Politike

Si familja “e vet” politike i hapi rrugën drejt burgut Lefter Kokës

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u prangos të martën paradite në banesën e tij, me “bekimin” e ish familjes së tij politike në më shumë se një dekadë, LSI

Koka, për ironinë e fatit, i pa prangat në dorë edhe nga kallëzimi penal i “llogaritares” Monika Kryemadhi, të cilën preferonte ta cilësonte si të tillë, sa herë që kjo e fundit në 10 muajt e këtij viti ka folur për lidhjet e tij në aferën e incenetarorëve.

Ndaj Lefter Kokës, të cilin LSI-ja e përfshiu në “gjirin” e saj qysh prej vitit 2007, (kur u zëvendësua nga PS me Vangjush Dakon), dhe e “lëshoi” në vitin 2019, pati tre kallëzime penale.

Monika Kryemadhi i rikujtoi publikut vetëm pak orë pas arrestimit të tij tre kopje të kallëzimeve penale, që ajo kish depozituar në SPAK qysh prej muajit mars të këtij viti. Një prej tyre në fakt është marrë seriozisht nga SPAK kallëzimin e së cilës prokuroria e posaçme i ka bashkangjitur një më të hershëm depozituar nga PD-ja për inceneratorin e Elbasanit.

Kallëzimi i fundit i LSI ishte ai për inceneratorin e Fierit në fund të tetorit.

Në padinë e fundit, LSI e akuzonte Lefter Kokën për shkelje në kontratat e inceneratorëve që sipas kësaj force politike kishte provuar veprën penale: ‘Shpërdorim detyre si ish-ministër dhe   ‘Shkelje e Barazisë së Pjesëmarrësve në Tendera’.

Në një tjetër kallëzim atë për inceneratorin e Tiranës, LSI akuzoi Kokën se kish kryer veprën penale për shpërdorim detyre; fshehje të ardhurash; mospagim taksash apo pastrim i produkteve te veprave penale.

Më shumë se 5 vepra penale në tre kallëzime penale për 10 muaj që LSI-ja i drejtoi SPAK-ut për ish-“kumbarin” e tij në Durrës.

Historiku

Lefter Koka është i vetmi person që ka provuar të treja nivelet e pushteteve, atë vendor, atë ekzekutiv dhe atë legjislativ që në karrierën e tij politike ka bërë kapërcimin e dyfishtë nga Partia Socialiste te LSI dhe nga LSI të Partia Socialiste.

I lindur më 4 gusht të 1964-në Durrës, ai u zgjodh në 2003 kryebashkiak i këtij qyteti nga sigla e Partisë Socialiste. Do të ushtronte këtë detyrë për një mandat, deri në 2007, kur në vend të tij, PS kandidoi Vangjush Dakon, që më parë kishte mbajtur post drejtues te hipotekat e qytetit.

Në këtë moment bën kapërcimin për te Lëvizja Socialiste për Integrim. Në 2009 emërohet drejtues qarku i kësaj partie në Durrës dhe në zgjedhjet parlamentare të atij viti siguron mandatin e deputetit nën siglën e LSI-së, duke i dhënë kësaj force politike një nga katër mandatet e arta që e futën më pas në qeveri me Sali Berishën.

Në 2013-n, këtë herë në koalicion me PS rizgjidhet deputet i LSI-së po në Durrës. Në qeverinë propozohet nga LSI për postin e ministrit të Mjedisit, që e mban deri në zgjedhjet e 2017-s. Udhëheq sërish fushatën e LSI-së në Durrës dhe rizgjidhet së bashku me Nora Malajn, por këtë herë mbeten në opozitë, pasi PS i fitoi e vetme ato zgjedhje.

Kthesën tjetër të madhe në karrierën e tij e bën në shkurt të 2019-s, kur sfidon vendimin politik të LSI-së për të djegur mandatet dhe mbetet deputet në Kuvend. Pas këtij momenti nisi shqiptimi për herë të parë i akuzave nga ish-partia e tij për aferë korruptive me incineratorët.

Në zgjedhjet e 25 prillit kandidohet nga Partia Socialiste i renditur i shtati, një vend para Kryeministrit Edi Rama, që e vendosi veten të tetin në këtë qark, ashtu si edhe në Vlorë. Por, pas marrjes së mandatit të deputetit, Lefter Koka njoftoi dorëheqjen përmes një letre publike.

Dorëheqja publikisht u duk si e papritur, por nën zë përflitej prej kohësh për një hetim të nisur pa shumë bujë ndaj tij nga ana SPAK për çështjen e incineratorëve. Njëra padi ndaj Kokës u dorëzua tetorin e 2020 nga ana e Partisë Demokratike, që kallëzonte edhe biznesmenët që sipas opozitës qëndrojnë pas aferës së incineratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Koka përflitet gjithashtu se është në listën e personave të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithëse ndryshe nga Sali Berisha, Vangjush Dako, Tom Doshi dhe Adriatik Llalla, emri i tij nuk është përmendur publikisht.

Gjithsesi, Koka e justifikoi dorëheqjen me “momentin e duhur për t’u tërhequr nga politika dhe hapur një cikël të ri në jetën e vet”.

Koka nuk jep shumë shpjegime mbi arsyet. Por nënvizon se “është koha për t’u lënë stafetën të tjerëve”. “2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë”, shkruan ai.

“Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!”, thotë Koka, që e mbyll letrën publike të dorëheqjes duke thënë se “sot Shqipëria është një vend më i mirë se dje”.

Ai u largua nga politika, por jo akuzat e politikës të ngritura ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë