Lojra me Dore

Një besnike e Flamurtarit dhe e trofeve, si Artemida Myrto

Kur futbolli është në ditët e tij më të errëta, është basketbolli i femrave që mban lart flamurin në Vlorë. Pak ditë më parë Flamurtari fitoi Kupën e Shqipërisë, trofeun e parë sezonal, pasi mundi Partizanin në finale, ndërsa tani ka në shënjestër Superkupën dhe titullin kampion. U bënë vite që ky ekip, nën drejtimin e trajnerit Viron Toska, po dominon basketbollin e femrave në Shqipëri. Aktualisht ka në ekip edhe 4 lojtare të huaja, amerikane, serbe e maqedonase.

Artemida Myrto është lojtarja më besnike e Flamurtarit, më e vjetra në ekip (jo nga mosha). E ka filluar që 13 vjeç basketbollin, ka fituar çdo trofe në këto 20 vjet, 13 tituj kampion, 14 Kupa dhe 14 Superkupa Shqipërie, por kurrë nuk e ka menduar të largohet nga Vlora, sepse, siç thotë ajo në intervistën për Gazeta Si, nuk ka asnjë arsye ta bëjë një gjë të tillë. Pjesë e Kombëtares së basketbollit të femrave, fituese e një medalje bronxi në Skoci me të rejat. Është bërë nënë, por është kthyer shpejt si më parë. Në këtë intervistë Myrto tregon çfarë e bën të suksesshëm Flamurtarin, impaktin e trajnerit dhe lojtareve të huaja, përjetimet personale dhe objektivat e radhës.

Myrto me topin në kontroll gjatë një ndeshje me Kombëtaren. Gazeta Si, 8 shkurt 2020

Artemida, Flamurtari ka fituar një tjetër trofe pak ditë më parë, Kupën e Shqipërisë. Si ndiheni pas këtij suksesi të radhës?
Si pas çdo trofeu, emocionet janë të njëjta, pavarësisht se në karrierën time sportive ka shume trofe dhe çdokush mund të mendojë që vit pas viti përjetohet më pak. Pas një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse, kur rezultati i pritur vjen, normal që kjo sjell përjetim të çasteve të lumtura.
Cila është pika më e fortë e këtij Flamurtari, çelësi i suksesit?
Çelësi i suksesit normalisht duhet të mbahet sekret, por po e them: disiplina dhe fryma e grupit. Flamurtari asnjëherë nuk e bazon lojën në vlerat e një lojtare të vetme, por në vlerat e të gjithave së bashku.
Prej vitesh Vlora po dominon basketbollin e femrave. Çfarë do të thotë kjo për ju si vlonjate?
Është e vërtetë që prej 15 vitesh i kemi dhënë tonin basketbollit në Shqipëri dhe kjo për disa arsye: së pari Flamurtari ka mentalitet fitues dhe këtë ia injekton çdo lojtareje që vjen e re në skuadër. Së dyti, disiplina spartane që mbizotëron në këtë ekip dhe së treti korrektësia e trajnerit si në anën stërvitore, ashtu dhe në anën financiare dhe e fundit fryma bashkëpunuese që kemi me njëra-tjetrën.
Në skuadër keni edhe disa lojtare të huaja. Çfarë raporti keni me to, si janë ambientuar me Vlorën?
Ka disa vite që në skuadrën tonë kemi lojtare të huaja, të cilat janë kthyer në domosdoshmëri për t’iu përgjigjur nivelit të basketbollit vitet e fundit. Me sa di, ato janë të kënaqura këtu dhe janë lidhur shumë mirë me skuadrën. Përveç pjesës sportive, jemi shoqe shumë të mira edhe jashtë parketit. Fakti që dy prej tyre e kanë sezonin e dytë me Flamurtarin, tregon se ndihen mirë mes nesh.
Prej vitesh drejtoheni nga një trajner me përvojë si Viron Toska. Cili është roli i tij në skuadër, sa kërkues është?
Të stërvitesh me një trajner si Viron Toska është sa privilegj aq dhe sakrificë. E them këtë pasi nën drejtimin e tij ekipi ka fituar 47 trofe dhe eksperienca e tij gjithë këto vite është favor i madh për ne, por është edhe sakrificë, pasi ai është shumë kërkues në stërvitje dhe në momentin që hyn në fushë, duhet të jesh e përqendruar 100% tek ato që ai kërkon, plus faktit që është një natyrë që nuk negocion, kur vjen puna për fitoren, thjesht e do atë. Lojtarja që më së shumti ka punuar dhe është 100% prodhim i tij, jam pikërisht unë dhe jam e lumtur për këtë.

Duke festuar një trofe të Flamurtarit. Gazeta Si, 8 shkurt 2020

Objektivat e radhës?
Këtë sezon i kemi të gjitha fitore dhe me rezultat rekord do të thosha, sepse çdo ndeshje kemi shënuar mbi 100 pikë. Objektivat tona dihen tashmë, çdo sezon e fillojmë me të njëjtat objektiva, të fitojmë të gjitha trofetë e vëna në dispozicion nga FSHB-ja. Pas fitimit të Kupës së Republikës, presim të marrim Superkupën dhe titullin kampion.
Rivali më i fortë?
Mendoj se rivali më i fortë i këtij sezoni është Partizani, sepse ka ndërtuar një skuadër të re, por mjaft cilësore.
Flasim për aspektin personal. Pse nuk jeni larguar asnjëherë nga Flamurtari?
Në aspektin personal nuk kam menduar asnjëherë të largohem nga ky ekip, jo se nuk kam pasur oferta të tjera, por nuk kam pasur arsye për ta bërë. Ky ekip më ka dhënë gjithçka, më ka mbushur me emocione të shumta, më ka rritur si lojtare, më ka motivuar në çdo sekondë të jetës sime për të bërë më të mirën dhe më ka bërë të ndihem krenare, duke fituar kaq shumë trofe. Ku tjetër mund të ndihesha kështu?

Artemida Myrto, duke festuar me një trofe të fituar nga Flamurtari. Gazeta Si, 8 shkurt 2020

Çfarë emocioni është të kthehesh në parket, pas shkëputjes për lindjen e fëmijës?
Kthimi në parket pas lindjes është i vështirë në shumë aspekte. Shkëputja për një kohë të gjatë kuptohet që dëmton performancën sportive dhe kërkohet shumë vullnet dhe punë për t’u rikthyer aty ku ke qenë. Përveç kësaj, përgjegjësia e të qenit nënë është shumë e madhe dhe ti duhet të gjesh kohën për t’i bërë të gjitha. Vetëm se përpos vështirësive, ajo që i bën të gjitha këto shumë të thjeshta për t’u bërë është momenti kur ti mendon për engjëllin tënd që rritet dhe çdo ditë e më shumë kupton atë që ti bën, kupton sa emocion ju jep njerëzve dhe kjo është lumturia më e madhe.
Ju ndjek familja në pallatin e sportit gjatë ndeshjeve?
Familja gjithmonë ka qenë mbështetja ime kryesore, sidomos babai im, i cili nuk ka munguar në asnjë ndeshje timen. Sigurisht është merita e tyre që unë jam sot këtu dhe gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen pa kushte që më kanë dhënë që në hapat e mia të parë e deri tani.
Keni diçka për të shtuar?
Një falënderim kam për Bashkinë Vlore, që na ka mbështetur vazhdimisht, sponsorin tonë “MCN” me president Endri Meksin dhe i fundit në renditje, por jo nga rëndësia, për mbështetësin tonë kryesor dhe tifozin special të Flamurtarit, z.Bujar Leskaj!

Myrto ngre lart trofeun e Kupës së Shqipërisë. Gazeta Si, 8 shkurt 2020

Përbërja e Flamurtarit
Migena Plasa
Aida Palko
Adelajda Aliaj
Olta Rrapaj
Tea Memushi
Era Lloj
Sindi Bleta
Artemida Myrto
Parashqevi Kasaj
Breana Bey
Aleksandra Stojanovsca
Aleksandra Katic
Natalia Spaiç
Trajner: Viron Toska

Më Shumë