Mode

Një fotografi e Dior që ofendoi Kinën

Një fotografe kineze ka kërkuar falje për "paditurinë" e saj pasi një foto që ajo shkrepi për markën luksoze Dior shkaktoi zemërim.

Fotoja e Chen Man tregonte një grua për të cilën shumë njerëz thanë se përjetësonte stereotipet perëndimore të fytyrave aziatike.

"Ndjehem fajtore për atë që kam bërë, thjeshtë nuk kam qenë e informuar”, thotë Chen, 41 vjeçe.

Dior tha se fotografia, e cila u shfaq së fundmi në një ekspozitë në Shangai, është hequr nga puna.

"Dior, si gjithmonë, respekton ndjenjat e popullit kinez... Nëse ndodh ndonjë gabim, Dior është i hapur për të marrë komente dhe t'i korrigjojë ato në kohë", shkroi shtëpia e modës duke shtuar se fotografia ishte për një vepër arti dhe jo një reklamë komerciale.

Fotoja u shfaq fillimisht në 12 nëntor, por menjëherë shkaktoi një reagim dhe debat të madh tek njerëzit.

Në një editorial nga Beijing Daily, modelja në foton e Dior u përshkrua si me një "fytyrë të zymtë”.

“Fotografia po luan me markat, apo shijet estetike të botës perëndimore. Është një ofendim për popullin kinez”, thuhet në editorial.

Ndërkohë, një koment i China Women's News tha se imazhi i modeles i bën njerëzit të ndihen “jo rehat”.

Komentuesit në rrjetet sociale thanë se këto fotografi ishin një portret "fyes" i grave kineze, pasi atyre u mungonte lëkura e hapur dhe sytë e mëdhenj e të rrumbullakët që zakonisht vlerësohen nga shumë kinezë. Të tjerë thanë se marka ka projektuar një imazh "paragjykues" dhe "racist" të popullit kinez.

Në deklaratën e saj, Chen tha se ajo kishte "reflektuar thellë" dhe ishte ndjerë e detyruar të kërkonte falje pasi kishte lexuar "pothuajse çdo koment negativ" në lidhje me veprën e saj artistike.

"Kam lindur dhe jam rritur në Kinë. Unë e dua thellësisht vendin tim. Si artiste, jam plotësisht e vetëdijshme për përgjegjësinë time për të dokumentuar kulturën kineze dhe për të shfaqur bukurinë kineze përmes punës sime. Do të përpiqem të tregoj historinë e Kinës pikërisht përmes punës sime ", tha ajo.

Chen është një fotografe e njohur në botën e modës kineze. Ajo ka xhiruar kopertina për titujt kryesorë të revistave dhe ka fotografuar të famshëm si David Beckham.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë