Ka ndodhur

Ngordhja masive e pulave, Ministria e Bujqësisë: Sëmundja nuk rrezikon njerëzit

Gazeta Si - Ngordhja e një numri të madh shpendësh në tre pulari në Durrës, duket se nuk ka asnjë rrezik për njerëzit.

Në një reagim të radhës, Ministria e Bujqësisë, thotë se nuk bëhet fjalë për një grup shpendësh, por për një tjetër sëmundje, të quajtur “laringotrakeiti infektiv”.

Sipas ministrisë, kjo sëmundje prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe se nuk ka asnjë rrezik që të kalojë nga shpendët te njerëzit.

Sa i përket shifrave të shpendëve të ngordhur, ato nuk përputhen mes vetëdeklarimit të pronarëve të pularive një ditë më parë dhe konstatimit të ministrisë këtë të premte.

Kjo e fundit thekson se kanë ngordhur 200.000 pula, ndërkohë që pronarët e pularive këmbëngulin që shifra ka shkuar në rreth 500.000.

“Laringo-trakeiti infektiv nuk është një sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë. 

Ministria siguron konsumatorët se deri më tani nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influence aviare (gripi i shpendëve), duke shtuar se në subjektet e tjera shpend-rritëse për vezë e mish, në të gjithë territorin e vendit, AKVMB ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundueshmërisë dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë rast.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë