Analize

Një arsye pse mund të mos jemi aq të kërcënuar sa Koreja apo Italia

Shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në Itali ka ngjallur frikën se i njëjti skenar përhapjeje dhe bilanci tragjik mund të përsëritet edhe në Shqipëri. Por cilat janë mundësitë që ky skenar të ndodhë edhe në vendin tonë?

Për ta kuptuar këtë më mirë na vjen në ndihmë krahasimi mes Koresë së Jugut dhe Italisë. Në të dyja vendet pandemia shpërtheu thuajse në të njëjtën kohë, e po ashtu kanë edhe një popullsi të përafërt banorësh, (Italia rreth 60 mln banorë, Korea e Jugut 50 mln banorë).

Por, kur Korea raportonte pak më shumë se 3 mijë të infektuar dhe Italia rreth 4 mijë të tillë shkalla e vdekshmërisë ishte e ndryshme dhe shumë herë më e lartë në Itali. Ndryshimi pak lidhej me sistemin shëndetësor, pasi në indekset dhe renditjet globale të ofrimit të këtij shërbimi të dyja vendet janë thuajse në të njëjtin nivel.

Popillsia e Koresë së Jugut sipas moshës dhe rastet me COVID-19 të ndara sipas grupmoshave. Gazeta Si, mars 2020

Disa ia faturuan këtë ndryshim masave drastike të karantinimit që Korea mori pa vonesë, ndërsa Italia ngurroi, e sot po vuan pasojat me gati 25 mijë të infektuar, ndërsa Seuli raporton vetëm 8500 të tillë. Megjithatë, nëse do të merrej mostra e krahasimit me 8 mijë të infektuar në secilin prej vendeve, shkalla e vdekshmërisë sërish ndryshon. Numri fataliteteve është shumë më i lartë në Itali.

Popillsia e Italise sipas moshës dhe rastet me COVID-19 të ndara sipas grupmoshave. Gazeta Si, mars 2020

Ekspertët ndërkombëtarë e shpjegojnë këtë me faktin që Korea e Jugut ka një popullsi më të re se Italia. Kjo e fundit renditet në vendin e dytë në botë pas Japonisë për popullsinë më të plakur, duke lënë pas vetes direkt Gjermaninë. Numri më i lartë i popullsisë mbi 65 vjeç, sipas tyre, ka ndikuar në bilancin shumë më negativ të virusit në Itali sesa në Korenë e Jugut.

Si qëndron Shqipëria në krahasim me dy vendet?

Ndarja e popullsisë së Shqipërisë sipas grupmoshave deri më 1 janar 2019. Burimi: Instat

Italia ka gati 28 për qind të popullsisë së saj totale mbi 60 vjeç, ndërsa Korea e Jugut rreth 22 për qind të popullsisë mbi këtë moshë. Përveç të tjerave, 7.4 për qind e popullsisë italiane është mbi 80 vjeç dhe një pjesë e mirë e tyre janë përqëndruar në zonat e prekura fort nga koronavirusi, si Lombardia. Në Kore, janë vetëm 3.4 për qind e popullsisë totale mbi këtë moshë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, më 1 janar 2019 Shqipëria ka rreth 20 për qind të popullsisë së saj totale mbi 60 vjeç. Vetëm 2.6 për qind janë mbi 80 vjeç. Pra, shifrat tregojnë se vendi ynë ka një popullsi shumë më të re se Italia, e po ashtu më të re edhe se Korea e Jugut.

Gjithsesi, sipas paralajmërimit të ekspertëve mosha e re e një populli nuk duhet të shërbejë si argument që autoritetet e atij vendi të mos tregohen të kujdesshme në marrjen e masave kundër koronavirusit, që tashmë është një rrezik global ku vetëm ditën e diel u raportuan mbi 11 mijë raste të reja me të infektuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë