Lojëra me Dore

Nikaragua, pandemia frenon boksin

Nikaragua, një ishull i lumtur apo i rrezikshëm? Koha do ta tregojë. Fakti është se shtetit të Amerikës Qendrore nuk i intereson aspak koronavirusi dhe vazhdon, të paktën në aspektin sportiv, në rrugën e nisur. Përveç futbollit, në Nikaragua po zhvillohet edhe një tjetër aktivitet sportiv që ka të bëjë me kontaktin fizik, boksi. Në Nikaragua është një sport me popullaritet në rritje, pavarësisht faktit se për momentin nuk ka nxjerrë kampionë të kalibrit si Alexis Arguello (një legjendë në Nikaragua).

Pikërisht në impiantin që mban emrin e Arguello, mbrëmë u zhvilluan tetë duele. Por më shumë sesa duelet e zhvilluara, ajo që ra në sy ishin masat e marra nga autoritet. Publiku që ndoqi ndeshjet, rreth njëqind vetë, ishin të pajisur me maska dhe doreza. Me maska ishin edhe boksierët bashkë me stafin e tyre, diçka e habitshme, pasi boksi është një sport që bazohet tërësisht te kontakti fizik: djersa, gjaku, madje edhe pështyma, e bëjnë të panevojshme përdorimin e maskave . Nuk është rastësi që gjatë kualifikueseve të lojërave olimpike të marsit, të mbajtura në Londër dhe të ndërprera në ditën e tretë mes protestave, një duzinë njerëzish, përfshirë sportistë dhe tifozë, kontraktuan virusin.

Një pikëpyetje më e madhe ka të bëjë me faktin se si do të veprohet në të tilla raste. Organizatori amerikan Bob Arum, (në mesin e klientëve të tij gjithashtu edhe kampioni botëror i peshave të rënda WBC, Tyson Fury ) po planifikon të organizojë një event në qershor: njëqind pjesëmarrës përfshirë boksierët, trajnerët, gjyqtarët, operatorët televizivë dhe vetëm dy njerëz në staf. WBC ka njoftuar se është në favor të ndeshjeve pa tifozë, me kushtin që të merren të gjitha masat paraprake shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë