Ngjarje

Nis në Shqipëri stërvitja më e madhe ushtarake. Kim: Jeni vend strategjik. Rama: Moment historik

Ka nisur të martën nga Durrësi, stërvitja ushtarake “Defender Europe 21“, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe, nga 27 shtete, që realizojnë operacione pothuajse të njëjta në më shumë se 30 zona stërvitjeje, në 12 vende.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi çeljen e stërvitjes më të madhe ushtarake që pret Shqipëria si aleate e NATO-s. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Peleshi tha se kjo stërvitje është një mesazh për "rivalët" që ndajnë vlera të ndryshme nga ato që ka përqafuar Shqipëria dhe SHBA.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi

Ai tha se kjo stërvitje shërben gjithashtu edhe si një konfirmim që Forcat e Armatosura Shqiptare janë në lartësinë e duhur me aleatët.

"Kjo stërvitje është shprehje e aleatëve për të qëndruar së bashku, FA si pjesë integrale e stërvitje kanë një mundësi të artë për të rikonfirmuar se janë në lartësinë e duhur. Dashuria e shqiptarëve për SHBA është e pakushtëzuar dhe ëndrra për t'u bërë pjesë e BE, kemi qenë në krah të aleatëve. Janë krenaria dhe dinjiteti i vendit tonë, do të bëhet testimi dhe koordinimi i porteve, aeroporteve me aleatët. Kjo stërvitje një mesazh për forcat rivale të vlerave tonë të përbashkëta, falenderojë SHBA që zgjodhën Shqipërinë për të përçuar këto mesazhe", tha Peleshi.

Në fjalën e saj, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, ka falënderuar pjesëmarrësit dhe është ndalur tek roli i Shqipërisë në NATO dhe rajon, duke thënë se potenciali i vendit tonë është gjithmonë në rritje.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim

“Jemi të nderuar që bashkohemi me ju. Roli drejtues i Shqipërisë është domethënës dhe roli i Shqipërisë vetëm rritet. Po të shikosh rajonin, Shqipëria është pritësja më e madhe në rajon. Roli i saj në NATO është më i rëndësishëm. Ju kanë luftuar krah për krah me ne. Ju jemi mirënjohës, se kur aleatët kanë nevojë për ju, jeni aty. E njohim trimërinë tuaj. Shqipëria është vend strategjik, sepse ofron një bazë të rëndësishme për krizat rajonale, - shtoi ajo. - Stërvitja demonstron aftësinë tonë për të hyrë në Europën lindore. Keni qenë të zëshëm në mbështetjen tuaj. Na keni mbështetur gjithmonë dhe na e keni treguar potencialin tuaj. Ju jemi mirënjohës”, - u shpreh Kim.

Më tej, fjalën e ka marrë  Gjenerali amerikan  dhe Komandant i Komandës Europiane të SHBA-ve, Tod Walters. Ai ka vlerësuar Shqipërinë si një komb që ka luajtur rol të madh në paqen në rajon, teksa ka kërkuar që pandemia të mos materializohet në krizë sigurie.

Gjenerali Tod Wolters, Komandant i Komandës Europiane të SHBA-ve dhe Komandant Suprem i Aleatëve Europian të NATO-s

“Dua të falënderoj këtë komb kaq të bekuar për atë që ka bërë dhe vijon të bëjë për paqen në rajon. Sot kemi provën e asaj që duhet të bëjmë, duhet të përmirësojmë transparencën strategjike që nuk është bërë që në 1940-ën”.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në ceremoni, deklaroi se Shqipëria do të qëndrojë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai u shpreh se kjo stërvitje është një pikë me rëndësi për marrëdhëniet me SHBA. “Për gjeneratën tonë është mrekulli e madhe që e kanë ndarë jetën mes dy botëve, asaj të errët dhe një bote ku ne mund të mirëpresim me krenari partnerët tanë. Unë dua të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri, edhe ju do t’ju ndodhë ajo që i ndodh të gjithëve, që sërish duan të kthehen, - theksoi Rama. - Shqipëria është një vend, ku, kush vjen, dëshiron të kthehet përsëri dhe unë kam besim që kjo do të ndodhë edhe me ju. Për ne është vërtet një moment historik dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë besnikërisht krah jush”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mbajti fjalën përmbyllëse të ceremonisë. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit u shpreh mirënjohës që për herë të parë NATO zhvillon një ushtrim të këtyre përmasave në Shqipëri dhe në rajon.

“Një mundësi të shkëlqyer për forcat tona të armatosura për të testuar aftësitë operacionale të njësive dhe të strukturave, jo vetëm të luftimit, por edhe atyre mbështetëse, duke rritur kështu nivelin e përgatitjes dhe ndërveprueshmërinë në përmbushje të misionit kushtetues dhe përgjegjësive tona ndaj aleancës.”

“Defender-Europe 21”, këtë vit ka përfshirë rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 kombe për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në më shumë se një duzinë kombesh, nga Baltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkan.

Dy anijet mbështetëse logjistike që transportojnë automjetet, mund të veprojnë në ujë të cekët dhe po punojnë pa ndërprerje për të sjellë pajisjet të tjera ushtarake.

Ndërkohë, një anije ushtarake britanike do të mbërrijë gjithashtu në ditët e ardhshme.

Stërvitja do të jetë pjesë e ushtrimeve shumëkombëshe ushtarake të udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender-Europe 21”, e cila është e përqendruar në parandalimin e agresionit dhe ndërtimin e gatishmërisë operacionale me NATO-n dhe një numër më të madh të aleatëve dhe partnerëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë