Para

Niveli i kredive të këqija po rritet sërish

Nga Gazeta “SI” – Pas një rënie graduale duke treguar një përmirësim të shëndetit financiar, kreditë e këqija janë rritur me 0.18% duke shkuar në 5.42% në muajin prill. Në muajin mars u arrit niveli i 5.2%, më i ulëti ndonjëherë.

Niveli i kredive të këqija lidhet me aftësinë paguese të konsumatorëve, dhe rënia prej 14 muajsh e këtij zëri tregonte atë që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e quante si rikthim i konsumatorëve në sjelljen normale.

Kjo ishte e njëjta periudhë kur besimi i konsumatorëve nuk ishte shumë pozitiv, por kishte tendenca rritëse lidhur me çmimet në rritje dhe nivelin e ulët të punësimit.

Njëkohësisht me rritjen e nivelit të kredive të këqija është ulur edhe stoku i depozitave të qytetarëve, duke treguar se shqiptarët po tërheqin kursimet e tyre nëpër banka, rreth 1 mld lekë vetëm në një muaj.

Rikthimi i rritjes së kredive me probleme është tregues edhe se cilat familje po prek nga rritja e çmimeve në vend.

Sipas një vrojtimi të BSH-së, kreditë u pranohen familjeve që kanë kryefamiljarët në punë dhe me të ardhura të qëndrueshme .

Pra familjet në nevojë kanë refuzimin më të lartë dhe ka më pak gjasa që ata të kenë një kredi.

Shqetësuese është shifra e familjeve shqiptare që nuk kursejnë. Sipas studimit 62% e familjeve në total nuk kursejnë, ndërsa pjesa tjetër po.

Gjithsesi rritja  e kredive me probleme është shumë herë me e vogël se kulmi në vitin 2014, kur arriti 24%. Por është e madhe në raport me progresion e bërë gjatë fazës së daljes nga pandemia dhe ndikimet nga kriza gjeopolitike në lindje të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë