Ngjarje

Ngjarja tragjike, humb jetën ish-lojtari i Spanjës, Antonio Rejes

Bota e futbollit në zi. Ka humbur jetën në një aksident rrugor Hose Antonio Rejes, ish-futbollisti i Seviljes, Arsenalit, Realit, Atletiko Madridit dhe kombëtares së Spanjës. Një ngjarje tragjike, që ka tronditur jo vetëm Spanjën. Ka rezultuar fatal aksidenti rrugor në Utrera, qyteti i lindjes së futbollistit 35-vjeçar, që së fundi luante në Divizionin dytë në Spanjë, me Ekstremadurën.

Nuk është ende e qartë dinamika e përplasjes fatale të automjetit me të cilin udhëtonte Rejes. Lajmi për ndarjen nga jeta të këtij futbollisti është bërë i ditur nga klubi i Seviljes, me një postim ngushëllues në Tuiter.

https://twitter.com/SevillaFC_ENG/status/1134777067017555969

Antonio Rejes është një nga futbollistët më të njohur spanjollë të viteve të fundit. Gjatë karrierës së tij Rejes ka veshur fanella të klubeve prestigjioze, siç janë Sevilja, Real Madrid, Atletiko, Espanjol dhe Kordoba. Jashtë Spanjës, sulmuesi ka luajtur dy sezone për Arsenalin, në periudhën 2004-2006, me Benfikën në Portugali dhe në Kinë me ekipin Xinjiang Tianshan Leopard. Rejes ka qenë pjesë e kombëtares spanjolle në Botërorin e 2006-ës, që është zhvilluar në Gjermani. Me fanellën e Spanjës ka shënuar 4 gola. Mesazhet ngushëlluese për këtë ngjarje tragjike në futboll janë postuar nga e gjitha bota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë