Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit për PD-në, Gazment Bardhi dha një deklaratë në mbrëmje vonë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë mes tyre edhe një efektive e Policisë.
“Fillimisht dua të shpreh në emër të Partisë Demokratike keqardhjen për ngjarjen e rëndë dhe ngushëllimet familjes së të ndjerit, si dhe shërim të shpejtë të gjithë personave të plagosur dhe efektives se Policisë së Shtetit. Asgjë nuk është më e rëndësishme se siguria publike, se jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Për këtë i kërkoj policisë dhe prokurorisë të kryejnë një hetim të plotë, profesional dhe transparent për gjithë ngjarjen, për shkaqet, motivet dhe autorët.
Konflikti politik i nxitur nga Partia Socialiste që prodhon tension cdo moment, në përpjekjen për të mbajtur pushtetin me cdo kusht, dhe për të mos lënë qytetarët të votojnë të lirë, nuk ndihmon Elbasanin, nuk e ndihmon procesin zgjedhor, nuk e ndihmon Shqipërinë dhe shqiptaret qe jane te etur per ndryshim…” tha Bardhi.
Ajo që ka ndodhur të mërkurën sipas tij është përgjegjësi e Taulant Ballës.
“Angazhimi i eksponentëve të krimit të organizuar në zgjedhje dhe nxitja për të kryer krime elektorale është përgjegjësi e tij. Ai po bën cdo gjë të paligjshme, qe te ruaje privilegjet, qe te ruaje pushtetin e tij personal.
Taulant Balla nën panikun e humbjes po bashkëpunon me bandat e tij, në përpjekje për të organizuar si ne zgjedhjet e kaluara strukturat kriminale te blerjes së votës”, tha ai.
Bardhi më tej ka dhënë versionin e tij për dinamikën e ngjarjes.
“Sot kur morëm informacione te sigurta, që një automjet pa targa po levizste në lagjen 5 Maj, e drejtuat nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demostrative, po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti, ne njoftuam strukturat e Mbrojtjes e Votës, te shkonin ta verifikonin. Strukturat e Mbrojtes se Votes kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe asnjë precedent penal. Pasi kjo njesi e verifikoi informacionin, ato kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtpërdrejtë Drejtori i Policisë Vendore Elbasan.
Pas mbërritjes së disa efektivëve të Policisë së Shtetit, me në krye Nëndrejtorin e Policisë Elbasan, strukturat tona kanë kërkuar që Policia të kryejë veprimet proceduriale në përputhje me ligjin. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara.
Në këto makina ndodheshin anëtarë te krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të Elbasanit në Ditën e Verës…,”tha ai.
Më tej, Bardhi thotë: “Në këtë moment, në prezencë të Policisë së Shtetit, në tentativë për të mundësuar largimin e makinës dhe personit që po blinte vota, një nga personat qe dyshohet te jete Klement Xhaferri, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar nga strukturat tona, ka nxjerr armën dhe ka qëlluar në drejtim të anëtarëve të Strukturës për Mbrojtjen e Votës. Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan. Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve”.
Bardhi ka kërkuar që prokuroria të hetojë në mënyrë të plotë, të paanshme, të shpejtë dhe transparente për ngjarjen. Sipas tij, e gjithë zona është e pajisur me kamera sigurie dhe pamjet mbi ngjarjen janë evidente dhe mund e duhet të bëhen publike.
“Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi im, sic u dezinformua me dashje media. Unë jam prej ditës së parë në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe nga ekipi im, dhe nuk kam nevojë për badigardë.
Por po, ai është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
I bëj thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në qarkun Elbasan.
Ne e refuzojmë dhunën. Elbasani meriton rend e qetësi, meriton zgjedhje të lira e të ndershme”, përfundoi deklaratën Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.