Ngjarje

Ngujimi, një grup studentësh e gdhijnë tek Ekonomiku

Studentët në këtë fillimviti kanë gjetur një formë tjetër proteste, atë të ngujimit nëpër fakultete.
Studentët e Fakultetit Ekonomik edhe mbrëmë e kanë gdhirë në mjediset e brendshme të fakultetit, duke sfiduar edhe temperaturat shumë të ulëta.
Mësohet se gjatë natës në fakultet e kanë gdhirë rreth 50 studentë.
Ata theksojnë faktin që nuk janë partiakë, pasi kanë si qëllim të vetëm arsimin cilësor dhe të drejtat legjitime. Sipas tyre, bojkoti i mësimit do të vazhdojë deri në plotësimin tashmë të 9 kërkesave të tyre.

Lidhur me vendimin se çfarë do të bëjnë më vonë, studentët janë shprehur që do bëjnë një mbledhje në orën 18:00 për të vendosur për mënyrën si do të vijohet.

Po ashtu, ditën e sotme ata u kanë nisur një letër qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare, ku kërkojnë që të mos pengohen në protestën e tyre.

Ndërkohë, te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe te Fakulteti i Arkitekturës studentët thonë që kanë dhënë urdhër të mos hyjë njeri.
Studentët që kanë qenë brenda gjithë natën, pasi kanë dalë nuk janë lejuar të futen përsëri në ambientet e fakulteteve. Nuk lejohet asnjë lloj kontakti me ata që janë brenda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë