Ngjarje

Nis sot Muaji i Ramazanit, për të dytin vit nën kufizimet e pandemisë. Hapet Xhamia e Et’hem Beut

Nisi sot për të gjithë besimtarët myslimanë Muaji i Ramazanit. Agjërimi dhe të gjitha ritet e tjera fetare zhvillohen për të dytin vit radhazi nën masa masa kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë së Covid-19. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët. Besimtarët nuk hanë ushqim dhe nuk pinë ujë deri në perëndimin e diellit, duke iu përkushtuar vetes edhe më shumë se zakonisht adhurimit të Zotit dhe frenimit të egos. Agjërimi nis me lindjen e diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu u uroi një ditë më parë të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë, ndërsa bëri apel që ky të jetë muaji i faljes, mëshirës dhe mirëkuptimit. Me një postim në Facebook, edhe presidenti Ilir Meta uron që Zoti t'ua shpërblejë sakrificën besimtarëve dhe t'i lehtësojë dhembjen çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash. “Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë”, shkruan Meta.
Edhe kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook, u ka uruar sot të gjithë besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë. “Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shkruan në profilin e tij në FB: “Le të shërbejë ky muaj për të na udhëhequr në rrugën e drejtë dhe përmes sakrificës e lutjeve tona drejtuar Zotit, të ndërtojmë një jetë më të mirë për popullin tonë, me më shumë mundësi dhe gëzim për çdo familje shqiptare”. Ai ka uruar besimtarët për një “agjërim të lehtë e të pranuar, dritë, shpresë dhe begati… për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.

Kalendari i Agjërimit, i publikuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët myslimanë që nisën sot muajin e Ramazanit. “Muaji i Shenjtë i Ramazanit që nisi sot, është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave që përballemi në familje, në shoqëri dhe në Shqipëri. Paqja dhe mirësia qoftë në zemrat dhe shtëpitë e çdo shqiptari!", shkruan Kryemadhi.

Xhamia e Et'hem Beut në Tiranë, gjatë kohës së rikonstruksionit

Ndërkohë pas një punë intesive prej gati 2 vjetësh, ka përfunduar rikonstruksioni i Xhamisë së Et'hem Beut në qendër të Tiranës, e cila hapet tashmë gjatë këtij Muaji të Ramazanit. Kjo është një xhami historike dhe një monument kulture, ndër më të rëndësishmit për kryeqytetin por edhe për të gjithë Shqipërinë. Xhamia e Et'hem Beut, është një nga 8 xhamitë më të vjetra, që i përket fundit të shekullit të 18, që i kanë mbijetuar të gjitha ndryshimeve politike, historike e kulturore në Shqipëri.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi besimtarët për Muajin e Ramazanit me këto pamje të Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë