Ngjarje

Nis heqja e depozitave, banorët përplasen me Bashkinë dhe mbeten pa ujë

Mesditën e së premtes, banorët e një pallati në Njësinë Bashkiake 5, pranë shkollës "Edit Durham", janë konfliktuar me punonjës bashkiakë, pasi këta të fundit kanë tentuar të heqin disa prej depozitave që ndodhen në tarracën e pallatit të tyre, ndërkohë që banorët kanë mbetur pa ujë.

Sipas Klajdi Toska, një banor i këtij pallati që është konfliktuar me punonjësit dhe ka ngelur pa ujë, personat që kishin ardhur në pallat për të hequr depozitat nuk kishin një vendim të shkruar dhe ishin të pa identifikuar.

“Ne jemi dakord të hiqen depozitat se nuk mund të jemi kundër, kur bëhet diçka për të mirën e përgjithshme, por ne kemi afat deri në datën 30 për t’i hequr dhe ata nuk mund të vijnë këtu pa një vendim të shkruar, pa asnjë lloj letre”, tha Toska për Gazetën “Si”.

Që pas tërmetit të 26 nëntorit, ku depozitat u panë si një rrezik i shtuar për qytetarët, Bashkia e Tiranës vendosi që depozitat të hiqen, pasi konstruksioni i shumë pallateve nuk është i përshtatshëm dhe tashmë i amortizuar për të mbajtur depozitat.

Për sa i përket ngjarjes që ndodhi me këta banorë, Bashkia e Tiranës deklaroi për Gazetën “Si” se për mënyrën si hiqen depozitat ka një vendim të Këshillit Bashkiak, i cili shpjegon se “duhet të hiqen të gjitha depozitat nga pallatet që janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, por jo vetëm”. Por Bashkia, më pas, nuk u përgjigj lidhur me faktin se qytetarët në fakt kanë afat deri më 30 janar për të zhvendosur depozitat.

Por si do të furnizohen banorët me ujë?

Banorët e këtij pallati, por edhe disa banorë të tjerë të zonave përreth, i thanë Gazetës "Si" se nuk dinë se si do të furnizohen me ujë, pasi të hiqen depozitat. Gjithashtu, disa prej tyre që i kishin depozitat në bodrumet e pallateve thanë se shpeshherë ngelen pa ujë, për shkak të mos furnizimit të mjaftueshëm nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, nën varësinë e Bashkisë së Tianës. Depozitat nëpër pallate janë cilësuar të rrezikshme edhe nga inxhinierë të ndryshëm, të cilët prej kohësh kanë deklaruar se duhet gjetur një zgjidhje për këtë fenomen. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, inxhinieri Idlir Dervishi në një intervistë për Gazetën “Si”, deklaroi se depozitat e ujit janë një peshë e pallogaritur për strukturën e një pallati.

“Janë si një kat shtesë, që në rast të një lëkundjeje të fortë mund të shkëputen dhe të bien, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve, por edhe banorëve”, tha inxhinieri asokohe.

Bashkia e Tiranës tha për Gazetën "Si" se depozitat duhet të hiqen nga vetë banorët në bashkëpunim me administratorët.

“Depozitat janë pronë e banorëve dhe jo e Bashkisë. Nëse banorët duan t’i mbajnë depozitat në tarracat e pallateve, mjafton të marrin një certifikim nga Instituti i Ndërtimit që thotë se tarraca është në gjendje të mbajë peshën e depozitave,” sqaron më tej Bashkia.

Për sa i përket njoftimit të inspektorëve apo vendosjes së depozitave të përbashkëta edhe kjo është një detyrë e qytetarëve, ndërkohë që Bashkia mund të sigurojë vetëm lehtësimin për procedurën ligjore dhe marrjes së lejes për të vendosur depozitat.

Në maj të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj siguroi se Tirana do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë dhe se shumë shpejt do të niste çmontimi i depozitave të ujit, që sipas tij, janë një burim infeksionesh dhe shëmtojnë qytetin. Në atë kohë, kryebashkiaku nënshkroi një marrëveshje mes UKT dhe USAID dhe u shpreh se duke nisur nga ai muaj, taksat e pushtetit vendor do të ishin të përfshira në faturën e ujit. Por kanë kaluar tre vite dhe ky problem ende nuk është zgjidhur.

Bashkia është shprehur më herët se tre investimet e vitit 2019 nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë janë kryer për të sjellë një impakt të rëndësishëm në përmirësimin e furnizimit me ujë për kryeqytetin. Investimet parashikonin që një pjesë e mirë e qytetit të furnizohet me ujë në mënyrë të pandërprerë. Bëhet fjalë për zonat e banuara të Yzberishtit, Kodër-Kamzës, Bathores, Institutit Bujqësor, Kasharit, Selitës, Liqenit të Thatë etj. Ky ishte vetëm një nga tre investimet e mëdha të vitit 2019 nga kjo shoqëri, investim që u krye në të njëjtën kohë me ndërtimin e linjës së transmetimit nga liqeni i Bovillës në impiantin e trajtimit të ujit Bovillë, si dhe me zgjerimin e kapacitetit trajtues të vetë impiantit. Shuma totale e investuar për Rehabilitimin e Rrjetit Hidrik të Tiranës është 10.5 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë