Historia e shkurtër e jetës së gjatë dhe të vështirë të Ndriçim Kitës, që nuk u dorëzua kurrë
Në rrugën përkrah Katedrales ortodokse në Tiranë, çdo ditë dëgjon tingujt e një fizarmonike të vjetër, e të vetmuar. Kur shiu nis e bie, muzika pushon . Vetëm atëherë kalimtarët e përhershëm e kuptojnë se sot Ndriçimi, nuk ka ardhur.
“Zoti më ka lënë në terr, por emrin e kam të bukur. Më quajnë Ndriçim”
Ndriçim Kita, e humbi shikimin kur ishte 20 vjeç nga pakujdesia e mjekëve, Sot është 61 vjeç dhe i duhet të luaj pjesë në fizarmonik për të fituar disa para nga qytetarët, e për të ushqyer familjen.
“Më dha zoti dy çuna, njëri e ka mbaruar shkollën e i vogli është në vitin e parë për informatikë, duhet me e rrit edhe atë, me plotësuar detyrën si prind. Bashkëshorten e kam të sëmurë më kancer në kokë, por njeriu duhet t’i përballojë të gjitha në këtë jetë”, më tregon ai.
“Kam qenë 15 vite përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës, që kur kam mbaruar shkollën e lartë në 1981 edhe sot kur luaj këtu në rrugë, më duket sikur jam në studio”, thotë ai.
Shtëpinë e ka në Shën Avlash në Durrës, 37 kilometra larg kryeqytetit. Të ardhurat e familjes së tij janë vetëm ato që ai përfiton nga pensioni i tij si invalid dhe ato pak të ardhura që përfiton si muzikantë rruge.
Çdo ditë vetë i dytë me kujdestarin e tij vjen në Tiranë më shpresë se do të fitojë më shumë para. Por të ardhurat që Ndriçimi arrin të grumbullojë nga muzika e tij janë të pakta sepse vetëm udhëtimi dhe qëndrimi gjatë ditës në Tiranë kushton 12 mijë lekë të vjetra.
“Të ardhurat janë sa për të të qitur faqebardhë, pasi 12 mijë lekë në ditë i kam shpenzime. 8 mijë lekë shkojnë për transportin, ne jemi dy veta, por edhe 4 mijë lekë në ditë janë shpenzime për të ngrënë diçka, pasi sot as në tualet nuk të lënë të shkosh pa blerë ndonjë gjë në lokal”.
Por jeta e Ndricimit është bërë më e vështirë që prej një viti, pas bashkëshortja e tij e cila prej 21 vitesh ka qenë kujdestarja e tij, u diagnostikua me tumor në kokë dhe tashmë edhe ajo vet ka nevojë për kujdesje. 61- vjeçari i pikëlluar tregon se shprehet se bashkëshortja në 1 maj mori statusin e invalidit të grupit të dytë, por ai e riktheu këtë vendim pasi ajo ka nevojë për një person kujdestar.
Pamundësia, apo varfëria nuk e ka mundur njeriun i cili prej shumë vitesh jeton në errësirë, por që në shpirt ka shumë dritë.
61 vjeçari vazhdon të jetë një person aktiv në shoqëri me shpresën për tu kujdesur edhe për të tjerët. Ai drejton degën e shoqatës “Shpresa Katolike Shqiptare” në Durrës, ku së bashku me pjesëtarë të tjerë të kësaj organizate lufton për të ndërgjegjësuar institucionet për të treguar një kujdes më të madh ndaj të verbërve.
Drejtimin e kësaj shoqate Ndriçimi e bën në mënyrë vullnetare, ku dy herë në javë mblidhet së bashku me anëtarët e tjerë të shoqatës, të cilët në jetën e tyre përballen pothuajse me të njëjtat probleme si edhe Ndriçimi .
Sot është ditë e vrenjtur. Dielli fshihet herë pa here pas rreve të zeza, dhe vendin e tij e zënë pikat të lehta shiu. Ndriçimi lutet që dielli që i ka munguara prej kaq vitesh të zgjat më shumë sot.
Ndërkohë notat e muzikës nga fizarmonika e vjetër bëhen më të forta se herë ai kap me vesh tingullin e monedhës që dikush ka hedhur tek kutia pranë këmbëve .
..
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.