të bën të ndjehesh me i lirë dhe me i  plotfuqishem. Por, kur sasia e marrë e alkolit rritet shumë, pasohet nga një efekt frenues i trurit, bie tensioni i gjakut, humbet mundësia për të kontrolluar temperaturën e trupit, fillon vështirësia në frymëmarrje dhe se fundi vjen koma. Në këtë moment, vdekja është shumë pranë.   

Përpos trurit, edhe melçia vuan shumë nga përdorimi i alkoolit. Edhe marrjet e vogla të alkolit, por të përditeshme, çojnë në depozitim të yndyrnave ne mëlçi (steatozë e quajnë mjekët). Ky depozitim, shkakton një formë të inflamacionit (hepatit e quajnë mjekët) që jo rrallë mund të transformohet në cirozë dhe kancer të mëlçisë. Më shumë se 40-80 gram alkool në ditë për burrat dhe 20-40 për gratë, brenda 10-12 viteve, me siguri do të çojnë në sëmundje të mëlçisë.

Studimet e fundit kanë konfirmuar edhe një lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes së konsumit të alkoolit dhe rritjes së rrezikut për hemoragji cerebrale, sëmundje të zemrës, krizave fatale të tensionit të lartë, çarjes së aortës dhe të kancerit.

Një gotë alkool në ditë, Mit apo Realitet ?

Atë natë magjike, në verën e vitit 1991, nga një bar në Lyon, me një gotë vere në dorë, i frymëzur nga Paradoksi Francez, observimi epidemiologjik sipas të cilit francezët megjithëse konsumojnë më shumë vaj, gjalpë dhe yndyrë shtazore se vendet e tjera të Europes Perëndimore, vuajnë me pak nga sëmundjet e zemrës, frankofili Safer do të insistonte se enigma (paradoksi) franceze shpjegohej vetëm nga kjo gotë verë e kuqe e cila nëpermjet molekulave me veti antioksiduese, polifenet që ajo përmban, ka efekte mbrojtëse në shëndetin tonë dhe sidomos në zemër.   

Ju deshën vetëm 60 minuta historike, që i ndjeri Morley Safer të bindë amerikanët dhe të çimentojë në vetëdijen e tyre efektet mbrojtëse të verës se kuqe në zemër, reflektuar në faktin që vetëm në 5 vjet konsumi i verës së kuqe në amerikë të dyfishohej. Për më tepër konsumatori amerikan do të insistonte të pinte të njëjten verë që pinin francezët. 

Me pas, në korrik 1992, Safer, i pompuar si një star hollivudi, do ta shkelte akoma me fort gazin;  "Provat e efekteve pozitive të dozave të vogla (moderuara) të alkolit në shëndetin e njerëzve janë evidente dhe në rritje", duke çimentuar në psikikën amerikane justifikimin  në dukje të padurueshëm për të pirë rregullisht nga një  gotë vere franceze. 

Pavarësisht nga popullariteti i teorisë, Shoqata Amerikane e Zemrës thekson, në faqen e saj zyrtare, se nuk ka asnje lidhje statistikikore të perdorimit të verës me vdekshmërinë nga semundjet e zemrës, duke thyer shkencerisht mitin popullor që konsumi i moderuar i alkoolit është i mirë për zemrën. Ata insistojne  se shumë nga antioksidantët e perfshirë në verë, janë të pranishëm edhe në fruta apo dhe perime të tjera, ku spikat Brokoli.    

Kë do te zgjidhnit si antioksidant midis  Brokolit dhe veres Bordeaux ?- e pyetën themeluesin e institutit shkencor Mario Negri ne Bergamo, Silvio Garattini. Pa dyshim Brokolin, do të pergjigjej ai. Po nëse do të ishte gjallë Safer Morley ? - "A votre santé,” do të thoshte ai, duke ngritur një gotë vere.   

Ata pinë "për t'u argëtuar", "për t'u dehur". Sigurisht kanë të drejtë pasi "vera kënaq zemrën e njeriut" (Psalmet 103, 15), por ata duhet të mësojnë t'a gëzojnë atë në mënyrë të duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë