Shendet

Ngjyrat e tatuazheve kancerogjene, Ministria italiane e Shëndetësisë i heq nga tregu

Ministria Italiane e Shëndetësisë ka njoftuar masat e marra lidhur me tatuazhet. Nëntë pigmente me ngjyra janë tërhequr nga tregu sepse përmbajnë substanca kancerogjene ose që provokojnë alergji. Ngjyrat e hequra nga tregu janë: “Sailor Jerry Red”, “Black Mamba”, “Green Beret”, “Hot Pink”, “Krem Banane”, “Feed Green”, “Feed Red Light” dhe “Blue Iris”.
Vendi fqinj shqetësimin e ngjyrave të tatuazheve nuk e lidh vetëm me faktin se ato përmbajnë alergjenë të lartë, por edhe për të zbatuar një direktivë evropiane që ngre shqetësime serioze për lidhjen e pigmenteve me kancerin.

Pse rreziku po nënvizohet tani?
Gjetjet e fundit shkencore po shkojnë në drejtim të kundërt me rritjen e popullaritetit të tatuazheve; aktualisht 12 përqind e europianëve kanë një tatuazh, por kjo përqindje rritet në grupmoshat 18-35 vjeç. Meqënëse boja mbetet përgjithmonë në trupin e njeriut, ajo mund të jetë në çdo kohë një kimikat i dëmshëm.
Bashkimi Evropian është i shqetësuar për mungesën e informacionit se çfarë kimikatesh përbëjnë bojën që përdoret për tatuazhet. Megjithëse përbërësit e bojërave supozohet të jenë të identifikueshëm dhe të kenë të shkruajtur çfarë përmbajnë dhe nëse përmbajnë lëndë të dëmshme; në të gjithë Europën nuk ka standardizim. Shumë ngjyra që përdoren janë të importuara në Europë dhe origjina e tyre mbetet e dyshimtë.
Shqetësimi i Bashkimit Evropian
Duke parë mungesën e ligjeve rregulluese dhe mungesën e studimeve për efektet në afatgjatë, Agjencia Europiane e Kimikateve sugjeroi masa shtrënguese për bojërat e tatuazheve që në tetor të 2017-ës. Sipas kësaj agjencie, janë rreth 4000 substanca të cilat janë ndaluar të përdoren në lëkurë në produktet kozmetike dhe sigurisht, agjencia nuk dëshiron që ato të depozitohen edhe nën lëkurë. Shqetësimet më të mëdha lidhen me alergjitë që shkaktojnë këto substanca, por edhe me riskun potencial se ato mund të shkaktojnë kancer, dëmtim të ADN-së apo efekte negative në sistemin riprodhues.
Pra, cila është prova që tatuazhet shkaktojnë kancer?
Me gjithë rekomandimet dhe shembujt e kimikateve karcinogjenike që gjenden në bojërat e tatuazheve, Agjencia Evropiane e Kimikateve pohon se nuk ka prova për një lidhje direkte mes tatuazheve dhe kancerit. Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që kjo nuk mund të jetë duke ndodhur.
Dy janë shqetësimet që lidhen me injektimin e kimikateve nën lëkurë (në dermë): thellësia nën shtresat e lëkurës dhe efektet në afatgjatë kur pigmenti shpërbëhet me kalimin e viteve.
Në 2017 një studim franko-gjerman i publikuar në “Scientific Reports”, gjeti prova që grimca të pigmentit të tatuazheve ishin depozituar në gjendrat apo nyjet limfatike, të cilat janë pika të rëndësishme filtrimi përgjatë sistemit të qarkullimit për qelizat imunitare të trupit. Studimi bënte fjalë për gjetjen e elementëve të ndryshëm toksikë të ndaluar nga OBSH, të tilla si kromi apo nikeli.
Studimi gjeti gjithashtu Hidrokarbone Aromatike Policiklike (PAHs) në bojën e tatuazheve, kryesisht në bojën e zezë. Komponentë të tjerë të rrezikshëm përfshinin bariumin, mërkurin, aminet dhe ngjyrues të ndryshëm.
Por gjithsesi efekti i këtyre grimcave në afatgjatë shtrihet në vite apo dekada, dhe kjo e bën të vështirë përcaktimin nëse kanceri ka shkaktar pikërisht bojën e tatuazheve apo ndonjë gjendje tjetër. Për këtë, mjekët thonë se duhen studime dhe të dhëna epidemiologjike, për të zbuluar nëse njerëzit e tatuazhuar janë më të prirur të preken nga kanceri sesa të tjerët.
Heqja me lazer nuk është zgjidhja
Agjencia Evropiane e Kimikateve u ka rekomanduar gjithsesi të gjithë njerëzve me tatuazhe që të kenë një shqetësim të shtuar dhe të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme rutinë mjekësore. Atyre që dëshirojnë të bëjnë një tatuazh të ri, kjo agjenci u rekomandon t’i kërkojnë patjetër tatuatorit prejardhjen dhe cilësinë e bojërave që përdor.
Nga ana tjetër, këshillon fort të gjithë ata që tashmë janë bërë pishman për tatuazhin e tyre dhe duan ta heqin nëpërmjet procedurës me lazer. Kjo procedurë konsiston në shkrirjen dhe shpërbërjen e pigmentit në grimca më të vogla, të cilat bëhen edhe më lehtësisht të depërtueshme dhe të qarkullueshme në trupin tuaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë