Analize

Nigel Farage po ndërmerr një lëvizje të rrezikshme në Britani!

Udhëheqësi i Reform UK dha dorëheqjen si deputet vetëm për t'u rizgjedhur, me shpresën se do të tërhiqte vëmendjen nga dy hetime ndaj tij

Gazeta Si – Të martën, Nigel Farage – lideri i partisë populiste të krahut të djathtë Reform UK – njoftoi se do të jepte dorëheqjen si deputet për Clacton-on-Sea dhe do të kandidonte përsëri në zgjedhjet e pjesshme.

Ai e bëri këtë veprim – qëllimisht – pasi komiteti i etikës i Parlamentit Britanik, nisi një hetim të dytë mbi financat e partisë së tij, mes akuzave se kishte marrë miliona paund në donacione të paligjshme.

Farage deklaroi se donte t’u jepte votuesve të Clacton-on-Sea mundësinë për të “gjykuar veprimet e tij”, duke i paraqitur zgjedhjet si një betejë të “popullit kundër establishmentit” dhe si “një shans për të ngritur dy gishta lart ndaj të gjithë establishmentit”.

Kjo është retorikë tipike për Farage, i cili vazhdimisht është përpjekur ta portretizojë veten si një kampion të vlerave të popullit kundër korrupsionit të rendit të vendosur dhe medias kryesore. Reform UK aktualisht kryeson sondazhet në Mbretërinë e Bashkuar.

Pothuajse i gjithë establishmenti politik britanik e ka hedhur poshtë njoftimin e dorëheqjes së Farage si një dredhi për të larguar vëmendjen nga akuzat për financim të paligjshëm.

Si pasojë, udhëheqësit e të gjitha partive kryesore britanike (Konservatorët, Laburistët, Demokratët Liberalë, të Gjelbrit dhe të tjerë), kanë deklaruar se nuk do të paraqesin kandidatë në zgjedhjet e pjesshme – që pritet të zhvillohen midis gushtit dhe shtatorit – një vendim që kërcënon të minojë narrativën e Farage.

Kemi Badenoch, udhëheqësja e Konservatorëve – e cila përfundoi e dyta në zgjedhjet e fundit në Clacton-on-Sea – deklaroi se partia e saj nuk do të merrte pjesë në “këto zgjedhje të rreme, të cilat Nigel Farage po i orkestron për të shpërqendruar njerëzit nga ajo që po ndodh në të vërtetë”.

I vetmi person që ka njoftuar aktualisht një kandidaturë, është komediani Jon Harvey; ai kandidon rregullisht në zgjedhje të pjesshme duke veshur një kostum koshi plehrash nën pseudonimin Konti Binface, megjithëse nuk fiton kurrë. Nëse partitë i përmbahen planeve të tyre, gara në Clacton do të jetë midis Farage dhe Kontit Binface.

Në hetimin e parë kundër tij, Farage akuzohet se nuk ka deklaruar një donacion prej 5 milionë funtesh nga miliarderi dhe investitori i kriptomonedhave, Christopher Harborne, të marrë vetëm disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024 (në të cilat ai fitoi vendin për Clacton-on-Sea me 46.2 përqind të votave).

Rregullat parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar kërkojnë që të gjithë deputetët e sapozgjedhur të deklarojnë dhuratat ose donacionet e marra në 12 muajt para zgjedhjes së tyre që lidhen me “aktivitetet e tyre parlamentare ose politike”.

Megjithatë, ata nuk janë të detyruar të deklarojnë donacionet dhe përfitimet me natyrë “thjesht personale”.

Farage ka pohuar se donacioni binte në këtë kategori dhe se ai i përdori fondet për të mbuluar kostot e sigurisë personale.

Ai ka mbrojtur vazhdimisht atë që ai e përshkruan si të drejtën e mbajtësve të posteve publike për të marrë donacione nga individë të pasur.

Në hetimin e dytë, të zbuluar javën e kaluar, organi mbikëqyrës parlamentar e akuzon atë për mosdeklarimin e fondeve të ofruara nga financuesi dhe bashkëpunëtori i ngushtë, George Cottrell, gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024.

Mbështetja financiare e Cottrell, thuhet se përfshinte pagesën për stafin e sigurisë dhe mediave sociale të Farage, si dhe qiranë për një pronë pranë Pallatit Buckingham që Farage përdorte.

Në vitin 2017, Cottrell kreu tetë muaj burg në Shtetet e Bashkuara pas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë në një rast ku ai u përball me akuza për pastrim parash, mashtrim me para në dorë, shantazh dhe zhvatje – vepra penale që mund të kishin mbartur një dënim deri në 20 vjet.

Edhe në këtë rast, Farage i mohoi të gjitha pretendimet, ndërsa avokatët e tij dhe të Cottrell-it e përshkruan financuesin si “një vullnetar të papaguar, pa ndonjë rol zyrtar në Reform UK, njësoj si mijëra anëtarë të tjerë të partisë”.

Nuk është plotësisht e qartë se çfarë shpreson të fitojë Farage nga këto zgjedhje të pjesshme, duke pasur parasysh se hetimet ndaj tij do të vazhdojnë pavarësisht nëse ai rizgjidhet apo jo.

Për më tepër, nëse vërtetohet ndonjë shkelje, komisioni mund të kërkojë pezullimin e tij si deputet, duke shkaktuar një proces që mund ta detyrojë atë të përballet me një tjetër zgjedhje të pjesshme brenda pak muajsh.

Farage mund të përpiqet të tregojë se ai ende mban një mandat nga elektorati, pavarësisht hetimeve të vazhdueshme.

Ai ka të ngjarë të përpiqet gjithashtu të rivendosë popullaritetin e tij: Reform UK ka kryesuar sondazhet për më shumë se një vit, megjithëse mbështetja ka rënë pak në muajt e fundit; në të njëjtën kohë, konflikti i brendshëm partiak është intensifikuar midis atyre që favorizojnë një ndryshim drejt një qëndrimi më të moderuar dhe atyre që shtyjnë për pozicione edhe më ekstreme.

Megjithatë, partia arriti rezultate të shkëlqyera në zgjedhjet lokale të majit ndaj Partisë Laburiste të kryeministrit Keir Starmer – megjithëse vetë Starmer njoftoi dorëheqjen e tij në qershor.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë