Arsim

Nis PISA 2025, 6330 nxënës në Shqipëri do të vlerësohen për njohuritë në lexim, lëndët shkencore dhe matematikë

Nga Gazeta Si- Ka nisur sot testimi ndërkombëtar PISA 2025, që do të zhvillohet në 160 shkolla të vendit, ku marrin pjesë 6,330 nxënës 15-vjeçarë, për vlerësimin e njohurive dhe kompetencave të tyre në lexim, lëndët shkencore dhe matematikë, vlerësim që do të zhvillohet online.

Gjatë një takimi me mësuesit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, u shpreh se ky është një vlerësim që pasqyron nivelin e arsimit në vend, punën e të gjithë mësuesve dhe arritjet dhe kompetencat e fituara nga nxënësit e moshës 15 vjeçare.

“Unë jam e bindur që angazhimi i madh i nxënësve dhe mësuesve do të na bëjë ne te kemi rezultate të mira në rezultatin e radhës, tashmë jemi të përgatitur me mësuesit, me infrastrukturën e duhur sepse testimi është online për të tre degët”, tha Manastirliu.

Qëllimi i testit PISA (Programme for International Student Assessment) është të vlerësojë se sa mirë janë të përgatitur nxënësit 15-vjeçarë (zakonisht në klasën e 9-të ose të 10-të) në lexim, lëndët shkencore dhe matematikë, në kontekstin për të përballuar sfidat reale të jetës. Testimi do të zhvillohet sipas një kalendari në dy javët në vijim në shkollat në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë