Analize

Një fitore e Rusisë në Ukrainë do të na rrezikonte të gjithëve

Nga Olaf Scholz- Mos kini asnjë iluzion: Një fitore e Rusisë në Ukrainë do të sillte jo vetëm fundin e Ukrainës si një shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur, por do të ndryshonte gramatikisht edhe fytyrën e Evropës që njohim sot. Ajo do t’i jepte një goditje të rëndë rendit botëror liberal.

Përpjekja brutale e Rusisë për të vjedhur me forcë territorin e një vendi fqinj, mund të shërbejë si një plan për udhëheqësit e tjerë autoritarë në mbarë globin. Më shumë vende do të rrezikonin të binin pre e fqinjëve të tyre grabitqarë. Ky skenar, është arsyeja pse SHBA-ja dhe Evropa e mbështesin luftën e Ukrainës për liri.

Udhëheqja e presidentit amerikan Joe Biden, ka shumë rëndësi për të siguruar që agresioni i Vladimir Putin të përballej me një përgjigje të bashkuar dhe të suksesshme. Deri më sot, Putin nuk ka arritur asnjë nga qëllimet e tij të luftës.

Ai mendoi se mund ta pushtonte brenda dy javësh kryeqytetin ukrainas, Kievin. Por pas 2 vjetësh, ai është ende larg arritjes së këtij objektivi dhe Ukraina po i reziston me guxim sulmit rus. Kjo ka ndodhur për shkak të luftës heroike të popullit ukrainas, por edhe si pasojë e mbështetjes financiare dhe humanitare të Perëndimit, si dhe i dërgimit në Ukrainë të shumë armëve dhe municioneve.

Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare, kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj financiarë i Ukrainës, duke kontribuar më shumë se 91 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës, të ndjekur nga SHBA-ja dhe Gjermania. Mbështetja ushtarake e Gjermanisë është e dyta pas asaj të Amerikës.

Që nga fillimi i luftës, qeveria ime ka rezervuar, blerë dhe dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, përfshirë tanke, artileri dhe sisteme të mbrojtjes ajrore me vlerë të lartë, me vlerë më shumë se 30 miliardë dollarë. Kjo është shoqëruar me mbështetjen jo ushtarake të Gjermanisë, duke përfshirë mirëpritjen e mbi 1 milion refugjatëve ukrainas, dhe pjesën tonë të mbështetjes nga BE-ja.

Mesazhi ynë është i qartë: ne duhet të bëjmë maksimumin për të parandaluar fitoren e Rusisë. Nëse nuk e bëjmë këtë, shumë shpejt mund të zgjohemi në një botë edhe më të paqëndrueshme, kërcënuese dhe të paparashikueshme se sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë. Pavarësisht mbështetjes sonë, Ukraina mund të përballet së shpejti me mungesa serioze në armë dhe municione. Disa paketa ndihme kanë mbaruar, dhe disa të tjera duhet të zgjaten në kohë. Pasojat dhe kostot afatgjata të dështimit për ta ndalur agresionin e Putinit, do të zhvlerësonin çdo investim që po bëjmë tani.

Atëherë, çfarë duhet bërë? Së pari, ne duhet të ruajmë mbështetjen tonë për Ukrainën. Më 1 shkurt, Këshilli Evropian vendosi të japë 54 miliardë dollarë shtesë ndihmë financiare për Ukrainën gjatë 4 viteve të ardhshme.

Kjo duhet të plotësohet me ndihmë ushtarake shtesë, ndaj unë u kam bërë thirrje kolegëve të mi evropianë që të marrin vendimet e nevojshme buxhetore. Ashtu si SHBA-ja dhe vendet e tjera aleate, Gjermania është e gatshme t’i sigurojë Kievit marrëveshje afatgjata bashkëpunimi mbi sigurinë, në mënyrë që Ukraina të frenojë Moskën dhe të mbrohet nga sulmet e ardhshme ruse.

Nëse do të mundet të zmbrapsë agresionin e Rusisë, si një vend shumë i industrializuar dhe një kandidate për të hyrë në BE, Ukraina do të jetë në gjendje të mbështetet tek një ushtri moderne e mirë-pajisur. Dhe kjo perspektivë e forcon sigurinë e të gjithëve.

Së dyti, ne duhet të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë strategjike në të dy anët e Atlantikut. Putin po përpiqet të dëmtojë unitetin tonë, dhe t’i kthejë qytetarët tanë kundër mbështetjes së Ukrainës. Të tjerë anembanë botës po e vëzhgojnë nga afër situatën, për të parë nëse mund të shfrytëzohen këto ndarje, dhe nëse mund të nisin fushatat e dezinformimit.

Ne duhet t’u tregojmë se e kanë gabim, duke i bindur qytetarët në të dyja anët e Atlantikut, se një fitore e Rusisë do ta bënte botën një vend shumë më të rrezikshëm. Gjithashtu do të sforconte shumë buxhetet tona, duke e vënë në rrezik lirinë dhe zhvillimin e secilit prej nesh.

Së treti, ne nuk e shohim veten në luftë me Rusinë, dhe nuk kërkojmë një përplasje me të. Ne do t’i rezistojmë çdo përpjekjeje për ta tërhequr NATO në luftën që ka nisur Rusia kundër Ukrainës.

Së katërti, duhet të jetë i besueshëm parandalimi dhe mbrojtja kolektive e NATO-s. Që kur kam marrë detyrën, Gjermania i ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes në nivelin 2 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto.

Ne ishim ideatorë të Nismës Evropiane të Mburojës Qiellore, për të rritur aftësitë evropiane në mbrojtjen ajrore, dhe do të vendosim një brigadë të plotë luftarake gjermane në Lituani, në krahun lindor të NATO-s. Sa më shpejt që Putin ta kuptojë se jemi gati të mbajmë këtë qasje për një kohë të gjatë, aq më shpejt do të përfundojë lufta në Ukrainë.

Mënyra e vetme, përmes së cilës ne mund të kontribuojmë për një paqe të qëndrueshme, është duke e ruajtur mbështetjen, unitetin dhe vendosmërinë tonë. Ne duhet të qëndrojmë për aq kohë sa do të duhet në krah të Ukrainës.

*Shënim: Olaf Scholz është kancelar i Gjermanisë.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati në shqip: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë