Ngjarje

“Ngelësit” që detyruan qeverinë që të tërhiqet!

“Cicërima” e Kryeministrit Edi Rama pas ditës së parë të protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku shkruante ndër të tjera se ministrja Lindita Nikolla u kishte kërkuar dekanëve që të rishikojnë VKM-në për tarifat mbi kreditet e provimeve të mbartura, nuk qetësoi të rinjtë.

Ata u mblodhën këtë të enjte shumë më të shumtë në numër para godinës së Ministrisë së Arsimit dhe përforcuan kërkesën për anulimin e VKM-së së 21 majit, sipas të cilës tarifohen kreditet e lëndëve të mbartura. Në pikën 4 të saj, kjo VKM përcakton tekstualisht se “studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”.

Vetë protestuesit, më shumë se sa postimi në Tëitter i Kryeministrit për rishikimin e kësaj VKM-je ishin përqendruar tek komenti në Facebook i kreut të Qeverisë, ku në përgjigje për një ndjekës të tij deklaronte se tarifa paguhej vetëm nga studentët “ngelës”.

Protesta pati edhe në universitetet e rretheve, në Durrës, Elbasan, Korçë e Shkodrës, por epiqendra e tubimit ishte në Tiranë. Këtu, protestuesit hodhën letra higjenike në oborrin e Ministrisë, ndërsa një grup studentësh të Infermierisë në Universitetin e Mjekësisë varën në kangjellat rrethuese bluzat e bardha me mbishkrimin “Ngelësit që kërkon Gjermania”.

Studentët e Universitetit të Mjekësisë varin paraMinistrisë së Arsimit bluzat e bardha

Studentët ndjeheshin të përbuzur dhe të ofenduar nga deklarata e Kryeministrit Edi Rama, që i quajti “ngelës” dhe tani nuk kërkuan vetëm tërheqjen e VKM-së që tarifon kreditet e lëndëve të mbartura, por edhe përgjysmimin e tarifës së shkollimit dhe ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë të 2015, ku t’u jepet zë në bordet universitare vendimmarrëse që përcaktojnë tarifat arsimore.

“Unë s’jam ngelëse, por edhe nëse do të isha nuk do të ishte hataja. Hataja është se përse duhet të paguajmë për të njëjtën lëndë kur paguajmë njëherë tarifën e shkollimit?!”, thotë Ida, studente në Universitetin e Mjekësisë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2008995419194219/

Mes protestuesve gjen me dhjetra studentë që thonë se lënë me vetëdije për një notë më të mirë provime për në vjeshtë. “Unë luftoj për mesatare të lartë dhe kur nuk jam i bindur se do të marr një notë mbi 8 në provim, nuk futem fare në të dhe e lë për në sezonin e vjeshtës”, pohon Dajeni. Ai na thotë se është në vit të dytë për Inxhinieri Mekanike. “Kam ngelur një vit se më duhej të punoja për të mbajtur veten. Jam nga fshatrat e Fierit dhe familja ime e ka të pamundur që të përballojë koston e jetesës time në Tiranë, ndaj kam punuar”, thotë ai.

Protestës i ishin bashkuar edhe një numër pedagogësh e artistësh. Mes pedagogëve ishte edhe pedagogu i Fakultetit Ekonomik, Dr. Llesh Lleshaj.

Dr. Llesh Lleshaj

“Që në momentin që në 2015 ka dalë ky ligj, që atëherë ka patur probleme të mëdha në përcaktimin e VKM-ve dhe udhëzimeve përkatëse. Këto VKM kanë prekur interesa të drejtpërdrejta përsa i përket edhe neneve të caktuara të ligjit për tarifat e shkollimit”, deklaron Dr. Lleshaj për gazetën “Si”.

Si zgjidhje ai sheh rritjen e buxhetit për arsimin e lartë nga ana e qeverisë.

“Në fakt, tarifat e shkollimit do të vijnë duke u rritur, por ndryshimet e menjëhershme përmes VKM-ve si në rastin e kësaj radhe, cenojnë drejtpërdrejtë interesat e studentit shqiptar, por unë do të thoja edhe mundësitëe shkollimit në Shqipëri. Sa i takon arsimit publik, jemi të detyruar ne si universitete të shkojmë në ato tavane në kushtet ku jemi, sepse nga buxheti i shtetit dhe nga qeveria nuk ka financime enkas që të jenë në pjesën e mbarëvajtjes së proceseve mësimore dhe kërkimore në fakultetet tona”, deklaron Lleshaj.

Në fund thotë se ligji për arsimin e lartë cenon jo vetëm interesat e studentëve, por edhe të pedagogëve, ndaj ka një apel për kolegët e tij.

“Duhet që pedagogët t’i mbështeten shumë studentëve. Mund të mos kenë ardhur thjesht për ta lënë të lirë këtë protestë, por mendoj e besoj se kauza duhet të jetë e përbashkët. Edhe ne kemi plot interesa që na cenohen nga ligji, edhe studentëve plot interesa që u cenohen nga ligji. Unë mendoj se kjo duhet të vazhdojë”, mbyll deklaratën e tij për “Si” pedagogu i Fakultetit Ekonomik.

Heqja e tarifës për kreditet e mbartura ishte kërkesa kryesore që ndezi dhe masivizoi protestën studentore. Në ditën e dytë të saj dhe pas tre orësh tubimi para dyerve të Ministrisë së Arsimit, kjo e fundit njoftoi tërheqjen nga pika 4 e VKM-së në fjalë.

Vendimi u prit me brohoritje nga studentët që protestonin, por ata sërish vazhduan thirrjet për të mos u tërhequr deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre. Vetë lista e këtyre kërkesave ka ndryshuar nga lista fillestare.

Kërkesat kryesore i adresohen Qeverisë dhe një pjesë e mirë e tyre që të realizohen kërkojnë ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë. Studentët kërkojnë si pikë të parë rritjen e buxhetit për universitetet publike dhe përgjysmimin e tarifave universitare, kartë studenti me të gjitha lehtësitë, 50 për qind të votës për të zgjedhurit nëpër universitete dhe investim urgjent tek bujtinat studentore për përmirësimin e kushteve.

Për drejtuesit e universiteteve kërkojnë pajisje të bibliotekave dhe laboratorëve me logjistikën e bazën materiale të plotë dhe sipas të gjitha standardeve, ndarjen e pagesës së tarifës së shkollimit me dy këste dhe shtyrjen e afatit të secilit këst përtej sezonit të provimeve të semestrit të parë.

Pasi plotësimi i kërkesës së parë nuk largoi studentët nga kangjellat e Ministrisë së Arsimit, ministrja Lindita Nikolla thirri një komunikim të dytë për mediat.

Në këtë konferencë tha se protesta i shërbeu për nevojën që ka komunikimi me studentët për shpjegimin e reformës në arsim, por edhe njoftoi dakordësinë, jo për të realizuar kërkesat e tjera, por për t’i diskutuar ato.

https://www.facebook.com/1408444276095536/videos/305702403485802/?jazoest=26510012075120731039768668211310454791019949891038411890118116517174116120101891201166597809050103109986978120815865100119855172114104546689974890102120121107103825765669866958486697811074104671051131221068099106121716557119

“Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore që më thotë se për kërkesat 2, 3, dhe 4 të ngrihet një grup pune nga Ministria dhe studentët. Kjo është rruga e duhur për të përmirësuar gjithçka dhe një dialog me të vërteta”, deklaroi ministrja.

Por, nga protesta studentët u qëndruan thirrjeve fillestare për realizimin e këtyre kërkesave pa asnjë negociatë. Tani, me dorën e shtrirë nga Ministria për grupet e punës dhe sidomos me heqjen e VKM-së për tarifimin e krediteve të lëndëve të mbartura, mbetet për t’u parë nëse thirrja për vazhdimin e protestës do të ketë të njëjtin masivizim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë