Filma

Nis Festivali i Filmit në Kanë, mesazh edhe Zelenski

foto e jurise

Nga Gazeta Si - Të martën në mbrëmje filloi edicioni i 75-të i Festivalit të Filmit në Kanë, me prezantimin në ceremoninë e hapjes të filmit “Coupez” të Michel Hazanavicius. Përveç kastit të Copuez, ndër aktorët dhe aktoret e pritura në tapetin e kuq ishin Eva Longoria, Forest Whitaker, Julianne Moore dhe anëtarët e jurisë së festivalit: Vincent Lindon, Deepika Padukone, Noomi Rapace, Jasmine Trinca dhe Rebecca Hall.

Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili me anë të një video-mesazhi foli për përgjegjësinë e kinemasë në promovimin e vlerave të demokracisë dhe lirisë, duke iu referuar filmit “Diktatori i Madh” të Charlie Chaplin, nga i cili citoi pasazhin “urrejtja e njerëzve do të kalojë, diktatorët do të vdesin dhe pushteti që ata kanë hequr nga bota do t’u kthehet njerëzve”, duke folur për situatën aktuale të luftës në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Zelenski, në një video-mesazh

Festivali do të përfundojë më 28 maj dhe në garën kryesore janë 21 filma, ndër të cilët juria e kryesuar nga aktori Vincent Lindon do të zgjedhë se kujt do t’i japë Palmën e Artë. Më të priturat dhe më të komentuarat deri më tani janë: “Crimes of the Future”, një triller fantastiko-shkencor/horror me regji të David Cronenberg dhe me aktorë Léa Seydoux, Kristen Steëart dhe Viggo Mortensen; “Armageddon Time” e James Grey, e vendosur në vitet 1980 në Queens, ku luan Anthony Hopkins dhe “Tchaikovsky’s wife” e rusit (dhe disidentit prej shumë kohësh) Kirill Serebrennikov.

Gjithashtu në garë do të jenë edhe “Les Amandiers” nga Valeria Bruni Tedeschi, “The Eight Mountains” (me protagonistë Alessandro Borghi dhe Luca Marinelli) dhe “Nostalgia”, me regji të Mario Martone dhe me protagonist Pierfrancesco Favino. Do të prezantohet edhe External Night nga Marco Bellocchio, i cili në vjeshtë do të mbërrijë në Rai 1 në tri episode.

Kana është festivali më i rëndësishëm i filmit në Europë. Dhe ai është i tillë, edhe glamuroz edhe me mesazh politik. Por në kohë lufte në Europë, ky pretendim ka potencial për konflikt. Drejtori artistik, Thierry Frémaux, kishte njoftuar qysh herët se nuk dëshironte të priste asnjë delegacion zyrtar rus në edicionin e 75-të. Megjithatë, Frémaux rezervoi të drejtën për të përfshirë në program kineastët rusë.

Regjisori rus, Kirill Serebrennikov, tashmë është ftuar në garë me filmin e tij “Gruaja e Çajkovskit”. Frémaux argumentoi se ai nuk kishte marrë asnjë financim nga shteti rus. Serebrennikovi është në Kanë për herë të tretë. Rusi, i cili në Rusi ka qenë dy vjet nën arrest shtëpiak, tani jeton në Gjermani. Filmi tregon një episod biografik nga jeta e kompozitorit rus me famë botërore, Pjotr Çajkovski, i cili, për të fshehur homoseksualitetin e tij, u martua me një grua të re që ra në dashuri me të, duke e zhytur në një tragjedi.

Filmat më të rëndësishëm jashtë konkurrencës janë Elvis nga Baz Luhrmann, Top Gun: Maverick dhe Three Thousand Years of Longing, një film fantazi dhe romantik me regji të George Miller me Tilda Sëinton dhe Idris Elba.

Marrë nga Il Post, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë