Ngjarje

Nisin rregullat e reja të Kodit Rrugor/ Po pagove për 15 ditë gjobat ulen me 50%, zgjatet vlefshmëria e patentave

Në zyrat e shërbimit postar tashmë prej ditës së sotme ka nisur zbatimi i rregullave të reja për përgjysmimin e masës së gjobës së makinave nëse paguhet brenda afatit 15 ditor.

Më herët drejtuesit e mjeteve që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20% ulje. Tashmë me rregullat e reja me ndryshimet e miratuara në Kodin Rrugor, nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje.

LEXO EDHE:
- Ndryshimet për Kodin e ri Rrugor kalojnë për miratim në Kuvend
- Shoferët e rinj s’do lejohen të drejtojnë makina me fuqi të lartë motorike në 2 vitet e para. Zgjatet vlefshmëria e patentës

“Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 15 ditëve nga dita që gjoba regjistrohet ose vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 50% të vlerës”, përcaktohet në Kodin Rrugor të ndryshuar.

Rregullat e reja që nga përgjysmimi i masës së gjobës për makinat nëse paguhet brenda afatit deri te zgjatja e kohës së vlefshmërisë së patentave nga 10 vjeçare në 15 vjeçare, rritja e shpejtësisë maksimale për të qarkulluar në autostradë deri te ashpërsimi i gjobave nëse nuk zbatohet rregullat për fëmijët hynë në fuqi pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Për lejet e drejtimit afati i vlefshmërisë së tyre zgjatet me 5 vite. Konkretisht lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup-moshave, ishin të vlefshme për 10 vjet, nëse janë lëshuar për persona deri në moshën 50 vjeç,  5 vite për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare dhe 3 vjet për ata që i kanë kaluar të 70-at.

Me rregullat e reja lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE sipas grupmoshave janë të vlefshme për 15 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç. Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të parashikuara në nenin 117 të këtij Kodi, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.

Ndryshimet në Kodin Rrugor gjithashtu rrisin shpejtësinë maksimale të lejuar për të udhëtuar në autostradë nga 110 km/orë që ishte më përpara në 130 km/orë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë